Realpolitik “ flash” Nr. 41
17 SHKURT – 3 MARS 2022
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për ngjarjet madhore lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur
DR. Jorgji KOTE
- Putini minoi diplomacinë më të madhe parandaluese të zhvilluar nga Aleanca Perendimore në 30 vitet e fundit! Nuk mbeti lider dhe ministër i jashtëm i vendeve të mëdha pa shkuar në Moskë, pa u takuar gjatë dhe folur në telefon me Putinin dhe Lavrovin, veç forumeve dhe samiteve të shumta. Padyshim ndër rastet më të spikatura të “ diplomacisë së krizës, me “ec e jake” të shumta dhe “diplomacinë e telefonit” të minutave të fundit. Mirëpo, Putini i injoroi të gjitha. Për herë të parë nga viti 1991 Rusia nuk u përfaqësua as në Konferenën Ndërkombëtare të Sigurisë në Munih më 20 Shkurt. Për pasojë, diplomacia parandaluese dështoi, sepse e minoi Rusia. Sepse, nuk ka diplomaci në botë, sado e aftë të jetë, që të ketë sukses në demarshet e saj kur mungon vullneti real i palës tjetër. Ca më keq kur kjo e fundit e përdor diplomacinë “ për të larë gojën” si “ gjethe fiku”, për të fituar kohë dhe fshehur synimet e vërteta.
- Forca e të drejtës mbi të drejtën e forcës ka dalë në pah në krye të axhendës së marrëdhënieve ndërkombëtare. Në 75 vitet e fundit, me krijimin e sistemit shumëpalësh në marrëdhëniet ndërkombëtare, të OKB-së dhe organizatave të tjera të rëndësishme iu dha fund ose u kufizua ndjeshëm përdorimi i të drejtës së forcës, që ka mbizotëruar në periudhat e ekuilibrit të fuqive përpara Luftës së II Botërore; kur më i forti përdorte forcën politike, ekonomike dhe ushtarake ndaj më të dobtit, jashtë çdo rregulli dhe ligji ndërkombëtar. Mungesa e paqes, sigurisë, luftrat dhe konfliktet e përgjakshme e kanë patur burimin pikërisht te abuzimi me të drejtën e forcës nga vende të mëdha; mirëpo ekuilibrat e fuqive ndryshojnë vazhdimisht, duke venë në rrezik përherë çdo perspektivë paqeje dhe begatie. Ndaj, në vend të saj, në 75 vitet e fundit është aplikuar kryesisht “ forca e të drejtës ndërkombëtare” duke i zgjidhur mosmarrëveshjet dhe konfliktet në rrugë paqësore, me kanale diplomatike dhe arbitrazh ndërkombëtar, por jo me dhunë dhe armë. “Forca e të drejtës” garantohet nga Karta Universale e OKB-së dhe një numër traktatesh të njohura ndërkombëtare që sigurojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të një vendi, respektimin e të drejtave të njeriut, etj. Rusia pretendon pa asnjë bazë se Perëndimi ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me ndërhyrjet e tij ushtarake në Kosovë, Libi, Siri, Irak e gjetkë. Edhe pse situata atje nuk ka fare të krahasuar me Ukrainën, sepse në ato vende, sidomos në Kosovë kishte genocid dhe krime kundër njerëzimit, Rusia, ca më tepër si antare e përhershme e KS të OKB-së mund të kishte depozituar ankesat e saj në forumet dhe institucionet e duhura ndaj demek shkelësve të saj! Për hir të së vërtetës, Rusia ka qenë selektive lidhur me të drejtën ndërkombëtare, duke iu referuar asaj kur i interesonte e duke e injoruar dhe me armë kur i “ prishte humorin gjeopolitik”.
- 10 kalkulime të gabuara gjeopolitike me kosto të pallogaritshme për Ukrainën, Europën por më shumë dhe vetë Rusinë ka bërë Putini në rastin e agresionit ndaj Ukrainës; brenda dhe jashtë, për sot e për nesër. Gabimet e tij janë të tilla që të kujtojnë Bonapartin, i cili pas invazionit në Spanjë po shfajësohej te Tallerand se nuk kishte kryer krim; mirëpo ky i fundit i dha me shumë shqetësim përgjigjen emblematike “ Jo, Madhëri, më keq akoma, ju keni bërë një gabim”.
