Sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Moskës janë si një shpallje lufte, tha presidenti rus Vladimir Putin.
Duke folur në një takim me gratë punonjëse të disa linjave ajrore ruse përpara Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 Mars, Putin tha se shumë probleme me të cilat përballet Rusia janë mjete lufte kundër vendit.
“Shumë nga ato që po ndodhin, ato me të cilat po përballemi, janë mënyra për të luftuar Rusinë. Sanksionet që po vendosen janë të ngjashme me një shpallje lufte, por, falë Zotit, ende nuk kemi ardhur deri këtu”, tha Putin.
Putin paralajmëroi se çdo përpjekje për të krijuar një zonë të ndaluar për fluturime mbi Ukrainë do t’i bashkohej konfliktit.
“Tani dëgjojmë se është e nevojshme të caktohet një zonë ndalim-fluturimi mbi territorin e Ukrainës. Është e pamundur të bëhet kjo në vetë territorin e Ukrainës, është e mundur vetëm në territorin e disa shteteve fqinje”, theksoi presidenti rus.
“Çdo hap në këtë drejtim do të konsiderohet nga ne si pjesëmarrje në konfliktin e armatosur të vendit nga territori i të cilit do të krijohen kërcënime ndaj ushtarakëve tanë”, shtoi ai.
“Menjëherë do t’i konsiderojmë si pjesëmarrës të konfliktit ushtarak dhe nuk ka rëndësi se në cilat organizata janë anëtarë”, theksoi Putin.
Putin përsëriti se Rusia nuk mund të mos i marrë parasysh deklaratat e zyrtarëve ukrainas për synimet e tyre për të zhvilluar armë bërthamore, duke thënë se fqinji i saj mund të bëhet shpejt fuqi bërthamore me trashëgiminë sovjetike dhe ndihmën perëndimore.
“Ukraina ka pasur kompetenca bërthamore që nga koha sovjetike. Dhe sa i përket pasurimit dhe elementeve bërthamore, ata mund ta organizojnë këtë punë. Përveç kësaj, Kievi ka kompetenca raketore. Dhe atje, nga përtej oqeanit, ata gjithashtu do të ndihmojnë për ta bërë këtë”, u shpreh Putin.
“Ne kërkojmë çmilitarizimin e vendit, sepse duam të kuptojmë qartë se cilat armë ku janë dhe nën çfarë kontrolli”, tha ai.
Në fjalët e tij në vijim, presidenti rus tha se synimi i Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n mund të çojë gjithashtu në pasoja të rënda.
“Qëllimet e operacionit rus në Ukrainë janë denazifikimi dhe çmilitarizimi i vendit, duke i dhënë atij një status neutral. Pse statusi neutral? Sepse nëse ai ka statusin neutral, atëherë nuk do të anëtarësohet në NATO”, tha ai.
Nëse Ukraina do të ishte një fuqi bërthamore dhe anëtare e NATO-s, aleanca nuk do të kishte nevojë për raketa balistike për ta penguar Rusinë, por do ta mbante Rusinë në “nishanin bërthamor” pikërisht në kufirin e saj, tha Putin.
Qëllimet e çmilitarizimit, tha ai, thuajse janë arritur pasi depot me armë, municione, aviacion dhe sisteme të mbrojtjes ajrore pothuajse janë shkatërruar.
Putin tha se Rusia ishte përpjekur t’i jepte fund konfliktit në Donbas në mënyrë paqësore për tetë vjet dhe se kërkesat e rajoneve të shkëputura “nuk ishin të mëdha”.
Ai tha gjithashtu se masat e marra kundër tyre ishin shumë të ashpra dhe kritikoi vendet perëndimore se nuk i vunë re problemet e njerëzve që jetonin në Donbas për gati një dekadë.
Në prag të nisjes së luftës kundër Ukrainës javën e kaluar, Rusia njohu si shtete të pavarura dy enklava të mbajtura nga separatistët në rajonin e Donbasit të Ukrainës.
Putin po ashtu akuzoi Ukrainën për shfrytëzim të civilëve dhe të huajve si “mburoja njerëzore”.
Putin shpjegoi gjithashtu vendimin e tij për të vënë në gatishmëri të lartë forcat bërthamore të Rusisë, duke thënë se kjo u shkaktua nga deklarata e ministres së Jashtme britanike Elizabeth Truss, e cila tha se NATO po merr pjesë në konfliktin në Ukrainë.