Dr. Gurakuç Kuçi, ekspert i luftës hibride, e konsideron publikimin e një artikulli nga tabloidi gjerman Bild, ku pretendonte se Vladimir Putin kishte prejardhje shqiptare nga Kosova, si një taktike të njohur të Rusisë për të përhapur dezinformata dhe për të krijuar konfuzion në Ballkan. Siç shprehet ai, “Në një rajon të mbushur me mite, kjo mund të duket si një kuriozitet grotesk, por në thelb, është një taktike e njohur e luftës hibride ruse, që përfshin dezinformimin, manipulimin e narrativave dhe krijimin e konfuzionit identitar.”
Kosova dhe Shqipëria, të orientuara fort pro-NATO dhe pro-BE, janë objektiva strategjikë për Rusinë, që synon të destabilizojë rajonin dhe të minojë besimin e shqiptarëve në perëndim. Dr. Kuçi thekson se ky manipulim ka për qëllim “të ngjallë dyshim tek shqiptarët për vetë identitetin e tyre politik, për t’i shndërruar në objekt të një relativizmi strategjik ku perëndimi nuk është më i vetmi opsion.”
Ky “lajm” nuk është thjesht një thashethem, por një armë psikologjike që përdor luftën e informacionit për të shpërndarë pasiguri dhe kaos, thekson Dr. Gurakuq Kuçi në një koment ne rrjetin e tij social facebook
Komenti i plote i Dr. Gurakuç Kuçi
Së fundmi, tabloidi gjerman Bild publikoi një “lajm” sipas të cilit Vladimir Putin paska prejardhje shqiptare nga Kosova. Në një rajon të lodhur nga mitet, kjo mund të tingëllojë si një tjetër kuriozitet grotesk. Por në fakt, kemi të bëjmë me një taktikë të njohur të luftës hibride ruse, përzierje e dezinformimit, manipulimit narrativ dhe konfuzionit identitar.
Pse tani? Pse shqiptarët? Pse Kosova?
Përgjigjja është e thjeshtë dhe shqetësuese: sepse Kosova dhe Shqipëria janë dy nga shtetet më fuqimisht pro-NATO dhe pro-BE në Ballkanin Perëndimor. Sepse shqiptarët, si komb, përbëjnë një faktor që, ka qëndrueshmëri të rrallë në orientimin e tij perëndimor. Ky orientim pwrbwn njw stabilitet strategjik në Ballkanin Perëndimor për NATO-në. Andaj, pikërisht për këtë arsye, janë objektiv strategjik për narrativa destabilizuese.
Synimi i këtij “lajmi” nuk është informimi, por gërryerja e perceptimeve dhe ngatërresa e vijave mes miqve dhe kundërshtarëve. Krijohet një terren ku e pabesueshmja bëhet e mundshme, dhe e rrezikshmja maskohet si qesharake. Kjo është mënyra se si Rusia zgjat ndikimin e saj, pa tanke, por me narrativa të helmuara.
Në thelb, kemi të bëjmë me një përpjekje për të ngjallur dyshim tek shqiptarët për vetë identitetin e tyre politik, për t’i shndërruar në objekt të një relativizmi strategjik ku perëndimi nuk është më i vetmi opsion. Ky është një model që Rusia e ka përdorur gjerësisht në shtetet baltike, Gjeorgji, Ukrainë dhe tashmë edhe në Ballkan.
Ky nuk është lajm. Është një armë psikologjike.
Le ta lexojmë siç është: një akt i mirëfilltë i luftës hibride, jo si “scoop” i një tabloidi. Në epokën e luftës së informacionit, qesharakja është shpesh vetëm maskë e rrezikut real.
Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Vetëm disa ditë më parë, Bild publikoi një tjetër lajm të rremë: për gjoja largimin e trupave amerikane nga Evropa dhe Kosova. Ky manipulim u demaskua fillimisht nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, ku unë bëj pjesë, dhe më pas u përgënjeshtrua zyrtarisht nga NATO dhe SHBA-të.
/Argumentum.al