Partia Socialiste do të mbajë më 23 mars Kongresin e saj ndërsa ka ftuar të gjithë ish-kryeministrat e majtë ndër vite.
Detajet bëhen të ditura nga mbledhja e sotme e Kryesisë, ndërkohë që mësohet se takimi do të mbahet në Pallatin e Kongreseve ditën e shtunë.
Nga ana tjetër mësohet se pritet që të shpallet edhe lista e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Tre shtyllat ku do të mbështeten diskutimet në kongres janë; shembujt e qeverisjes lokale, bashkëqeverisja dhe Pakti për Universitetin.
Burime nga PS bëjnë me dije se Kongresi do të jetë i ndarë në tre sesione të ndryshme ku fjalën kryesore do ta mbajë kreu i qeverisë, Edi Rama.
Burime nga selia rozë kanë bërë me dije se mbledhja e kryesisë filloi rreth orës 9:00 të mëngjesit me një rend të gjerë pikash për diskutim, shkruan gazeta shqiptare. Natyrisht që pika kryesore mësohet se do jetë aktualiteti politik dhe sjellja që duhet të ketë Partia Socialiste në vijim, në kushtet kur opozita ka braktisur institucionet dhe ka dalë në rrugë për të protestuar.
Gjithashtu, PS do të vijojë të mbajë një qëndrim të prerë për të ofruar dialog me opozitën, por edhe duke u përpjekur që të mos lëshojë pe sa i përket ndryshimit të mundshëm të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Socialistët në vazhdimësi janë përpjekur që të bëjnë të qartë se zgjedhjet do mbahen në datën e dekretuar nga presidenti më 30 qershor, shkruan GSH.
Gjithashtu një tjetër pikë e diskutimeve të kryesisë së sotme është edhe rendi i ditës së Kongresit që do mbahet të shtunën në 23 mars. Kështu, mësohet se kryesia do të miratojë axhendën e diskutimeve, ku duket se do të mungojë pika për miratimin e listës së kandidatëve për kryetar bashkie siç edhe ishte përcaktuar më parë. Sipas burimeve nga PS në kongres do bëhet prezantim i disa kandidatëve si modele të suksesshme të qeverisjes lokale të PS-së, por nuk do ketë miratim të një liste të plotë kandidatësh.