“Azia është plot me forcë tërheqëse,” kështu u shpreh CNN-i ditët e fundit në uebsajtin e vet. Grupi pop i Koresë së Jugut BTS ka zënë kreun e listës së muzikës, ndërkohë filmi “Pasanikët e çmendur aziatikë” u radhit në vendin e parë për të ardhurat nga shitja e biletave. Amerikanët duket sikur nuk ngopen kurrë së pari filma aziatikë, së dëgjuari muzikë aziatike dhe së ngrëni makarona “Ramen”.
Sipas CNN-it, të gjitha këto janë shenja të “aziatizimit”, jo thjesht shkuarje e Azisë drejt pjesës tjetër të botës. Amerikanët po shkojnë, në mënyrë të vrullshme, në bregun tjetër të Paqësorit, për studim, turizëm, punësim e madje banim të përhershëm. Gjatë dekateve të kaluara, dy breza të vjetër dëshmuan se si miliona amerikanë me prejardhje aziatike pranuan mënyrën e jetesës amerikane, por tani po shohim brezin e ri të amerikanëve, që janë bërë “aziatikë me prejardhje amerikane”. Përse?
Taksat e ulëta
Njoftohet se taksat në Azi janë më të ulëtat në botë. Si në Kinë, ashtu edhe në Japoni dhe Indi, që janë ndër ekonomitë më të mëdha në botë, të ardhurat nga taksat zënë vetëm një të pestën e PBB-së, ndërsa në Evropë kjo përqindje i afrohet gjysmës.
Investitori legjendar Jim Rogers, bashkëthemeluesi i “Facebook”-ut Eduardo Saverin, si dhe dhjetëra të tjerë, janë shpërngulur në Singapor, një vend i pastër, dhe investojnë miliona dollarë në kompanitë aziatike, duke mos mbajtur borxhe të fryra në ShBA.
Vala e gjuhës kineze
Gjatë mbi dhjetë vjetëve, mësimdhënia e kinezishtes është përhapur gjerësisht në ShBA, rezultatet e së cilës shihen në 400 mijë amerikanët që e mësojnë këtë gjuhë. Nga San Francisko në Denver e në Mantatan të Nju-Jorkut, në shumë qytete amerikane janë krijuar kopshte fëmijësh dygjuhësh, anglishte e kinezishte.
Arsimi perëndimor, çmimi lindor
Megjithëse tregu amerikan i punës është në rimëkëmbje e sipër dhe përqindja e papunësisë është relativisht e ulët, pagat janë ende të ulëta dhe shumë të rinj të lindur në këtë shekull janë të ngarkuar me borxhet e rënda të studimit. Një rrugëzgjidhje është studimi në Azi, por prapëseprapë në universitete amerikane, si Universiteti “Georgetown” në Doha, Universiteti i Nju-Jorkut në Abu-Dhabi, Universiteti “Yale” në Singapor, Universiteti “Duke” në Kunshan të Kinës, etj. Dhjetëra universitete amerikane e britanike kanë krijuar programe universitare 4-vjeçare në Azi, që do të thotë se studentët mund të marrin arsimim perëndimor me çmime lindore.
Cilësi dhe gjallëri
Me motin plot rreze dielli, përqindjen relativisht të ulët të krimit të rrugës dhe çmimin e arsyeshëm të ushqimeve e qirave për banesa, Tokio, Tajpei, Singapori dhe disa qytete të tjera aziatike përfshihen nga Banka HSBC në listën e qyteteve më ideale për jetën cilësore dhe mjedisin e gjallëruar profesional.
Prej kohësh, në kryeqytetin e Tajlandës Bangkok e kryeqytetin e Indonezisë Xhakartë kanë qëndruar perëndimorët që kanë dashur të eksplorojnë Azinë. Tani, me përhapjen e biznesit elektronik dhe të shërbimeve të përdorimit të përbashkët, Bangkoku e Xhakarta kanë pasur zhvillim të vrullshëm, ndërsa qyteti vietnamez Ho Shi Min dhe kryeqyteti ekonomik i Mianmarit Jangon (i njohur më parë si Rangun) konsiderohen si qytetet me potencial më të madh në të ardhmen.
Në shumicën e vendeve e rajoneve aziatike ofrohet dhënia e vizës në mbërritje, gjë që krijon shumë lehtësi për turizmin në Azi.
Pragmatizmi dhe gjakftohtësia
Në Azi ka nacionalizëm dhe konkurrencë midis fuqive, por në këtë rajon nuk ekziston populizmi vdekjeprurës i stilit të Trump-it, apo ndarja vetëvrasëse si shkëputja e Britanisë nga BE-ja.
Me shtimin e popullsisë aziatike në 5 miliardë, edhe përmasa e ekonomisë aziatike është zgjeruar më tej. Ekonomitë e këtij rajoni po bëjnë përpjekje për rritjen e vazhdueshme, me integrimin në bazë të tregtisë së lirë dhe ndërlidhshmërisë infrastrukturore dhe me lëvizjen e njerëzve e kapitaleve, komenton CNN-i.