Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universitetit, Sandër Kovaçi, deklaroi në protestën e mësuesve për rritje pagash dhe arsim cilësor, të mbajtur të premten, se bojkoti i vitit akademik do të jetë i pjesshëm duke filluar nga 17 tetori.
“Data 17 është në fuqi pasi qeveria kokëfortë nuk dëshiron të marrë asnjë masë. Ne nuk duam të prishim festën e studentëve të rinj dhe prindërve të tyre, kështu që kjo festë do të bëhet”, tha ai në protestën ku morën pjesë qindra pedagogë.
Sipas njoftimit të tij, pas prezantimit të studentëve të rinj në orën 08:00-10:00, përfaqësues të sindikatës do të jenë aty për t’u shpjeguar studentëve pse lëvizja e tyre është edhe lëvizje studentore.
“Ne do të jemi çdo ditë para fakulteteve nga ora 10:00 deri në 12:00. Në funksion të përgjigjeve të qeverisë, Sindikata do të informojë për veprimet e saj të mëtejshme”, tha kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universitetit.
Një protestë e veçantë u organizua nga dhjetëra persona me aftësi të kufizuara në Tiranë, të cilët kërkuan rritje të mbështetjes financiare.
/Argumentum.al