EKSKLUZIVISHT PËR ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE
Kjo pyetje e natyrshme lind mbas përfundimit të Samitit të ” Ballkan i Hapur” më 2 Shtator që u zhvillua nën suazën e Panairit Ushqimor në Beograd më 1 – 4 Shtator. Organizatorët e pompuan atë bashkë me verën që u derdh lumë si sukses i radhës i nismës ” Ballkan i Hapur”. Mirëpo tellallët e tij harrojnë se panairet dhe verërat nuk janë shpikje e ” Ballkani i Hapur” por kanë histori shumë më të lashtë dhe në rajon. Për fatin e tyre të keq, përveç aromës dehëse të verës, ky edicion i ”Ballkan i Hapur” politikisht ishte dështimi më i madh në prag të tre vjetorit të ekzistencës. Kryesorja, ai nuk ka bërë asnjë centimentër përpara në tre vendet refuzuese, sidomos në Kosovë, si dhe në publikun, median dhe politikën në Beograd, Tiranë dhe Shkup.
Na aspektin diplomatik, veç të përhershmit Soros që i shton dhe më shumë dozat e mosbesimit ndaj kësaj nisme, nuk pati asnjë mysafir nga metropolet e BE-së, as nga Presidenca e saj çeke dhe as nga Uashingtoni. Madje, asnjë mesazh qoftë dhe personal prej tyre, siç ka ndodhur më parë. Ndërkohë, Italia dhe Greqia e refuzuan për të dytën herë rresht ftesën, natyrisht me finesë diplomatike; diçka e pritshme, sepse Italia është protagoniste e Procesit të Berlinit, për të cilin kohët e fundit ka shprehur interes edhe Greqia. Nuk e di sa ngushëllues ka qenë prania e kryediplomatëve nga Ankaraja dhe Budapesti, të cilët nuk janë në Procesin e Berlinit apo e Zarevit dhe Abazovicit” të rënë nga fiku”. Për ironi të fatit, në prag të Samitit, Fondacioni prestigjioz Rockeler, Euroactiv, ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë amerikanë, gjermanë, etj ua prishën fare shijen e verës dhe ” oreksin” mysafirëve në Beograd. Sikur të mos mjaftonin këto, arbitrariteti i paparë dhe dhuna e shtetërore shqiptare në ” Prestige Resort” e la në hije, duke u kthyer në një denoncim të ashpër publik të ”Ballkan i Hapur”. Për pasojë, jehona në median rajonale dhe ndërkombëtare Zero.
Këtu nuk ka asgjë për t’u habitur. Tre liderët e tij nuk duan ta kuptojnë gjënë më të thjeshtë dhe logjike se ky Panair do të kishte shumë më tepër sukses, gjithëpërfshirje dhe jehonë po të ishte organizuar nën ombrellën e Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal të BE-së! Se aty do ishin të 6 vendet e rajonit dhe të paktën 6 herë më shumë firma pjesëmarrëse! Plus, personalitete nga Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Parisi, Roma, Londra, Praga që mban kryesinë e BE-së, etj. Por ja që karshillëku i dëmshëm ndaj Berlinit dhe Brukselit u ka zenë sytë ”të kapurve” të ” Ballkan i Hapur” dhe nuk i lejon të shohin më larg se Beogradi, Tirana dhe Shkupi.!
Për pasojë, megjithë aromat dehëse të verës dhe ahengjet politike të rastit, Panairi i Beogradit tregoi qartë se dhe tani, tre vjet pas lançimit, ”Ballkani i Hapur” ka mbetur një “Tripalësh Ballkanik“ që nuk po ngjit askund.
Nisur dhe nga përvoja e gjatë diplomatike në Tiranë dhe në vende të tjera me nismat rajonale, meqenëse po “këmbëngulet si mushka“ për gjoja dobinë e saj, duke përdorur si alibi qeveritare dhe “vijën e masave“, le të ndalemi “fshatshe“ për tբ venë pikat mbi “i“ mbi këtë nismë, e cila vazhdon të ndajë, në vend që të bashkojë.
