Realpolitik “ Flash” No. 63
1 – 16 SHKURT 2023
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
Dr. Jorgji KOTE
Mjeshtër i Madh
1.Pse ky ”memecllëk” diplomatik!? Eshtë me të drejtë ndër pyetjet kryesore që lind natyrshëm pas tubimit të opozitës më 11 Shkurt – pra, pse nuk pati asnjë njoftim, reagim apo qëndrim nga përfaqësitë kryesore diplomatike në vendin tonë, sidomos e SHBA-ve, BE-së, OSBE-së dhe ndonjë tjetër. Një « memecllëk » i paparë dhe i padëgjuar në këto 30 vjet të pluralizmit. Ca më tepër kur protesta jo vetëm ishte masive, por me tema madhore Euro – Atlantike, të cilat përbëjnë dhe thelbin e kritikave të ndërkombëtarëve për vendin tonë. Veçanërisht pas skandaleve të rënda, që kulmuan me Mc Gonigal. Pyetja do të ishte e pa vend nëse këto përfaqësi deri tani do të ishin sjellë si kudo në botë, pa qëndrime dhe reagime publike potghuajse të përditshme. Mirëpo dihet se te ne ato kanë tejkaluar çdo limit dhe normë diplomatike, aq sa ndonjë Ambasador perceptohet si « Guvernator» apo “Sekretar i Parë“, etj. Pastaj, ata nuk kanë lënë temë pa u prononcuar ndonëse pa ua kërkuar kush, “nga fara e kosit, kulinaria e deri te mbarështrimi i gjedhit“!
Atëhere si shpjegohet ky memecllëk? Vërtet që Berrisha është « non-grata » por kjo nuk ka pse të ishte pengesë për një njoftim shtypi sado të thatë dhe diplomatik. E keqja është se ky indiferentizëm diplomatik në Tiranë dhe në metropolet Euro-Atlantike ndodh në një kohë përbetimesh për forcimin e demokracisë. Mirëpo, ky memecllëk nuk i shërben demokracisë por vetëm statuskuosë, autokracisë dhe stabilokracisë.
2.Zelenski në Londër, Paris dhe Bruksel! Pas Washingtonit, vizita e tij në Londër, Paris dhe Bruksel më 8 – 9 Shkurt ishte mesazh tejet domethënës për Ukrainën, Rusinë dhe komunitetin ndërkombëtar; se një vit pas agresionit rus, Ukraina dhe qeveria e saj nuk janë të izoluar, përkundrazi, ata kanë mbështetjen e parezervuar të Aleancës Perendimore dhe popujve kudo në botë ; të izoluar vazhdojnë të jenë Rusia dhe Putini ; këta të fundit, në prag të përvjetorit të parë të agresionit të tyre të paprovokuar vërtetuan se ”i kishin bërë hesapet pa hanxhinë” në çdo aspekt, dhe atë ushtarak; sa për imazhin e Rusisë, për ”faqe te zezë! Ndaj, ajo po e ”paguan si frëngu pulën » aventurën e saj. Pas Uashingtonit, kjo u pa qartë gjatë takimeve&fjalimeve të Zelenskit në Londër, Paris dhe Bruksel. Këto vizita treguan se përballë shpresave ruse për përçarjen ose lodhjen e Perëndimit, uniteti dhe kohezioni i tij mbetet i pandryshuar. Në aspektin vendimtar ushtarak është kaluar në livrimin e tankeve më të fuqishme amerikane, gjermane dhe britanike; tani po flitet për avionë luftarakë modernë që do të jenë shkatërrues për ushtrinë dhe operacionet ruse. Perëndimi e ka kuptuar drejt se tani nuk bëhet më fjalë thjesht dhe vetëm për mbrojtjen e një vendi sovran si Ukraina, por dhe të vlerave të paqes, sigurisë dhe demokracisë perendimore. Prania e Zelenskit në Samitin e BE-së në Bruksel foli më mirë dhe më qartë se gjihçka tjetër.
