Presidenti rus Vladimir Putin ka hedhur një akuzë të drejtpërdrejtë duke pretenduar se mercenarë nga Shqipëria kanë shkuar në Ukrainë për të luftuar, sipas “La Repubblica” të premten. Në bisedën telefonike të Putinit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ai u ankua se Ukraina po ndihmohet nga vende të tjera si Shqipëria, Kroacia, Kosova, por edhe xhihadistët me përvojë në operacionet ushtarake në Siri.
“Në Ukrainë po shohim gjithnjë e më shumë mercenarë nga vendet e treta, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, ushtarakë nga Kosova dhe madje edhe xhihadistë me përvojë të operacioneve ushtarake në Siri”, tha Putin në një bisedë me kancelarin gjerman Olaf Scholz sipas burimit të mësipërm. Ky është një akuzë e përsëritur nga autoritetet më të larta ruse që akuzojnë Shqipërinë se gjoja ka ndihmuar Ukrainën me mercenarë, gjë që është refuzuar nga Tirana zyrtare. Disa vende evropiane po lejojnë ‘vullnetarët’ të jenë pjesë e një njësie të ngritur në Ukrainë të përbërë nga ushtarakë të huaj.
Ligjet e Shqipërisë nuk i lejojnë ushtarakët e saj të jenë pjesë e forcave ushtarake në vende të tjera.Kryeministri Edi Rama ka thënë se qeveria shqiptare po ndihmon Ukrainën, por ai nuk ka dhënë detaje mbi llojin e ndihmës që u jepet forcave të armatosura ukrainase. Komenti për këtë çështje bërë nga vetë Putini është dëshmi e një armiqësie në rritje midis Rusisë dhe Shqipërisë, e cila ka sponsorizuar me SHBA-në rezolutën e paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e vënë veton nga misioni i përhershëm rus në OKB në Nju Jork. Gjithashtu Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka në takimin me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s bëri thirrje ‘të bëjnë më shumë’ për të ndihmuar Kievin kundër rusëve./ Argumentum.al