Nga Medlir Mema*
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar ditët e fundit që presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar zhvendosjen e 100,000 palestinezëve nga Gaza. Ndër vëndeve të ndryshme të propozuara si një destinacion të mundshëm për ta, Trump ka propozuar Egjiptin, Jordaninë, Indonezinë, dhe së fundmi, Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama ka mohuar vërtetësinë e këtij lajmi. Gjithsesi, shqetësimet serioze etike, ligjore, dhe gjeopolitike që ky zhvillim mund të sjellë për Shqipërinë, kërkon një reagim të menjëhershëm politik, institucional, si edhe shoqëror.
Ideja e zhvendosjes së palestinezëve nga Rripi i Gazës, ndonëse i paraqitur si një gjest humanitar, në realitet krijon një precedent të rrezikshëm që legjitimon zhvendosjen e detyruar dhe nuk zgjidh aspak krizën themelore në Gaza. Nëse Shqipëria pranon një propozim të tillë, ajo do të bëhej bashkëpunëtore në një përpjekje që bie në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, ndërsa do të ekspozohej ndaj rreziqeve politike, sociale dhe të sigurisë.
Rreziqet Ligjore dhe Gjeopolitike për Shqipërinë
Zhvendosja e detyruar e palestinezëve nga Gaza nuk është një zgjidhje humanitare dhe mund të konsiderohet një thyerje e drejtpërdrejtë e së drejtës ndërkombëtare. Ligji ndërkombëtar, përfshirë këtu Neni 49, paragrafi i parë, i Konventës së IV të Gjenevës të vitit 1949 parashikon: “Transferimet e detyruara individuale ose masive, si dhe deportimet e personave të mbrojtur nga territori i pushtuar në territorin e Fuqisë Pushtuese ose në atë të ndonjë shteti tjetër, të pushtuar apo jo, janë të ndaluara, pavarësisht nga motivi i tyre.”
Nëse Shqipëria pranon këtë plan, ajo, dhe udhëheqësit politik të saj, do të konsiderohen bashkëfajtore për veprime që bien drejtëpërdrejtë nën jurisdiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Për më tepër, pranimi i 100,000 palestinezëve do ta vinte Shqipërinë në një pozitë të vështirë diplomatike. Shumë vende arabe dhe myslimane do ta shihnin këtë si një akt bashkëpunimi në atë që ata konsiderojnë si një strategji të Izraelit për zhvendosjen e detyruar të palestinezëve.
Shqipëria ka ruajtur tradicionalisht marrëdhënie të mira si me aleatët perëndimorë, ashtu edhe me vendet me shumicë myslimane—një ekuilibër që mund të prishet nëse bëhet pjesë e këtij plani të sponsorizuar nga SHBA dhe forcat ekstreme të qeverisë së Izraelit.
Përballja me Pasojat Ekonomike dhe Shoqërore në Shqipëri
Përveç implikimeve të gjera gjeopolitike, pranimi i 100,000 palestinezëve do të kishte ndikime të mëdha në ekonominë dhe kohezionin shoqëror të Shqipërisë.
Shqipëria, me një popullsi prej rreth 2.8 milionë banorësh, nuk ka kapacitetin ekonomik për të integruar një numër kaq të madh refugjatësh brenda një kohe të shkurtër. Kostoja e strehimit, kujdesit shëndetësor, arsimit dhe punësimit për një grup kaq të madh njerëzish do të ishte e jashtëzakonshme dhe mund të rëndonte ndjeshëm mbi buxhetin shtetëror dhe infrastrukturën tashmë të brishtë të vendit.
Për më tepër, ka rrezik që një valë kaq e madhe emigrantësh të krijojë tensione shoqërore, veçanërisht në një kontekst ku Shqipëria vetë përballet me emigracion të lartë të të rinjve të saj në vendet perëndimore për shkak të mungesës së mundësive ekonomike.