3.BE-ja është me Ukrainën! Ky slogan i kthyer në realitet u pa dhe më qartë në Samitin BE – Ukrainë në Kiev më 2 – 3 Shkurt dhe në atë të BE-së më 9-10 Shkurt në Bruksel, me mikpritjen, vlerësimin dhe brohoritjet e vazhdueshme pas fjalimeve të Presidentit ukrainas aty dhe në Parlamentin Europian. Krahas livrimit të pajiseve dhe armatimeve të rënda ushtarake, BE-ja vendosi të trajnojë 30.000 ushtarakë ukraina nga 15.000 të planifikuar fillimisht. Ndërkohë, më 24 Shkurt, ditën e përvjetorit të parë të agresionit, BE-ja do t’i “ dhurojë” Rusisë Paketen e 10-të plot me sanksione ekonomike, etj. Po ashtu, BE-ja do të shqyrtojë mundësitë e përshpejtimit të procedurave të negociatave të antarësimit të Ukrainës, etj.
4.Asosiacioni si ” Gozhda e Beogradit”
Në fakt, nga lashtësia fraza është si “ gozhda e Nastradinit”, por tani e Beogradit. E kemi fjalën për pengesën, provokimin dhe privimin serioz që po i bëhet Kosovës e ku me siguri do të “ ngecë sharra në gozhdë” – urgjenca dhe ultimatumi ndërkombëtar për krijimin e Asosiacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Një “patate e nxehtë” që kërkon kujdes, durim dhe profesionalizëm, që të mos kthehet në “ mollë sherri” madje ca më keq akoma në “ minë me sahat!”. Në shkrimet e botuara dhe te “ ARGUMENTUM” janë bërë të qarta dyshimet, frika dhe sensibilitetet e mëdha e të drejta negative lidhur me një asosiacion një etnik dhe me kompetenca ekzekutive, çka do të përsëriste skenarin boshniak. Pa u zgjatur, nëse SHBA-të dhe BE-ja duan që kjo çështje të përshpejtojë dhe ndihmojë, por jo të pengojë e të marrë peng gjithë procesin, siç do pala serbe, Asosiacioni nuk do trajtuar dhe përfshirë si parakusht, si preambul apo shënim në fund të faqes, as veç marrëveshjes në fjalë; por, vetëm si pjesë përbërëse, bashkë me marrëveshjet e tjera të pazbatuara.
Në vend të tyre dhe retorikave boshe, me mbështetjen e BE dhe SHBA-ve, qeveritë e të dyja vendeve të krijojnë grupe pune dhe ekspertësh, për ta shqyrtuar hollësisht këtë problem dhe për të arritur me konsensus të plotë në një tekst të pranueshëm. Vetëm kështu, Asosiacioni nuk do të kthehet në një “ Gozhdë Nastradini por tani të Beogradit” për provokime të mëtejshme, të cilat do të hidhnin në erë gjithë demarshet e deritanishme.
5.Diplomacia e Tërmetit! Po bie në sy pas tërmetit shkatërrimtar të 6 Shkurtit në Turqi dhe Siri, me pasojat tashmë të njohura tragjike njerëzore, materiale dhe financiare. “ Diplomacia e krizës” dhe në rastin tonë “ Diplomacia e Tërmetit po ndihmon të dy vendet e goditura. Duke lënë mënjanë grindjet, pretendimet, dhe akuzat e ndryshme. Shihni Greqinë si la gjithçka mënjanë dhe po dërgon ndihma të shumta e të vlerësuara. Kështu po ndodh dhe me vende të tjera që kanë probleme me Ankaranë, si Suedia, ndonëse Erdogani ia bllokoi antarësimin në NATO, etj.
Këtë dimension njerëror e pamë së fundmi në funksion të plotë si “ diplomacia e koronës” ku Turqia u shqua. Problemi është përse duhen pritur fatkeqësi të tilla natyrore për të reflektuar mbi diplomacinë klasike. Përse kjo qasje pozitive dhe pajtuese nuk bëhet “ mënyrë jetese” dhe normë në diplomacinë e sotme? Sa shumë jetë njerëzish, fonde dhe përpjekje do ishin shpëtuar dhe kursyer!
Ja pse është momenti për reflektim, që diplomacia e përditshmërisë të mendojë dhe veprojë e motivuar si në gjendje krize dhe fatkeqësish natyrore!.
© 2023 Argumentum