Presidenti rus, Vladimir Putin, në një takim me homologun e tij palestinez, Mahmoud Abbas, ka theksuar se Rusia dëshiron një zgjidhje të drejtë të çështjes palestinezo-izraelite në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë bisedimeve në kryeqytetin Astana të Kazakistanit, në margjinat e samitit të gjashtë të Konferencës mbi Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA), presidenti rus i tha presidentit palestinez se Rusia ka një “qëndrim parimor të bazuar në rezolutat themelore të OKB-së dhe ai qëndrim mbetet i pandryshuar”.
Putin tha se Moska vazhdon të monitorojë nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Lidhur me bashkëpunimin dypalësh me Palestinën, Putin tha se duhet bërë “shumë” për të përmirësuar lidhjet ekonomike.
Abbas, nga ana e tij, përshëndeti qëndrimin e Rusisë për zgjidhjen palestinezo-izraelite.
“Ne besojmë dhe e dimë se Rusia ka një qëndrim të qartë për zgjidhjen dhe jam absolutisht i sigurt se ai (qëndrim) nuk do të ndryshojë kurrë. Ne e dimë shumë mirë se Rusia qëndron për drejtësinë, për të drejtën ndërkombëtare”, tha Abbas.
Ai theksoi nevojën për një rol më të madh të Kuartetit të Lindjes së Mesme, i cili përbëhet nga OKB-ja, SHBA-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe Rusia.
Sipas tij, grupi duhet të marrë drejtimin në zgjidhjen palestinezo-izraelite, në vend të një vendi apo organizate individuale.
“Ne nuk duam që Amerika, nën asnjë pretekst, të angazhohet e vetme në zgjidhjen e problemit palestinez. Ajo mund të jetë pjesë e kuartetit, të luajë një rol atje, por ne kurrë nuk do të pranojmë monopolizimin e çështjes së zgjidhjes”, tha Abbas.
Ai po ashtu theksoi krizën ushqimore në Palestinë dhe kërkoi që Rusia të përshpejtojë dërgesat e drithërave.