Realpolitik “ flash” Nr. 43
01 – 15 PRILL 2022
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 4 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur
DR. Jorgji KOTE
1.Putin “fiton” në Beograd dhe Budapest! Këto janë tituj të shtypit ndërkombëtar pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Hungari dhe në Serbi më 3 Prill. Në fakt, atje fituan bindshëm të dy liderët e njohur, Orban dhe Vuçiç, për arsye të përmendura dhe te ARGUMENTUM. Dihet se të dy janë aleatë të Putinit. Edhe pse Hungaria është antare e BE-së dhe NATO-s, ajo po krijon“ demokracinë iliberale” duke sfiduarr hapur BE-në. Të dya këto vende janë ndër të paktat që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Natyrisht e kanë justifikuar këtë me faktin se ata janë për Hungarinë dhe Serbinë, as me Ukrainën e as me Rusinë. Beogradi ushqehet në “grazhdin” e Perëndimit, por dhe të Rusisë dhe Kinës. Ja, pse fitoret e Orban dhe Vuçiç konsiderohen të Putinit. Ironikisht për BE-në, ato janë “dhimbje e madhe koke”
2.Beteja për Elyséenë, selia zyrtare e Presidentit francez është logoja e zgjedhjeve presidenciale në Francë, raundi i parë i të cilave përfundoi më 10 prill, me fitoren e Presidentit Macro. Mirëpo, meqenëse nuk siguroi shumicën absolute, ashtu si 5 vjet më parë, Macron do të përballet në balotazh më 24 Prill me kandidaten karizmatike të Bashkimit Kombëtar të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, me 4 për qind më pak. Por, 24 Prilli i kapërcen kufijtë e Pallatit presidencial. Elizeja është bërë “fushë-beteja” e madhe për Francën dhe gjithë Europën.
Kjo mbasi 53 vjeçarja Marine Le Pen, liderja populiste e Bashkimit Kombëtar, organizata më e madhe e ekstremit të djathtë në Europë është e njohur për qëndrimet armiqësore ndaj emigrantëve, vlerave perendimore, mulilaterizmit, dhe siddomos NATO-s dhe BE-së.
Megjithë disa ndryshime taktikash, themelet e politikës së saj anti- Euro – Atlantike kanë mbetur të pandryshuara. Ajo do të ribëjë BE-në, të heqë NATO-n dhe të prishë bashkëpunimin franko-gjerman, “ motorri” i BE-së!Rrezikshmëria e saj qëndron dhe në faktin se si populiste tipike, ajo kryesisht etiketon, kritikon, denigron, mohon, denoncon dhe kërkon “ qiqra në hell”, duke abuzuar me problemet dhe vështirësitë e shumta në përditshmërinë e francezëve të thjeshtë.
Ndërsa Presidenti Macron dhe partia e tij “ La Rèpublique en Marche” përfaqëson pjesën më europianiste të shoqërisë franceze. Gjatë 5 viteve në Elysée ai e ka tregur vehten menaxher brilant të situatave dhe kampion të vlerave demokratike në periudha të jashtëzakonshme. Pas largimit të Merkel, është lideri më i besueshëm i një vendi të madh që me Gjermaninë dhe vende të tjera ka marrë në dorë dhe do t’i çojë më tej fatet e BE-së dhe NATO-s, bashkë me SHBA-të.
Fitorja e Macron do të ishte goditje e rëndë për forcat populiste dhe ekstremiste në Francë dhe kudo. Brenda vendit do të vazhdonte procesi i reformave me ndryshimet e duhura që prekin jetën e përditshme të njerëzve. Në politikën e jashtme, do të kishte rrjedhoja pozitive për forcimin e multilaterizmit, të OKB-së, BE-së dhe NATO-s. Ai ka hedhur me kohë disa ide sfiduese për një Europë të re, që të thellohet më shumë nga brenda, përpara se të zgjerohet më tej nga jashtë.
