Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe grupimi i këshilltarëve të Rithemelimit të PD-së dhe PL-së po organizojnë sot një protestë përpara bashkisë së Tiranës pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni për dosjen ‘5D’.
Protestuesit kanë hedhur tymuese dhe molotovë si dhe bojë të zezë dhe mollë në drejtim të bashkisë së Tiranës.
Para godinës shihet se ka forca të shtuara të forcave policore, ndërkohë që efektivë shihen edhe në tarracën e godinës.
Forcat e FNSH janë të pajisur me skafandra dhe mjete të nevojshme për të përballuar përshkallëzimin e dhunës në protestë.
Anëtari i këshillit bashkiak nga PL, Tedi Blushi, në fjalën e tij në protestën para bashkisë Tiranë, tha se ka ardhur koha që populli të arrestojë të korruptuarit. Ai u shpreh se sot protestojnë kundër vjedhjes e dhe betonizimit të Tiranës.
“Jemi këtu për të protestuar kundër vjedhjes së taksave. Policia është në krahun e hajdutit. Vidhen para me inceneratorin që nuk ekziston, protestojmë kundër betonizimit të Tiranës nga mafia e betonit që ka zaptuan bashkinë e Tiranës. Kam sot një mesazh për kolegët e opozitës që duhet ti prijmë popullit dhe jo të fshihemi pas kaçubave pas popullit. Duhet të dalim në ballë për t’i prirë popullit”, tha ai.