REALPOLITIK FLASH NR. 81
17 NENTOR – 1 DHJETOR 2023
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
Dr. JORGJI KOTE
1. Pyka turke në Berlin! Kjo mund të thuhet pas vizitës më të fundit të Presidentit turk Erdogan në Berlin. Mes një tensioni të madh politik, me dyshime dhe kundërshtime ndaj kësaj vizite që nuk pritej të sillte ndonjë ndryshim. Gjithsesi, si anëtare e NATO-s dhe me shumë interesa realipolitike, lidershipi më i lartë gjerman e priti me tapet të kuq Erdoganin. Por ai vijoi me mesazhin e tij në mbështetje të Hamasit, duke e riquajtur “çlirimtar” dhe me akuza ndaj Izraelit si fajtor.
Nuk hezitoi të sulmonte hapur dhe mikpritësit e lartë, duke pohuar se Gjermania i ka borxh historik Izraelit për shkak të Holokaustit, ndaj Berlini nuk është i lirë ndaj tij, ndërsa Ankaraja po, sepse ajo është e lirë nga çdo konflikt interesi. Kësisoj, kjo vizitë në Berlin jo vetëm nuk shënoi ndonjë përmirësim, por krijoi një pykë tjetër të fortë mes aleancës së Atlantikut! E cila vijoi me shtyrjen nga Turqia të ratifikimit të anëtarsimit të Suedisë në NATO.
2. Larg duart nga Ballkani Perendimor! Ky ishte mesazhi madhor që dha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës së tij tri ditore dhe në takimin me të 6 liderët e Rajonit në Shkup më 22 Nëntor. NATO i ndjek me vëmendje dhe shqetësim lëvizjet nga Beogradi dhe sidomos Rusia me planet e saj luftënxitëse, për të krijuar një fushë të re beteje në Ballkan, mbas Ukrainës dhe Lindjes së Afërme; çka do t’i shërbente shumë Rusisë, si në propagandë, ashtu dhe në fushën e luftimeve ndaj Ukrainës. Një “ peshqesh” tjetër për Rusinë mbas përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Afërme. Këtë ai ia bëri të qartë dhe Vuçiçit dhe Dodikut.
Edhe në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s më 27 – 28 Nëntor, Stoltenberg dhe sekretari amerikan i Shtetit Blinken deklaruan se NATO do të jetë në Ballkanin Perendimor dhe në kufirin e Kosovës me Serbinë në çdo moment; dhe kjo jo vetëm me deklarime politike por dhe me perforcime trupash në atë zonë, shtimin e pranisë së KFORIT dhe me përgjigjen e merituar në raste tensionimi te situatës. Më qartë nuk kishte se ku shkonte! Tani i mbetet BE-së dhe SHBA-ve që të ndryshojnë tërësisht politikën e tyre qetësuese dhe përkëdhelëse ndaj Serbisë; pse jo, duke i treguar dhe ”dhëmbët e muskujt” po të jetë nevoja, me “kërbaç e pastaj me kulaç” e jo më si deri tani!