Nëse integrimi i refugjatëve nuk menaxhohet siç duhet, mund të lindin ndjenja pakënaqësie dhe konflikte midis popullsisë vendase dhe të ardhurve të rinj, veçanërisht në lidhje me konkurrencën për vende pune dhe shërbime publike. Kjo mund të çojë në rritje të tensioneve etnike dhe sociale, duke e bërë situatën edhe më të ndërlikuar për stabilitetin e brendshëm të Shqipërisë.
Rreziqet e Sigurisë: Kush Po Zhvendoset?
Një aspekt tjetër shqetësues i këtij propozimi është mundësia që mes 100,000 të zhvendosurve, SHBA dhe Izraeli mund të synojnë të dëbojnë ata që i konsiderojnë “elementë ekstremë.” Nëse Izraeli planifikon ta përdorë këtë zhvendosje si një mënyrë për të dëbuar ata që i sheh si kërcënim të sigurisë, atëherë Shqipëria do të trashëgonte një problem që Izraeli dëshiron ta eliminojë.
Kjo ngre pyetje të rëndësishme: A do të ketë Shqipëria kapacitetin për të verifikuar personat që po vijnë? Çfarë ndodh nëse të dëbuarit vendosin të protestojnë dhunshwm zhvendosjen e tyre? Rreziku i importimit të radikalizmit—qoftë real apo i perceptuar—mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë e brendshme të Shqipërisë.
Për më tepër, sikurse ështe konstatuar edhe në rastin e zhvendosjes së 3000 muxhahadinëve (MEK) nga Irani, nëse Shqipëria shihet si një vend që pranon të dëbuarit, ajo mund të bëhet shënjestër për grupe ekstreme ose të përfshihet në konflikte të reja të padëshiruara.
Zhvendosja e Detyruar Nuk Zgjidh Krizën
Shkaku kryesor i katastrofës humanitare në Gaza nuk është dendësia e popullsisë, por mungesa e vullnetit politike të aktorëve në rajon. Edhe nëse 100,000 palestinezë largohen nga Gaza, çfarë ndryshon? Zhvendosja e një pjese të popullsisë nuk do të zgjidh padakordësitë, nuk do të rindërtojë infrastrukturën e shkatërruar dhe nuk do të sjellë drejtësi për izraelasit e vrarë dhe të marrë peng ne tetor 2023, apo për mijëra palestinezë të vrarë në ofensivat e fundit ushtarake.
Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të përqndrohet në largimin e palestinezëve nga Gaza, por në sigurimin e të drejtës së tyre për të jetuar atje me dinjitet, siguri, vetëqeverisje, dhe në paqe me fqinjët e tyre, përfshirë këtu Izraelin. Shqipëria dhe vendet e tjera duhet të vazhdojnë të mbështesin armëpushimin në efekt dhe një proces paqeje të qëndrueshëm që respekton të drejtat e palestinezëve dhe izraelitëve për të jetuar në paqe.
Përfundimisht, Shqipëria nuk ka asnjë detyrim—ligjor, moral apo strategjik—për të pranuar 100,000 palestinezë të dëbuar me forcë nga Gaza. Pranimi i një plani të tillë do ta bënte Shqipërinë bashkëpunëtore në shkeljen e të drejtave të njeriut, do të dëmtonte marrëdhëniet e saj ndërkombëtare dhe do të krijonte rreziqe të mëdha sigurie. Më e rëndësishmja, ky veprim nuk do të zgjidhte asgjë—përkundrazi, do të krijonte iluzionin e një zgjidhje pa krijuar kushtet e nevojshme për një paqe të qëndrueshme.
Në vend që të lehtësojë zhvendosjen e detyruar, Shqipëria dhe komuniteti global duhet të qëndrojnë kundër çdo përpjekjeje për të dëbuar palestinezët nga toka e tyre. Fokusimi duhet të jetë në arritjen e paqes, drejtësisë dhe rindërtimin e Gazës. Pranimi i transferimeve të detyruara nuk është humanizëm—është bashkëpunim në padrejtësi. Dhe Shqipëria duhet ta refuzojë këtë plan pa asnjë hezitim.
*Global Governance Institute (Instituti per Qeverisje Globale)