Nga Dr. Jorgji KOTE
Këtë ndjesi ke për autorin, ish Ambasadorin Mal Berisha, sapo mbaron të lexuari librin e tij më të fundit “ Ambasador i Pushtetit të Butë”. Një botim dinjitoz nën kujdesin e një kaste prestigjioze – Prof. Gjovalin Shkurtaj, Botuesi elitar Bardhyl Musaj dhe fotografi VIP, Fadil Berisha. Me vlerësime nga personalitete shqiptare – gazetarët e “ Zërit të Amerikës” Ilir Ikonomi dhe Ilirian Agolli, studiuesi dhe diplomati Bejtullah Destani, botuesi i gazetës “ The Albanian” Petrit Kuçana, me një Parathënie mbresëlënëse të ish Ministrit të Jashtëm dhe ish Ambasadorit Besnik Mustafaj. “Qershiza mbi tortë” janë konsideratat e larta të krijuesit të “ pushtetit të butë”, Prof. Joseph Nye dhe padyshim një prej njohësve më autoritarë të çështjes shqiptare, Sir Noel Malcolm.
“ Soft power” është shtjelluar nga një personalitet i vërtetë, i kualifikuar për një sfidë të tillë, i cili e ka shfaqur zellin dhe dellin e rrallë për diplomaci kulturore në të gjitha misionet dhe funksionet e tij në 30 vitet e fundit – Konsull në Stamboll, aktivist i shquar i çështjes shqiptare në SHBA, zyrtar në UNMIK në Prishtinë, drejtor i Përgjithshëm në MPJ, dhe Ambasador në Londër më 2012-2015. Publicist brilant, me 7 libra dedikuar personaliteteve të shquara të huaja, përkthime, ligjërata të mbajtura në audienca elitare, intervista televizive kudo në botë, etj.
Libri “të thith” me tematikën e larmishme, gjeografinë transatlantike dhe galerinë tejet të pasur me portrete personazhesh dhe personalitetesh rrezatuese; të të gjitha kohrave, qytetërimeve, kontinenteve dhe fushave nga më jetiket.
Atë e përshkon tej e përtej mendimi i Joseph Nye se “thelbi i pushtetit të butë qëndron në aftësinë për të bindur të tjerët që të ndjekin rrugën dhe shembullin tënd, jo me forcën e armëve, parasë, kodeve, traktateve, madhësisë gjeografike, GDP-së dhe sanksioneve ekonomike, por nëpërmjet arsyes, forcës tërheqëse dhe bindëse.”
Autori ia ka dalë të shpjegojë me shembuj të thjeshtë por kuptimplotë konceptin dhe praktikën e “pushteti i butë” Kjo fuqi e madhe, e cila përcillet nëpërmjet kulturës, demokracisë dhe diplomacisë përfaqëson një mision të madh fisnik, për përmirësimin dfhe promovimin e imazhit ndërkombëtar, të vlerave dhe traditave më të mira në shekuj, të hapjes ndaj artit, letërsië dhe kulturës ndërkombëtare.
Në 500 faqet e këtij libri, Mal Berisha shfaqet bindshëm si model, mjeshtër dhe mishërues i “ pushtetit të butë”. Ai është ndër ata të paktë ambasadorë të 30 viteve të fundit që ka shërbyer dhe shkëlqyer në këtë fushë, krahas Besnik Mustafaj, Pëllumb Xhufi, Luan M.Rama, Ylljet Aliçka, Visar Zhiti, Genc Muçaj, Flamur Gashi dhe ndonjë tjetër.
I shkruaj këto radhë me avantazhin e përvojës diplomatike, me sfidat e vështirësitë e panumurta në këtë fushë me ndjeshmëri të lartë publike, sidomos për vende të vogla si Shqipëria; veç kësaj, kam patur fatin ta njoh autorin e librit 43 vite më parë, kur punonte në shtëpinë e kulturës në Burizanë dhe Laç. E njoha dhe më nga afër kur punuam bashkë në MPJ në vitet 2008 -2011 dhe në vazhdim.
Më tej, nëpërmjet shembujve dhe ndodhive pikante dalin qartë komponentët kryesorë që e bëjnë të besueshëm pushtetin e butë si janë imazhi, solidariteti, mirësia, revokimi i vlerave dhe traditave tona më të mira dhe lehtësimi i halleve të njerëzve të thjeshtë. Ambasador Berisha e ilustron këtë ide më së miri duke filluar nga kujdesi për Arturin, shoferin hallexhi të Konsullatës në Stamboll, Shehrien e vogël Glogovci e mbetur jetime, Dritën, bashkëshorten e Artistit të Popullit Kadri Roshi, e shtruar në spital dhe shumë qytetarëve të tjerë për kurim në Turqi; për të kaluar në stade më të larta, si promovimi i artit, letërsisë dhe traditive tona muzikore; në Londër këtë mision e filloi qysh me dhuratën për Mbretëreshën Elisabeta II gjatë dorëzimit të Letër Kredencialeve; një lahutë në filigram që u bë dhe “ aperitivi” i bisedës miqësore me Madhërinë e saj. Ashtu sikurse nderimi për veprën e Sami Frashërit, duke çuar lule në vend prehjen e tij dhe një ditë përpara përfundimit të shërbimit diplomatik në Stamboll, interesimin për homazhet e Nënë Terezës, nderimin e Jeronim De Rada, takimin me të mbijetuarën e Holokaustit Scarlet Epstein, Gjeneralin e famshëm që drejtoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, W. Clark, stërmbesën e Kutuzovit legjendar, balerinën Anna Dwyer, vizitat në qytetin e lindjes së Shekspirit dhe gjigandëve të tjerë të letërsisë britanike, të artistëve të tjerë shqiptarë të huaj.
