Të ndodhur në udhëkryq, të shumtë janë ata që zgjedhin rrugën më të shkurtër.
Vitin e shkuar 213 persona në Shqipëri sipas Institutit të Statistikave i kanë dhënë fund jetës. 14 më shumë se në 2017. Vetëvrasjet thonë sociologët reflektojnë krizën që po kalon shoqëria.
“Nuk është vetëm me komponent material, por është edhe me komponentë të rëndësishëm imaterialë, siç janë ato psikologjikë dhe shpirtërorë. Kanë krijuar një situatë eksplozive, e cila reflektohet pastaj në kapitullimin e shumë njerëzve përpara këtyre fatkeqësive dhe që gjejnë mënyrën më të lehtë për t’iu larguar telasheve të jetës siç është vetëvrasja.
Ka shenja që bëhet më intensive sepse edhe problemet e përballimit të jetës nuk janë të lehta”, tha Gëzim Tushe.
Numri më i lartë i vetëvrasjeve është regjistruar tek burrat, 148, në raport me gratë, 65. Sociologët kanë një shpjegim dhe për këtë.
“Gratë janë më të qëndrueshme, më rezistente, janë më të afta për t’u orientuar në këtë terren likuid të rrëshqitshëm të realiteteve të sotshme. Mendojnë më gjatë, i marrin vendimet më të peshuara, ndërsa tek meshkujt kjo është edhe një rezultat i ngutjes që kanë në vendimmarrje. Por kjo është edhe me një arsye tjetër sepse meshkujt në shoqërinë shqiptare janë përdorues të gjerë të lëndëve psikotrope, të alkoolit, të drogës, të cilat kanë efekte degraduese”, tha Tushe.
Sociologët apelojnë për forcim të rolit të familjes. Shmangia e turpit dhe drejtimi tek psikologu sipas Tushit do të evitonte veprimin fatal.