Mes përplasjesh e debatesh të shumta, është zhvilluar në mënyrë të cunguar seanca parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë ditën e sotme.
Situata ka qenë kaotike brenda dhe jashtë Kuvendit gjatë seancës plenare, pasi deputetët e Partisë Demokratike (PD), të përjashtuar nga diskutimet, nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e saj të hënën.
Kjo shkaktoi përplasjen e parë mes tyre dhe rojes së sigurisë së parlamentit. Deputeti Luçiano Boçi tha për mediat se dënimi ndaj deputetëve është disiplinor, gjë që i lejon ata të ndjekin seancat pa ndërhyrje.
Ndërkohë, protestës së thirrur nga kreu i PD-së, Sali Berisha, i janë bashkuar edhe mbështetësit e opozitës të mbledhur para sallës së seancës plenare të Kuvendit.
Protesta e thirrur në orën 17:00 nisi me përplasje. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, së bashku me deputetë iu drejtuan Kuvendit për të hyrë në seancën plenare.
Disa prej deputetëve që u përjashtuan nga seanca e sotme plenare nuk janë lejuar që të hyjnë në ambientet e Kuvendit duke shkaktuar përplasje mes tyre dhe punonjësve të sigurisë së parlamentit.
Deputeti Luçiano Boçi u shpreh për mediet se masa e dhënë ndaj deputetëve është disiplinore.
“Masa është disiplinore çka do të thotë që nuk kam të drejtën të kërkoj fjalën as për procedurë as për amendime të ndryshme. Deputetët mund të ulen në vendin e tyre dhe të ndjekin seancën pa ndërhyrë”, u shpreh Boçi.
Ndërkaq, protestës së thirrur nga Berisha i janë bashkuar mbështetës të opozitës, të cilët ndodhen para sallës së seancave plenare të Kuvendit.
Pasi deputetët e përjashtuar nuk u lejuan të hyjnë në sallën e seancës plenare, protestuesit janë përplasur me policinë dhe tentuan të thyejnë kordonin policor.
Ata kanë hedhur shashka dhe tymuese në drejtim të punonjësve të policisë.
Berisha: Parlamenti u dominua totalisht nga fantazma e McGonigal
Kreu i PD, Sali Berisha u shpreh para protestuesve se, “prania juaj këtu ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme, për ne, për demokratët shqiptarë kudo që ndodhen. Ne po mbrojmë një kauzë të drejtë”.
“Sot parlamenti shqiptar ju e patë vetë, u dominua totalisht nga fantazma e McGonigal të Edi Ramës”, theksoi Berisha.
“Tani, çështja numër 1 e parlamentit pa diskutim që është komisioni hetimor parlamentar për një problem që ka tronditur botën, Amerikën, Shqipërinë, NATO-n dhe mbarë botën e lirë. Është në përcaktimin tonë, vendosmërinë tonë, që ky parlament ose do t’u japë zgjidhje këtyre problemeve, ose nuk do të mund të trajtojë çështje tjetër”, tha Berisha.
“Prania juaj këtu i detyroi të largohen nga parlamenti. Por herën tjetër, do të duhet t’u marrin leje ju për t’u larguar nga parlamenti. Ndaj ju them, më mirë zbatoni rregullat, ligjet, respektoni të drejtat e opozitës. Janë 750 mijë zgjedhës, të drejtat e të cilëve shtypen në parlament. Ne kurrë nuk do të tolerojmë këtë. Rroftë revolucioni, rroftë opozita, rrofshi ju”, theksoi Berisha.
Meta: Parlamenti është shtëpia e përfaqësuesve
Në fjalën e tij jashtë Kuvendit, kreu i PL, llir Meta tha se, “ne do të fitojmë, se shqiptarët e Shqipëria do të jenë këtu për qindra e mijëra vjet të tjerë ndërsa Rilindja, sekt i pabesë kundër familjes e Atdheut, do shkojë atje ku është McGonigal. Ju falënderoj për qëndresën e qytetarinë tuaj. Fitorja është shumë e shpejtë”.
“Parlamenti është shtëpia e përfaqësuesve. Ju këtu dhe të gjithë ne përfaqësojmë 750 mijë vota për të certifikuar. Kanë tmerr nga fjala e opozitës, nga e vërteta. Ky nuk është më parlamenti i shqiptarëve që respekton rregulloren, por është kthyer në institucion që i shërben Ramës”, tha Meta.
Vokshi: Rama kërkon të mos japë llogari për aferën me McGonigal
Ndërsa deputetja e PD-së, Albana Vokshi, në fjalën e saj përpara protestuesve jashtë Parlamentit, i bëri thirrje Policisë dhe Gardës që të bashkohen me popullin dhe të mos marrin në mbrojtje ata që ajo i quajti “politikanë të korruptuar”.
“Të dashur zonja e zotërinj që iu përgjigjët kërkesës së PD-së për të marrë pjesë në protestë! Parlamenti është uzurpuar nga Edi Rama dhe përfaqësues të “Rilindjes”. Rama kërkon të mos japë llogari për aferën me McGonigal. Pse u përjashtuam ne sot? Kërkuam interpelancë urgjente. Ne nuk dorëzohemi. Sot vuri Gardën përballë nesh. Jo, ne nuk e kemi me Gardën e Policinë. Unë u bëj thirrje atyre që të dalin këtej. Të bashkohen me popullin”, tha ajo.
“Ka para në buxhet për shëndetësinë dhe për shkolla e arsimim cilësor, por paratë i vjedh Edi Rama dhe ia jep McGonigal për të goditur opozitën. Kjo protestë sot nuk është vetëm çështje e PD-së, është çështje pluralizmi politik. PD është e vendosur të mbrojë pluralizmin dhe demokracinë. Bashkohuni me ne. Është çështje demokracie, ta mbrojmë me çdo kusht”, u shpreh Vokshi.