EKSKLUZIVE PËR ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE
Otto von Bismark, Kancelari i hekurt gjatë periudhës vendimtare të viteve 1870 – 1890 për Gjermaninë mbahet mend për shumë shprehje dhe aforizma në fushën diplomatike dhe ushtarake. Me shkrimin tonë lidhet shumë këshilla e tij për dy gjëra të cilat njeriu nuk duhet t’i shohë kur “gatuhen“, ndryshe do të ndjejë krupë dhe do t’i bëhen alergji – salçiçet dhe politika.
Le të ndalemi te kjo e dyta. Ka jo pak raste kur njeriu habitet dhe indinjohet kur sheh, dëgjon dhe mëson për emërime të ndryshme në postet më të larta si thyerje të rregullave dhe normalitetit. Nuk e kemi fjalën për vendin tonë kur kjo është normalitet, por dhe për vende shumë më të përparuara demokratike si Gjermania, ndonëse atje shumë më rrallë. Ka disa javë që në Gjermani por dhe korridoret dhe zyrat e OKB-së në Nju Jork po diskutohet shumë lidhur me emërimin e ministres së jashtme gjermane, Annalena Baerbock si Kryetare e Asamblesë së Përgjithsme të OKB-së për periudhën një vjeçare Qershor 2025 – Qershor 2026.
Pakënaqësitë dhe zhgënjimi këtu vijnë për faktin se shtatorin e kaluar, qeveria gjermane kishte caktuar për këtë post të lartë diplomaten më të mirë dhe më me përvojë të karrierës, 64 vjeçaren, zonjën Helga Schmidt. Kjo kandidaturë ishte pritur me entusiazëm në të gjitha takimet që kjo e fundit kishte organizuar deri në muajin Mars kur e spostuan nga ai post. Kjo falë karrierës së saj brilante diplomatike në Germani, në Bruksel, në Vjenë dhe Berlin, si një europianiste elitare dhe natyrisht si grua; kjo e fundit dhe në kuadrin e ”promovimit të feminizmit“ në diplomaci që ironikisht ministrja Baerbock lançoi dy vjet më parë dhe që mesa duket tani po i shijon vetë favoret e saj.
Më konkretsht, Helga Schmidt mbas kualifikimit për diplomate, e filloi karrierën e saj në vitin 1990 si referente e ministrit të jashtëm të asaj kohe, Klaus Kinkel, tejet aktiv në vitet 90 me çështjen e Kosovës dhe vendin tonë. Në vitin 1997 e deri më 2005 ajo ishte shefe e kabinetit të Ministrit të jashtëm Joschka Fisher, i cili e ka çmuar lart dhe ditët e fundit, duke cilësuar ” jaguar diplomatik” që i ndjek dhe i çon deri në fund problemet.
Në vitet 2001 – 2006 isha zv.Ambasador në Berlin dhe gjatë komunikimeve me zyrën e saj dhe me atë vetë për vizita të nivelit të lartë dhe probleme të tjera të rëndësishme kishim përherë mbështetjen e saj dhe të vetë zv.Kancelarit dhe Ministrit Fischer. Për të flitnin me shumë respekt dhe admirim, për aftësitë e veçanta, seriozitetin dhe operativitetin e saj.
Nga viti 2005 deri më 2010, ajo ishte shefe departamenti në BE dhe në vitin 2010 përfaqësuese e Baroneshës Catherine Ashtown në bisedimet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Atomit me Iranin. Në vitin 2010 ajo emërohet sekretare e Përgjithshme e e BE-së, duke patur ”nën hyqmin” e saj 3700 punonjës dhe zyrtarë të BE-së. Në periudhën 2020 – 2024 Helga Schmidt u zgjodh në një proces tejet të vështirë votimi me konsensus Sekretare e Përgjithshme e OSBE-së, atë vit kur kishte kryesimin vendi ynë. Nga viti 2024 është zëvendës Kryetare e Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë në Munih.
Në të gjitha këto funksione, Helga ka treguar kapacitete të jashtëzakonshme ekspertize dhe lidershipi, si diplomatja më e lartë gjermane në funksione të tilla krahas Stefanie Babst, e cila ka qenë zv.sekretare e Përgjithsme e NATO-s.
Ndaj dhe caktimi i saj në postin e lartë të Kryetares së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ishte rrjedhojë dhe vijim i ntyrshëm i karierës së saj brilante, duke dhënë një imazh shumë të pëlqyer gjerman në Pallatin e Qelqtë.