“Ballkani i Hapur“ është mbivendosje e panevojshme, sepse të gjitha objektivat dhe aspektet e tij i kryen më së miri Procesi i Berlinit. Madje, ai shkon shumë më larg në formatet dhe synimet e tij gjeopolitike, falë një platforme të gjerë bashkëpunimi dhe afrimi mes palëve. Veçse aty, “violinë e parë“ është Berlini dhe jo Beogradi, ndaj, Kosova dhe të tjerë janë te « Procesi i Berlinit», më shumë dëshirë dhe aktivë.
Nuk është aspak e vërtetë se Berlini ka dështuar; përkundrazi, ai i ka shërbyer qëllimit, i ka dhënë hov procesit të antarësimit në BE, me vlerësime nga BE/SHBA; pavarësisht se « Berlinez » aty janë aktorë të rëndësishëm dhe Italia, Franca, Anglia, Austria, Polonia, Bullgaria, etj. Po, ka patur të meta, mangësi, vonesa dhe mungesa. Ama kjo kryesisht për faj të lidershipeve në vendet tona që nuk “e kanë venë ujin shumë në zjarr“ dhe tani na dalin si pa të keq me flamurin e shpëtimtarit!
Veç kësaj, pas vitit 2014 dhe Gjermania dhe BE-ja u ndeshëm me kriza, konflikte dhe vështirësi të mëdha të njohura, të cilat patën ndikim dhe te Procesi i Berlinit.
Ndaj, siç e ka konfirmuar dhe Kancelari Scholz, në Shtator, Gjermania do ta rijetësojë këtë Proces historik, duke ftuar në Berlin të 6 liderët e rajonit.
Për të zbutur efektet e karshillëkut jashtë vendit, Kryeministri Rama pretendon se ” Ballkan i Hapur” është njësi shtesë i zbatimit të Procesit të Berlinit! Çka bie në kundërshtim të plotë me fjalën e tij më 23 Qershor në Samitin e saj në Bruksel, ku krejt jashtë etikës minimale diplomatike “kërcënoi“ BE-në ta mbështeste, ndryshe do të bëhej kiameti! Ndërsa në Konferencën e Shtypit në Tiranë më 1 Gusht me Kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez ai deklaroi se “Ballkani i Hapur“ është nismë për jetë a vdekje!
Shqetësimi tjetër i madh është se dhe vetë Kryeministri Rama nuk do ta dëgjojë dhe ta kuptojë JO-në e qartë diplomatike nga partnerët gjermanë dhe europianë. “Jo“ për Ballkanin e Hapur dhe “PO“ për Procesin e Berlinit e tha me shumë finesë ish Kancelarja Merkel dhe Ursula Von der Leyen Shtatorin dhe Tetorin e kaluar; atë ia tha akoma më troç Ramës në Berlin në Prill Kancelari Scholz përpara medias, duke mos e përmendur fare “Ballkan i Hapur“ megjithë këmbënguljen e gazetarëve të pranishëm. Një “Jo“ e kuptueshme, sepse Gjermania është nismëtarja e Procesit historik të Berlinit. Të njëjtin qëndrim mbajti Kancelari Scholz më 4 Maj në takimin me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Mirëpo kur thotë Berlini “JO“, edhe Parisi, Haga e të tjerë nuk kanë si thonë “Po“.
“Jo“ ka thënë në heshtje edhe SHBA-ja. Disa javë më parë, Kryeministri Rama pohoi publikisht se do të vijë një dokument strategjik shtesë nga SHBA-ja, ku është dakordësuar 100 për qind dhe për “Ballkanin e Hapur“! Mirëpo deri tani asgjë. Me përjashtim të Ndihmës Zv.Sekretarit të Shtetit Gabriel Escobar, i cili kohët e fundit e ka mbështetur, POR, me kusht ai që të jetë gjithëpërfshirës dhe vetëm ekonomik! Mirëpo, Rama në Beograd e sfidoi dhe vetë Escobar, kur e tha shqip në Beograd se “Ballkani i Hapur është shumë më tepër se ekonomi dhe tregti, ai është shumë më tepër dhe se politikë, është projekt i madh paqeje“! Lind pyetja: “Po Procesi i Berlinit a nuk është i tillë, madje shumë më i madh dhe me efekt“? Pastaj, se kush e cënon dhe rrezikon paqen në rajon, këtë “e di dhe bufi“! Serbia, e cila në 30 vitet e fundit ka bërë 4 luftra të përgjakshme e tani na flet për paqe!!!