Ca më tepër që këto zgjedhje përkojnë dhe me Presidencën franceze të BE-së deri në fund të muajit Qershor. Kur tashmë Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë kërkuar antarësimin e tyre, krahas 6 vendeve të Ballkanit Perendimor. Si lider i një vendi të madh si Franca, Macron ka të drejtën e vet për t’u shprehur dhe sugjeruar ide dhe lëvizje të reja politike, me qëllim që BE-ja të mësojë dhe të shmangë gabimet dhe mangësitë e kaluara dhe t’i përgjigjet sfidave të reja madhore në të gjitha fushat, sidomos në ato të mbrojtjes dhe sigurisë.
3. Jo-ja gjermane për Ballkan i Hapur u përmend sërish qartë me diplomaci nga Kancelari gjerman Olaf Scholz në Konferencën e Shtypit me me KM Rama më 11 Prill në Berlin. Natyrisht nuk mund të pritej, sidomos nga një personalitet si Scholz që shprehet vetëm afirmativisht që t’ia thoshte troç JO-në mysafirit nga Tirana, ca më tepër, në takimin e tyre të parë njohës. Bota, e sidomos Gjermania kanë mësuar me kohë se si të thonë “ JO” të ngadalshme dhe diplomatike. Asgjë nuk ka për t’u habitur, madje Rama do të kishte bërë mirë të mos e kishte përmendur fare këtë temë. Sepse këtë JO e ka shprehur më parë në Tiranë dhe pse butë vetë Merkel dhe zyrtarë të tjerë të lartë gjermanë. Dhe Scholz në atë kohë ka qenë zv.Kancelar. Nuk ka se si Berlini të pranojë Ballkan i Hapur, kur ti i thua açik se me atë do të zëvendësosh Procesin historik të Berlinit, meqenëse ai ka dështuar me një nismë nga Beogradi që dhe pas tri vitesh ka mbetur fare gjysmake! Kësaj i thonë “ bishti më i rëndë se sqepari”! Pastaj, përse duhet të dalë “ violinë e parë” Beogradi megjithë ato probleme që ka me Kosovën, me qëndrimet miqësore ndaj Rusisë dhe pas agresionit në Ukrainë dhe ca më tepër të mburret me fondet e BE-së? Kësaj i thonë “ dhentë dhe dhitë e Zeres, dhe nami i Hasan Qerres!”
Kryesorja, Gjermania dhe BE-ja, nisur dhe nga problematikat e nxehta ballkanike tashmë e kanë vulosur alternativën e tyre më të mirë për realizimin e katër lirive në rajonin tonë në Sofje, Brdo dhe më 14 Dhjetor 2021 në Bruksel në samitin zyrtar të BE-së! Në dokumentat e tyre shkruhet “e bardha në të zezë” vetëm për Tregu i Përbashkët Rajonal,i pranuar nga të gjashtë vendet. Kësisoj, Ballkani ( gjysëm ) i Hapur, është bërë mbivendosje fare e panevojshme.
4. Sofja foli, po Shkupi? Pas refreneve të mërzitshme mbi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë Qershor, më 12 Prill foli dhe Sofja zyrtare i nëpërmjet Kryediplomates së saj. Nuk dha asnjë shpresë për heqjen e vetos, duke përsëritur kërkesat e njohura ndaj Shkupit. Tani “topi luhet në portën” e Shkupit. Ama jo si deri tani kur ai ka pritur nga të mëdhenjtë, të cilët do të vazhdojnë demarshet por pa garanci për shkak të problematikave përvëluese. Tashmë dhe Shkupi duhet të bëjë lëshimet e kompromiset e duhura. Ndryshe, Sofja do t’i thotë “ kthehu në vjeshtë”; si e keqja më e vogël, duke na marrë dhe ne me vehte. Se ndarjen nga Shkupi nuk e kemi ne në dorë, por vetëm Këshilli i BE-së.
© 2022 Argumentum