Siç e tha me pathos Presidenti amerikan Joe Biden në fjalën e tij më 1 Mars në Kongresin amerikan, “ Putini gaboi rëndë, ai nuk e di se çfarë e pret, ne jemi gati, ne jemi të bashkuar” Gabimi i madh është se Putin i besoi shumë fërkimeve, problemeve dhe mungesës së kohezionit për aspekte të ndryshme të njohura brenda Aleancës Perendimore, si pasojë dhe e krizave të shumta që ajo ka kaluar, etj. Mirëpo, kush e njeh historinë e Perëndimit e kupton shpejt se pavarësisht nga ndarjet dhe debatet si vende demokratike dhe përplasja e interesave, kur vjen puna për të mbrojtur vlerat dhe parimet themelore ai bëhet bashkë; madje, krizat i bëjnë dhe më të fortë vendet e Aleancës, siç po ndodh dhe tani. Kur NATO dhe BE kanë ndërmarrë lëvizje dhe veprime madhore të paimagjinueshme disa muaj më parë.
Gabimi tjetër është nënvleftësimi i shkallës së sanksioneve, duke menduar se ato mund të përballohen nga Moska si deri tani. Mirëpo, ai nuk kishte llogaritur se këto sanksione do të ishin aq të ashpra, sa shumë shpejt mund t’i bëjnë gjëmën Rusisë; Putin nuk kishte llogaritur as shumëllojshmërinë e tyre të madhe, të papara ndonjëherë, në çdo fushë, duke përfshirë kufizimet/ përjashtimin nga sistemi ndërkombëtar i pagesave “SWIFT ” një “bombë atomike financiare” Gabimi tjetër është nënvleftësimi i solidaritetit ndërkombëtar pa dallim dhe mbështetja e institucioneve perendimore ndaj Ukrainës. Në të gjitha format, nga veshjet, ushqimet, strehimi, armatime e deri te miliarda Euro ndihma financiare!
Gabimi tjetër i radhës është vlerësimi i nxituar i qëndrimeve dhe pritshmërive nga ndonjë vend i madh si Gjermania, ku ka jo pak të ashtuquajtur “ Putin Verstehers” ose lobe ruse. Mirëpo, më 27 Shkurt, Bundestagu gjerman bëri “ revolucion” në politikën e jashtme gjermane, duke hequr dorë nga pacifizmi, duke vendosur dërgimin e armëve në Ukrainë dhe duke lançuar masa të shumta për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse. Mbi të gjitha, Berlini hoqi dorë nga venia në funksionim e Gazsjellësit gjigand “Nord Stream” me Rusinë.
Putini nënvleftësoi forcën e madhe morale dhe ushtarake të popullit trim ukrainas, i cili po shfaq më të mirën e vet. Harroi se Ukraina 2022 ka bërë shumë përpara krahasuar me atë të vitit 2014 dhe në fushën ushtarake. “Blitzi” ushtarak rus dështoi dhe pavarësisht nga dinamika e ngjarjeve, Rusia do ta ketë të vështirë dhe në planin ushtarak; sa për anën morale, politike, publike dhe imazhin, ato i kanë rënë për tokë! Por, dhe vlerësimi i reagimit të popullit rus mund të rezultojë i gabuar, pas ndërveprimit të aktorëve/faktorëve të lartpërmendur. Gabimi tjetër i madh është mbivlerësimi i forcës dhe armatimit të ushtrisë ruse. Morali dhe motivimi i saj nuk ka si të jetë i lartë, sepse nuk ka bindje pse ushtria po shkon të luftojë në Ukrainë. Së fundi, Putini dhe Lavrovi gabojnë kur përmendin armën atomike/bërthamore. Kujdes, me të “mos luaj”, se e kanë dhe SHBA-të, Franca dhe Britania në Europë.
© 2022 Argumentum