Në një reagim, Këshilli i Europës përmes një deklarate për media lidhur me ngjarjet e fundit në Shqipëri,pas vrasjes së Klodian Rashës, thekson se “autoritetet shqiptare duhet të tregojnë përmbajtje në mbarëvajtjen policore të demonstratave dhe të sigurojnë hetime të hollësishme, të pavarura dhe efektive për të gjitha pretendimet e përdorimit të tepruar të forcës”.
Në deklaratën e Komisioneres së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, gjithashtu “shprehet shqetësimi për përshkallëzimin dhe përplasjet midis policisë dhe protestuesve pas të shtënave fatale ndaj një të riu nga policia javën e kaluar, gjatë orëve të natës kur vendi ishte i mbyllur”.
“Përdorimi joproporcional i forcës është raportuar gjithashtu në lidhje me demonstratat e tjera që u zhvilluan në Shqipëri në fillim të këtij viti, shton ajo. – Përgjigja ndaj pandemisë COVID-19, nuk u jep autoriteteve të drejtën për të përdorur forcë policore kur ka grumbullime”, vijon komisionerja.
Në këtë kontekst, ajo vë në dukje përdorimin ujit me presion, spraj, si dhe mjete të tjera të fuqishme që kanë çuar në plagosjen e disa protestuesve dhe ndalime në shkallë të gjerë, përfshirë fëmijët.
“Ndërsa e drejta për grumbullim paqësor mund të kufizohet për të mbrojtur shëndetin publik, autoritetet duhet të mbështesin parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit në të gjitha rrethanat”, shprehet ajo.
Së fundmi, Komisionerja shprehet e shqetësuar për ndalimin dhe sulmet e pretenduara ndaj disa gazetarëve që mbulojnë protestat.
“Sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të drejtës për t’u informuar. Autoritetet duhet të sigurojnë që gazetarët mund të vazhdojnë të informojnë qytetarët pa frikë nga kërcënimet ose aktet e dhunës”.
Duke vënë në dukje se shumica e personave të ndaluar janë liruar, Komisionerja bën apel për autoritetet, të shpejtojnë lirimin e çdo protestuesi paqësor të mbetur që mund të jetë akoma në paraburgim.