Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka propozuar emërimin e një administrate të përkohshme në Ukrainë për mundësimin e zgjedhjeve demokratike dhe zhvillimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës, transmeton Anadolu.
Putin foli gjatë një aktiviteti të mbajtur në portin në qytetin rus Murmansk, ku ai mbrojti idenë se nuk e filluan ata luftën në Ukrainë.
“Konfliktet nisën me grushtin e shtetit të vitit 2014 në Ukrainë, i cili u mbështet nga vendet perëndimore”, theksoi presidenti Putin.
Duhet të ketë një administratë legjitime në mënyrë që me Ukrainën të zhvillohen negociata. “Si parim, në Ukrainë mund të krijohet një administratë e përkohshme nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB), SHBA-së, vendeve evropiane dhe partnerëve tanë”, tha Putin.
Ai shpjegoi se në këtë mënyrë, një qeveri e mbështetur nga populli mund të vijë në pushtet në Ukrainë. “Kështu, duke mbajtur zgjedhje demokratike, mund të sillet në pushtet një qeveri kompetente dhe e besueshme që ka besimin e popullit dhe më pas mund të fillojnë negociatat për marrëveshjen e paqes me ta”, deklaroi presidenti rus.
Pasi vuri në dukje se OKB-ja ka kryer më parë punime të ngjashme në Jugosllavi dhe Papua Guinenë e Re, Putin tha se “Kjo mund të jetë gjithashtu një nga opsionet në Ukrainë. Në këtë mënyrë, do të jetë e mundur të nënshkruhen dokumente legjitime që do të njiheshin dhe do të besoheshin në mbarë botën”.
Putin shtoi se presidenti amerikan Donald Trump dëshiron “sinqerisht” t’i japë fund konflikteve.
Sqarimi i Peskov
Ideja e presidentit rus Vladimir Putin për qeverisjen e jashtme për Ukrainën është thjesht hipotetike në këtë pikë, kështu që është e parakohshme të flitet për ndonjë detaj, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Presidenti theksoi se kjo është vetëm një ide që ia vlen të merret në konsideratë. Sa i përket detajeve të saj, presidenti nuk dha detaje dje, siç e dini. Dhe ndoshta është shumë herët për të diskutuar për këtë,” shpjegoi ai gazetarëve.
Më herët, lideri rus tha se qeverisja e jashtme është prezantuar më parë globalisht dhe se kjo praktikë mund të hapë rrugën për bisedime legjitime për zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës. Ai iu referua rasteve të përdorimit të këtij mekanizmi nën kujdesin e OKB-së në Timorin Lindor, Guinenë e Re dhe pjesë të ish-Jugosllavisë. Sipas Putin, plani i tij mund të diskutohet me Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane dhe aleatët e Rusisë dhe vendet e tjera mike.
/Argumentum.al