Mirëpo, disa javë më parë, qeveria gjermane e Olaf Scholz ndërroi mendje dhe e zëvendësoi atë me ministren e tanishme të jashtme, Annalena Baerbock, edhe pse kjo e fundit nga muaji Maj do të jetë ”e papunë” sepse është tërhequr nga jeta aktive politike.
Ky emërim është pritur me kritika të ashpra nga diplomatë elitarë në Gjermani dhe në mjediset e OKB-së. Kjo mbasi kandidatura e Schmidt është vërtet si nata me ditën me atë të Baerbok. Përpara se të bëhej kryediplomate, Baerbock ishte lidere e të Gjelbërve, zëdhënëse e tyre dhe deputete në 12 vitet e fundit. Është tre herë fituese e medaljes së Bronzit në kërcimin nga trapolina. Kë bërë dhe doktoraturën, por në prag të zgjedhjeve të vitit 2021 u akuzua për plagjiaturë, duke kthyer dhe lekët e bursës së dhënë për të dhe me zhurmë mediatike. Dhe aq. Si ministre e jashtme, si post politik qëndroi vetëm tre vjet; krahas disa aspekteve pozitive si përgatitja për eventet, artikulimi i qartë, vizitat e shumta në terren, mbështetja verbale e Ukrainës, e popullit palestinez, etj, ajo konsiderohet si ministrja me jetëshkurtër e jashtme, larg imazit të parardhësit të saj partiak Joschka Fischer dhe pa ndonjë gjurmë, as në Ballkan dhe vendin tonë, ku të gjithë kryediplomatët gjermanë nga Genscheri emblematik janë shquar. Kryesorja, pavarësisht nga fjalët e bukura gjatë vizitave në Kiev dhe gjetkë, ajo e humbi besueshmërinë si ” bërëse” dhe filluan të mos ia varnin më, mbasi u pa qartë se nuk kishte mbështetjen e Kancelarit dhe se në fakt, çelësat e politikës së jashtme gjermane i kishte Kancelaria. Vërejtje dhe kritika ka dhe për karakterin e saj polemizues, punën në rrethe të ngushta, etj.
Zonja Baerbock e justifikoi emërimin e saj me rëndësinë e madhe të postit në momentet e tanishme dhe se paraardhësit e saj atje kanë qenë ministra të Jashtëm ose kryeministra; Po, por kanë qenë personalitete të konfirmuara me përvojë sepse OKB-ja është ”çatia diplomatike” e planetit. Megjithatë, ka patur dhe përjashtime dhe Schmidt do ta pasurone lidershipin e OKB-së me përvojën dhe kapacitetet e saj të veçanta.
Kësisoj, personi më i përshtatshëm do të ishte nga të gjitha anët Helga Schmidt.
Lind me të drejtë pyetja se si u bë e mundur që u bë ky « bërryl »?
Edhe kjo shpjegohet me thënien e Bismarkut për politikën. Fakt është se qeveria e Kancelarit Scholz ia bëri këtë nder, si aleatë koalicioni dhe për ta « mbyllur » me « ëmbëlsirë » koalicionin. Po Kancelari i ardhshëm Merz, çfarë interesi kishte ? Shumë. Se Analenës « i trokiti fati te porta », mbasi Merz duhej të siguronte 2/3 e votave në Bundestagun e vjetër për të miratuar ndryshimin e madh kushtetues lidhur me tejkalimin e kufirit të borxhit, për krijimin e fondit kolosal prej 500 miliard Euro për mbrojtjen dhe po aq për infrastruktuën; këto vota nuk i bënte dot vetëm me SPD-në. Duheshin patjetër dhe ato të të Gjelbërve, se liberalët nuk pranonin kategorikisht. Për pasojë, nëse ky votim do të shtyhej për në Bundestagun e ri, 2/3 e votave do të ishin të pamundura, sepse as të Gjelbërit padyshim dhe AfD-ja në opozitë do të ishin kundër. Në këto kushte, Merz u bëri dy lëshimë të mëdha Të Gjelbërve: rezervoi 100 miliard Euro për mjerdisin, kërkesa kjo e kahershme e të Gjelbërve dhe i ofroi lideres së tyre, Baerbock postin e lartë në OKB.
Mirëpo a u veprua drejt dhe në kurriz të kujt? Natyrisht jo dhe kjo u bë në dëm të Helga Schmidt por dhe të imazhit të diplomacisë gjermane. Por ja që politika në jo pak raste tregohet e egër dhe pa logjikë, pa ia ditur shumë për vlera dhe parime. Sidomos kur në lojë futet Realpolitika me interesat dhe llogaritë e saj, të cilat i spostojnë vërtet « prapa liste » vlerat dhe parimet e shpallura me bujë.
© 2025 Argumentum