Nga ana tjetër, ndryshe nga “Ballkani i Hapur“, Procesi i Berlinit nuk ka nevojë për njësi shtesë, ai ka CEFTA, ka Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) me seli në Sarajevë, ka Komunitetin e Energjisë dhe shumë nisma të tjera rajonale plotësuese. Atëhere, pse duhet “Ballkani i Hapur“, kur kemi këto mekanizmat dhe proceset e tjera, që janë dhe gjithëpërfshirëse, konsensuale dhe gëzojnë mbështetjen e plotë të BE-së dhe SHBA-ve?
Gjithashtu, “Ballkani i Hapur“ është i panevojshëm dhe karshillëk ndaj BE-së, sepse në vijim të Procesit të Berlinit, bashkë me të 6 liderët e Rajonit në Nëntor 2020 është miratuar projekti madhor “Tregu i Përbashkët Rajonal i Ballkanit Perendimor“( TPR). Më specifikisht ai do të zbatojë të “katër liritë e mëdha të Europës. Mirëpo, si Rama dhe Vuçiç nuk e përmendin asnjëherë ose fare kalimthi as këtë projekt madhor; kështu bënë dhe në Beograd. E kemi përmendur dhe në shkrime të mëparshme se “Tregu i Përbashkët Rajonal“ është fiksuar zyrtarisht dhe nuk e “luan as topi“ në dokumentet zyrtare të BE-së. Këshilli e ka vulosur TPR-ja në Samitin e Sofjes më 10 Nëntor 2020, në Brdo më 6 Tetor 2021 2021 dhe në Bruksel më 14 Dhjetor 2021; Komisioni Europian në Tetor 2020 dhe Parlamenti Europian në Rezolutën e tij të muajit Prill 2022. Ndërsa “Ballkani i Hapur“ nuk përmendet si term në asnjë dokument zyrtar; as pas “rrufeve“ që lëshoi Rama!
Madje, në pikat 10,11 dhe 12 të këtyre dokumentave zyrtare, të 6 liderët ballkanikë bashkë me Ramën zotohen për realizimin e TPR-së. Mirëpo, ndryshe nga “Ballkani i Hapur“, TPR-ja është gjithëpërfshirës dhe ka mbështetje politike/financiare nga BE-ja. Krahas mbështetjes dhe koperturës politike dhe institucionale, BE-ja ka akorduar 29 miliard Euro në kuadrin e Planit të saj të Investimeve në Rajonin tonë deri në vitin 2027 për zbatimin e TPR-së dhe projekteve të tjera që ajo drejton. Në këto kushte, BE-ja, Brukseli dhe Berlini nuk ka si “të zgjidhë qesen“ për një nismë gjysmake, e cila ka për nismëtare Beogradin problematik; se kësaj i thonë “dhentë dhe dhitë e Zeres dhe nami i Hasan Qerres“!!
Mirëpo, sërish Kryeministri Rama nuk le rast pa gjykuar dhe kritikuar edhe TPR-në, si të dështuar, të ngadalshme në zbatimin e projekteve etj; Në fakt, “burokracia e Brukselit“ nuk ka asnjë faj, sepse ajo ka rregullat dhe procedurat e saj, të cilat duhen respektuar një për një, ama europianshe dhe jo alla shqiptarshe!
