EDITORIAL
Protesta është mjeti i vetmi demokratik që shpreh pakënaqësinë ndaj qeverisë apo çdo fenomeni tjetër kundër shoqërisë. Një mjet legjitim dhe i drejte i garantuar me Kushtetutë që edhe në Shqipëri në periudha të ndryshme kohore ka sjellë ndryshime të rëndësishme.
Protesta e studenteve të viteve 90-të, protesta kundër armëve kimike në vitin 2013-të, protesta e studentëve në vitin 2018-të janë disa protesta që shënjuan, u përkrahën dhe u dëgjuan masivisht.
Më e rëndësishmja ndër to mbetet protesta e studentëve të viteve 90-të si zëri dhe lëvizja që solli pluralizmin në vend.
Ndërsa protesta e studentëve të vitit 2018-të megjithë jehonën që pati, ajo u përça dhe u sfumua pasi qeveria në pushtet përdori gjithë makinerinë e saj propaganduese duke e lidhur këtë protestë si një protestë për interesa politike të disa individeve. Më vonë për këtë protestë u akuzua si organziator i saj, “Lëvizja Vetëvendosje” në Tiranë me ndihmën e Albin Kurtit që sipas lidershipit të Partisë Socialiste donte të rrëzonte qeverinë shqiptare(!)
Sa i përket protestave politike ose partiake, të ashtuquajtuara kështu pasi organziohen nga liderit politik në opozitë, kanë përfunduar me të njëjtin intensitet sikundër nisin pasi jo çdo protestë ka në fokus interesin qytetar.
Megjithatë çdo protestë duhet përkrahur e dëgjuar me vëmendje.
Sikundër shprehëm në fillim, duke qenë se është i vetmi mjet demokratik, protesta çdo here është e drejte pavarësisht nga numri i protestuesve apo organizatorëve të saj.
Sikundër ishte e drejtë dhe protesta e 12 Nëntorit e thirrur nga opozita e bashkuar. Një protestë kombëtare kundër qeverisë Rama.
Mijëra mbështetës të saj u mblodhën për më shumë se dy orë para godinës së qeverisë.
Shpopullimi, ikja e të rinjve, rritja e çmimeve, papunësia, ishin disa nga problematikat kyçe që u shpalosen nga folësit.
Por që nga 12 Nëntori, përkundrejt faktit që bulevardi kryesor i kryeqytetit u mbush nga mijëra qytetarë protestues, sërish protesta duket se ishte larg pritshmërive të asaj pjesë që vetëm vegjeton.
Ok, por çfarë solli kjo protestë, është kjo pyetja që moderatoret e emisioneve politike në median vizive u drejtojnë të ftuarve të tyre?
Keqardhje që në formulimin e kësaj pyetje nga kolegë gazetare që minimizojnë rëndësinë e kësaj proteste.
Vetë organizimi i kësaj proteste është hapi më i rëndësishëm për evidentimin e problemeve më të cilat përballen çdo ditë qytetarët shqiptarë në çdo cep të Shqipërisë.
Të thuash që kjo protestë nuk arriti asgjë …vdes shpresen për të ngritur zërin.
Jo ato qindra e mijëra zëra që kumbuan në Bulevard por edhe sikur një zë i vetëm të dalë të protestojë, ai duhet duatrokitur e mbështetur nga secili prej nesh.
Nuk ka nevoje të jesh filozof për të lexuar këtë protestë, për ta kuptuar atë … thjesht duhet mbështetur.
Përtej emrave të përveçëm se u organizua nga Berisha apo Meta, kjo protestë në fakt është e atyre që u derdhën lumë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duhen mbeshtur ato prindër, të rinj, të moshuar, fëmijë të cilët kanë me mijëra arsye për të protestuar pasi janë ata që po i vuajnë në kurrizin e tyre politikën arrogante, që po ndjek kjo qeveri tashmë prej një dekade.
Vetëm në ato vende autokrate, diktatoriale, anatemohet protesta, përçahet protesta dhe minimizohet rëndësia e saj duke e lidhur me interesa personale politike.
Kjo protestë ose më saktë interpretimi që i bëhet protestës tregon që Shqipëria po rrëshqet drejt një politike diktatoriale.
E kuptoj Partinë në pushtet e cila ende e babëzitur nga benefitet e pushtetit e minimizon këtë protestë, por nuk justifikoj analistët, gazetarët, apo këdo tjetër që protestën e 12 Nëntorit e shikon dështim.
Nuk e di se cilat kanë qenë pritshmëritë e tyre… ndoshta një përplasje e dhunshme me policinë, ndoshta tym e gaz në qiellin e Tiranës, ndoshta thyerje të institucioneve qeveritare, ndoshta rrëzim të qeverisë nëpërmjet dhunës. Secila prej këtyre mund të ketë qenë dëshirë, pritshmëri…por kjo protestë paqësore e qytetarëve zhgënjeu ata që dëshironim të shikonin trazira.
Është zhgënjyese në fakt, që protesta paqësore nuk duatrokitet, pasi tregon se pushteti ka mbërthyer çdo hallkë, deri tek mediat me analistët dhe gazetarët të cilët protestuesit i llogarisin si një çete sulmuese dhe jo si njerëz me halle që duan vetëm që zëri i tyre të dëgjohet, dhe hallet e tyre të zgjidhen.
Kishte nga ata gazetare që bënë edhe llogaritje matematikore për të demostruar se sa ishte shifra e saktë e protesteusve më 12 Nëntor.
Qesharake!
Ata që jetojnë përreth qendrës së Tiranës, ku koncertet, aktivitetet e ndryshme gëlojnë çdo natë, ku baret e lokalet janë të tejmbushura, ku restorantët janë të rezervuara apo në Tiranëm e fishekzjarreve në çdo mesnate që tregojnë se dikush ka ditëlindjen…e kanë të vështirë të perceptojnë se pak kilometra larg kryeqytetit, janë familje që ulen në mbremje me barkun bosh, që jo vetëm fishekzjarrët që nuk ndizen në fshatin e tyre por edhe e dritat elektrike janë një luks për shkak të çmimit të lartë.
Pak kilometra më larg Tiranës, i vetmi rezervim që bëjnë shumë familjarë, janë ushqimi me lista nëpër dyqanet e lagjeve.
Tirana nuk është Shqipëria …Studiot televizive nuk janë Shqipëria…Shqipëria dhe shqiptarët janë ato qindra e mijëra qytetarë që përgjatë bulevardit të Tiranës protestuan. Ata janë zëri i vërtetë… kush ka veshë le të dëgjojë!
/Argumentum.al