- Ekspansion zgjedhor i ekstremit të djathtë! Po, ky është realiteti që bën ” muuu“ në skenën politike ndërkombëtare. Mbas fitores të së djathtës ekstreme në Itali, Suedi, Finlandë dhe në Slovaki, më 19 nëntor ishte radha e Argjentinës, këtij megashttei që të tregonte ” yryshin” e saj kundër të majtës dhe të djathtës klasike. Me fitoren bindëse të ”binjakut të Trump”, Mileney, i cili ka paralajmëruar shembjen e pothuajse gjithë sistemit të deritanishëm politikk dhe ekonomik. Ndërsa më 22 Nëntor, e djathta ekstreme korri një fitore tjetër bindëse, këtë radhë në Holandë, duke mposhtur socialistët e Franc Timmernanit, që la dhe postin e zv.Presidentit të Komisionit Europian. Lideri radikal njihet, ai është Geert Wilders, aleat i Le Penit, Melonit dhe ultrave të tjerë. Ka paralajmëruar deri largimin nga BE-ja, edhe pse së fundi duket se ka hequr dorë, ndërprerjen e ndihmave për Ukrainën dhe një rregjim të ashpër migrimi. Përballë këtyre disfatave, BE-ja po kapitullon, duk u ngushëlluar me faktin se Widers nuk do ta heqë Holandën nga BE-ja! Tashmë e djathta ekstreme ”është në modë”, ajo po bëhet kudo ortek bore, duke i nxjerrë jashtë loje forcat më të mëdha politike tradicionale, të majta dhe të djathta. Ca më tepër, ky revanshizëm po ndodh vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve europiane në qershor 2024 dhe atyre presidenciale amerikane në nëntor 2024, ku Trump rrezikon të rikthehet në pushtet. Tani, se kjo e djathtë ekstreme nuk ka alternativa bindëse apo më të mira, kjo duket se nuk ka shumë rëndësi. Mjafton që elektoratet të shfryjnë dufin dhe inatin e tyre ndaj forcave tradicionale që janë në pushtet. T’i heqim njëherë këta, pastaj le të bëhet kiameti! Në fakt kjo është përgjegjësia e madhe e BE-së dhe e forcave tradicionale politike, të cilat ecin sipas aforizmit “ pushka bam dhe Muçua tutje” ose në të folurën moderne ”business as usual”!.
- Organizata e (mos)sigurisë europiane? Më 30 Nëntor – 1 Dhjetor u zhvillua në Shkup takimi i Ministrave të Jashtëm të OSBE-së. Falë konsensusit të arritur, Maqedonia e Veriut bëri dorëzimin e kryesimit të tij Maltës së vogël. Në këtë takim, ndryshe nga euforia e mëparshme sidomos gjatë kryesimit tonë më 2020, u diskutua me shqetësim për rolin dhe të ardhmen e kësaj organizate. E krijuar me 1975 si forumi më i madh dhe i vetëm i dialogut Lindje – Perëndim, OSBE-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm në proceset demokratizuese. Mirëpo agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës e ka venë në dyshim rolin dhe funksionet e tij. Kjo mbasi Rusia përveç se anëtare e KS të OKB-së ka qenë deri më 24 Shkurt 2022 shtet themelues dhe shtyllë e OSBE-së, nga e cila varet në masë të madhe siguria dhe bashkëpunimi ekonomik europian dhe demokracia. Por, tani, duket se OSBE-ja ka ngecur ne vend, sepse nuk mund të bëjë më moral kur një një ose dy vende anëtare e kërcënojnë dhe sabotojnë hapur misionin e saj themelor. Ndaj ky takim pritej me shumë interes, mbasi në të ishte dhe shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov.
-
Mirëpo prania e tij u kthye në ”mollë të madhe sherri”. Ukraina dhe në solidariet me të tri vendet balltike e bojkotuan këtë takim, duke krijuar probleme dhe për miratimin e kryesueses së OSBE-së për vitin 2024 e duke hedhur hije të mëdha dyshimi në të ardhmen e saj.
Ka mbi një vit që 47 vende europiane kanë krijuar Komunitetin Politik Europian, por që gjithsesi është shumë larg nga OSBE-ja, në të gjitha drejtimet dhe kryesorja askush nuk po punon për të ardhmen e saj. Deri tani ajo funksionon me dy samite në vit, pa asnjë axhendë, deklarata dhe vendime, thjesht si OJQ e nivelit më të lartë.
Në vitin 1973, rregimi ynë monist refuzoi ftesën për këtë organizatë me argumentin se sigurinë në Europë e kërcënonte Rusia dhe SHBA-të. Ndaj e quajtën KSBE-në si konferencë e mossigurisë europiane. Mirëpo, për ironi të fatit, duket se se gjysma e asaj profecie ideologjike doli e vërtetë.
© 2023 Argumentum