Tani, nëse siç pretendon Rama, Procesi i Berlinit dhe TPR-ja kanë dështuar dhe na del shpëtimtar “Ballkani i Hapur“ atëhere lind pyetja: “Kur nuk ka sukses Berlini, Brukseli, Parisi, Roma, Londra, etj si mund t’ia dali mbanë Tirana me Beogradin“ ? Cili njeri në botë mund ta besojë këtë! Kësaj i thonë “më i rëndë bishti se sqepari“!
Argumenti tjetër i fortë kundër “Ballkanit të Hapur“ është agresioni rus ndaj Ukrainës dhe qëndrimi i vendeve antare/kandidate ndaj Rusisë si “gur prove“ Ai agresion, i shoqëruar me pasoja tejet të rënda për ekonominë europiane tregoi ndër të tjera dhe dështimin e globalizmit naiv, sipas të cilit, krijimi dhe zhvillimi i tregjeve, i zonave të lira, etj do të zgjidhte tensionet politike dhe do të krijojnte paqe; i tillë është dhe rasti i nismave rajonale, sidomos “Ballkani i Hapur“ që ka bartur e krijuar shumë probleme, me mungesë të theksuar të besueshmërisë politike dhe tensione në rritje midis Beogradit dhe Prishtinës.
Më konkretisht, nëse nuk vendos sanksione ndaj Rusisë dhe vazhdon të ushqehesh në grazhdin e saj, atëhere, çkuptim ka të hapësh Ballkanin, kur ti mbyllesh ndaj Europës dhe Ukrainës? Ndaj, sot, përpara verës, konjakut, shalqinit, pra bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, të gjithëve, por sidomos Serbisë problematike i kërkohet përcaktimi i pozicionit të saj gjeopolitik dhe ndarja me Rusinë. Nëse “Ballkani i Hapur“ është projekt paqeje, atëhere, Serbia përpara se ta ftojë në atë nismë, le të njohë krimet dhe genocidin ndaj Kosovës, të kërkojë ndjesë publike dhe të shpallë njohjen e saj, qoftë dhe shkallë shkallë! Këtë të kërkojë dhe Rama dhe jo të bëhet zëdhënës i zellshëm i Beogradit, për t’i shpjeguar Europës vështirësitë energjitike serbe apo per t’i thurur lavde Vuçiç, si shpëtimtar i situatave konfliktuale, kur “dhe bufi e di“ se është krejt e kundërta me të!
Për të gjitha këto shkaqe dhe arsye, JO-ja ndaj Balkanit të Hapur është e pakthyeshme dhe e pakorrigjueshme, siç shpresojnë me naivitet partizanët e e tij fanatikë. Për Ballkanin e Hapur nuk ka konsensus brenda saj; në një rast të tillë, krahas disa mbështetësve, kundërshtarët më të shumtë dhe më me ndikim do të pyesnin me të drejtë se përse do shtuar diçka tjetër kur TPR-ja i plotëson të gjitha kushtet? Pra, përse na duhen paralelizma dhe dublime të tilla, apo për protagonizëm rajonal? Ndaj janë të kota dhe ftesat për t’iu bashkuar asaj.
Në mbyllje, nuk është nevoja të “kërkojmë gjilpërë në kashtë“ për të zbuluar të këqiat e “Balkan i Hapur“! Jo, Zoti Vuçiç, sepse “fshati që duket s‘do kallauz“
Ndaj, do të ishte më e udhës që në prag të Samitit në Berlin në Shtator dhe në Pragë në Tetor, të hiqet dorë“ me lezet“ nga “Ballkan i Hapur“. Të tria vendet të shpallin shkrirjen e tij te “Procesi i Berlinit dhe Tregu i Përbashkët Rajonal“, duke i dhënë fund këtij karshillëku të turpshëm dhe të dëmshëm. Sepse, le ta themi me zë të lartë për ata që duan të dëgjojnë: “Ballkani i Hapur“ nuk ngjit dot më, sikur namin të bëjnë protagonistët e tij të zellshëm! Sepse, kuptojeni më në fund, Procesi i Berlinit dhe TPR-ja “na del dhe na tepëron“!
© 2022 Argumentum