Në këtë udhëtim të gjatë rajonal, europian dhe transoqeanik, Kosova ka qenë kryetema qendrore e aktivitetit të tij si diplomat, duke filluar nga Stambolli, për t’u intensifikuar më shumë në New Jersey, ku ai u bë aktivist i spikatur me Shoqatën “ Vatra” , me Ligën Qytetare Shqiptaro – Amerikane, pjesëmarrës në debate televizive, pritjen e emigrantëve nga Kosova në Bazën ushtarake Fort Dix , takime dhe vizita në Prishtinë dhe gjetkë me kongresmenët e shquar Dioguardi, Lantosh, Bob Dole, McCain, Gilman, me bashkëatdhetarin dhe drejtorin emblemaik të “ Zëri i Amerikës”, Elez Biberaj dhe të tjerë. Për të punuar disa vite si zyrtar në UNMIK në Prishtinë dhe më vonë në MPJ në Tiranë; ishte ndër ata diplomatë që iu caktuan detyra të rëndësishme në fushatat për njohjen e pavarësisë së Kosovës në konferenca dhe shumë vende të botës. Gjithashtu, ai ishte i pranishëm në shpalljen e vendimit të GJND më 2010 që njohu pavarësinë e Kosovës, në disa debate me ambasadorë dhe ministra të jashtëm serbë, grekë, etj dhe në takime në burgun e Hagës me ish Kryeministrin Haradinaj, etj. Me një rreth të gjerë miqsh dhe personalitetesh të Kosovës, duke filluar nga patrioti i shquar Enver Tali në Stamboll, Bejtullah Destani në Londër, pushtetarë të lartë në Prishtinë dhe gjetkë.
Duke shfletuar librin bindesh se “pushteti i butë” nuk bëhet me ligjërata, deklarata dhe përbetime, por me veprimtari të përditshme, kudo, në pritje protokollare, koncerte, takime spontane, mesazhe, ku siç thotë Mal Berisha në hyrje të librit “ syrit dhe veshit të të diplomatit nuk duhet t’i shpëtojë asgjë”
“Pushteti i butë” është zanat që kërkon pasion, zell dhe profesionalizëm, por dhe guxim, fantazi dhe vendosmëri. Autori jep plot shembuj, si ai ku tregohen peripecitë e shumta deri në minutën e fundit për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Londër në Nëntor 2012, me nismën e tij personale; duke përballuar vetë dhe shpenzimet e rastit, për shkak të burokracive të administratës sonë. Po ashtu, të organizosh tre vite rresht javët e kulturës shqiptare “ Notes on Albania” në Londër me artistë me famë ndërkombëtare – Ermonela Jaho, Inva Mula, Saimir Pirgu, Rita Ora, Klejdi Kadiu, Bashkim Ahmeti, Mirish Kabashi, Genc Tukiçi, etj, kërkon njohje, kohë, energji dhe lidhje të shumta.
Do theksuar se për Malin, dhe udhëtimet që bënte kudo, siç ishte rasti i Kalabrisë, me rastin e vendosjes së bustit të Skënderbeut në Minixhufuni, në Sarajevë dhe gjetkë nuk ishin shetitje turistike, por mundësi të arta për të shtuar rrjetin e kontakteve dhe për të krijuar ide e mundësi të reja për diplomacinë publike.
Pjesë e pandarë e veprimtarisë së tij diplomatike ishte ndjekja dhe promovimi i aktivitetit të personaliteteve të shquara të huaja që kanë bërë shumë për vendin tonë. Jo vetëm evokimi, por dhe rivlerësimi i rolit të tyre të mohuar ose të anashkaluar, kontaktet me pasardhësit e tyre, për t’i kujtuar dhe nderuar ata, siç i ka hije popullit tonë. Falë këtij pasioni, ai u vu në gjurmët e veprimtarisë në mbështetje të vendit tonë të Kolonel Aubrey Herbert, ish deputet i Parlamentit britanik dhe diplomat; ai ka luajtur një rol të madh në njohjen e pavarësisë sonë, nëpërmjet krijimit më 1912 të Komitetit të Shqiptarve, i cili që më 1918 u kthye në Shoqatën Shqiptaro-Britanike. Koloneli Herbert shërbeu dhe si Këshilltar i delegacionit tonë në Konferencën e Paqes në Paris. Pas vdekjes së tij të parakohshme, çka e pamundësoi një projekt për kurorëzimin si Mbret. Salla e Ambasadës në Londër mban emrin e tij dhe bashkëpuntores besnike, mikeshës së madhe të shqiptarëve, Edith Durham. Sipas amanetit që la, veprën e tij fisnike shumëplanëshe në Kavajë dhe gjetkë e vazhdoi nëna e vet, Kontesha Carnarvon; “ Nëna e kombit shqiptar” siç është konsideruar, ndihmoi me të gjitha lidhjet, mjetet dhe format në luftën kundër malarjes, varfërisë, analfabetizmit, etj, derisa vdiq më 1929. Ka një moment tejet emocionant në libër kur tregohet stërnipi i tij, Koloneli Edward Melotte duke hyrë si çlirimtar me tank në Kosovë më 12 Qershor 1999, duke deklaruar solemnisht se ishte stërnipi i mikut të madh të shqiptarëve. Ai shërbeu dhe në Ambasadën britanike në Tiranë si Atashe ushtarak gjatë viteve 2016 – 2019.
Kështu ka vepruar autori dhe me mikun e shquar amerikan, pastorin Charles Telford Erickson, i cili zhvilloi për gati 30 vjet veprimtari bamirësie në Shqipëri. I ka vizituar dhe shtëpitë ku ai ka jetuar, ka hulumtuar në bibliotekat për të gjetur sa më shumë dokumenta arkivore së bashku me përkthimin dhe promovimin e librit mbi jetën e tij në Tiranë, në prani dhe të pasardhësve të C. Telford Ericson.
Ndërkohë, krahas konstatimit dhe evidencimi të fakteve, Ambasadori Mal Berisha bëri të pamundurën, mes burokracish dhe pengesash të shumta që të ngrinte në piedestal emrin dhe veprën e Charles Telford Erickson dhe të tjerëve si ai. Me libra, përkthime, me thirje nëpër media dhe televizione, por dhe me ndërhyrje energjike, derisa u ngrit busti dhe i dhanë emri i tij Shkollës së Mesme Bujqësore në Kavajë që Erickson e kishte hapur më 1925.
Vlen të përmendet se kjo veprimtari e pasur bëhej në kushte tejet të vështira për Mal Berishën, mbasi MPJ-ja, pas vitit 2013 i kërkonte me çdo kusht të jepte dorëheqjen e parakohshme, sepse ishin bërë listat gati. Por Mali punoi me një qetësi dhe durim të madh, pa lenë asgjë mangut, derisa e shtrënguan të kthehej në Atdhe; për të dytin herë rresht e lanë pa punë, kur gjetkë, një personaliteti të tillë çfarë nuk do t’i ofronin vetëm të qëndronte dhe ca! Dhe të mendosh se vetëm në 1358 ditë në Londër u zhvilluan plot 140 veprimtari promovuese të cilësisë dhe formatit tejet të lartë, një rekord i vërtetë që vështirë të thyhet! Ama, pa lenë pasdore asnjë detyrë tjetër të një Ambasadori të denjë!
Megjithatë, Mali vazhdon me po atë pasion dhe profesionalizëm misionin e tij në Atdhe, Prishtinë, në SHBA, Londër, Romë, Gjenevë, kudo, ku e ftojnë të ligjërojë mbi hebrejtë, mbi Kosovën, etj. Ai shkruan, flet dhe vepron parreshtur, me përvojën dhe fisnikërinë e tij e një malsori kreshnik, me staturën, qetësinë, finesën, elegancën, timbrin e butë dhe karakteristik të zërit; mbi të gjitha, me atdhedashurinë e treguar në të 7 dekadat e jetës së tij.
Ndaj, me të drejtë, duke iu referuar modelit ambasadorial Mal Berisha, ndër të tjera, gazetari i mirënjohur Arben Manaj, vitin e kaluar do të shprehej se “ më ka marrë malli kadarean për Ambasadën shqiptare në Londër …pa mëdyshjen më të vogël, siç e pranojnë të gjithë, pasi pavarësisht se me të mund të mos mendonim njësoj, prapseprapë ndiheshim shumë, ama shumë shqiptarë, të përfaqësuar denjësisht në Londër. Përfaqësoheshim nga një shqiptar që na mungon përmallshëm”
Ndërsa Prof. Joseph Nye shkruan se “në takimin me Ambasadorin Mal Berisha më bëri shumë përshtypje mënyra se si e shprehte përvojën e tij aq thjeshtë dhe po aq të sofistikuar. Ai duket se e përdorte forcën e pushtetit të butë, një mënyrë mendimi që unë vetë e kam krijuar, tërësisht në dobi të çështjes shqiptare.”
© 2022 Argumentum