“Pa buxhet dhe zyra nuk mund të punojmë”, tha gati i dorëzuar pak ditë më parë në një emision televiziv një nga krerët e strukturave të prokurorisë, deklaratë që, nga ana tjetër, la shumë shteg për të menduar për mënyrën sesi po zhvillohet sot Reforma e Drejtësisë. Në fakt, mjafton që të shikosh akronimet që lidhen me Reformën në Drejtësi dhe një njeri i zakonshëm të ngrejë duart sipër në “pakuptueshmërinë” e tyre, e cila lidhet disi edhe me vonesën e frikshme të kësaj reforme. Por, kur ngatërresat i bëjnë dhe moderatorët dhe gazetarët e shumtë atëherë misioni duket i pamundur. BKH, GJKR, GJKKKO, KLGJ, KLP, KPA, KPK mund të mos thënë gjë dhe të duken si abstrakte, por ato përbëjnë caqet ku po kalon Reforma shumë e vështirë e Drejtësisë dhe pengesat e pafundme ndaj saj. Tashmë, kur ligjërimi politik duhet të futet në ngërç mjafton që të përdoret Reforma në Drejtësi dhe atëherë gjithçka duket e kryer.
Për hir të së vërtetës: KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) dhe KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor) u aprovuan pak muaj më parë në Dhjetor të vitit 2018, pas përfundimit maratonë të shqyrtimit të dokumentacionit të anëtarëve të saj dhe kalimit të kandidaturave në mbledhjet respektive të këshillave të Prokurorëve dhe Gjyqtarëve. Duhet thënë se kalimi i tyre shënon një stad më shumë dhe i hap udhë krijimit të kompetencave të krijimit të gjykatave dhe Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK).
Ky moment bëri që KLGJ të fillonte emërimin e gjyqtarëve nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Gjykatat e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Janë gjithsej 16 gjyqtarë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe 11 syresh në Gjykatën e Apelit. Dokumentacioni bën me dije se përndryshe nga SPAK-u është parashikuar transformimi i Gjykatave të Krimeve të Rënda (GJKR) në Gjykata e Posaçme, që do të thotë se gjyqtarët mund të kalojnë drejt këtyre strukturave të reja. Por, ama që të kalojnë gjyqtarët duhet të binden që t’u shikohen të dhënat për kontot e tyre bankare dhe tabulatet telefonikë. Kurse për emërimin e përhershëm në Gjykatat e Posaçme, Gjyqtarët dhe nëpunësit civilë duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit të imtësishëm të dokumentacionit të tyre. Vetëm atëherë, gjyqtarët emërohen në mënyrë të përhershme në Gjykatat e Posaçme, pra, nëse i kalojnë sprovat e dokumentacionit. Me pak fjalë, punonjësit e sotëm të Gjykatave aktuale të Krimeve të Rënda sikurse edhe Kancelarët në detyrë do të duhet më parë të japin pëlqimin për kufizimin e privatësisë për t’u emëruar në Gjykatat e Posaçme. Gjykatat e Krimeve të Rënda do të ekzistojnë edhe për pak kohë deri në ngritjen e Gjykatave të Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, thuhet në Raportin e Monitorimit 2 që Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes e ka hartuar me Fondacionin për Shoqërinë e Hapur dhe që bën një skanim tejet profesional, por edhe informon qartësisht sesi po ecën Reforma e Drejtësisë.
Nuk mbaron këtu: Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur të njëjtën logjikë për realizimin e hapave të nevojshëm ligjorë për ushtrimin e kompetencave në drejtim të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Organi kryesor i hetimit, tashmë, përbëhet nga 15 prokurorë dhe drejtuesi i saj që janë zgjedhur nga një proces transparent, ku vetëm 27 prokurorë që shprehën interesin dhe aplikuan për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme, ia arritën të plotësonin kriteret.
Duhet përmendur se për ta bërë procesin më të rregullt, fillimisht u miratua një rregullore sipas të cilës eci i gjithë procesi. Dhe sot, për të pasur një lloj përparësie, Këshilli i Lartë i Prokurorisë është llogaritur t’i kërkojë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) rivlerësimin me përparësi të kandidatëve të përzgjedhur gjatë kësaj faze si edhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) në rastet e vendimeve të ankimuara. Vetëm pas konfirmimit në detyrë nga KPK, Këshilli do të realizojë emërimin e prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme.
Stadi i sotëm i emërimit të prokurorëve të posaçëm do të mundësojë zgjedhjen e drejtuesit të këtij institucioni, duke sjellë krijimin e Prokurorisë së Posaçme. Nëse të gjitha ecin si duhet, atëherë do bëhet ngritja e një tjetër strukture mbështetëse pranë Prokurorisë së Posaçme siç është Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), që përmendet aq shpesh nga artikullshkrues të ndryshëm.
Ata, që e kanë menduar procesin kanë ideuar edhe elementin që Gjykatat dhe Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të jenë paralelisht në të njëjtën kohë, për të bërë të mundur një bashkërendim dhe koordinim sa më eficient gjatë procedurave të hetimit dhe gjykimit të veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe për të garantuar dhe siguruar respektimin e drejtave të të akuzuarve.
Për shkak të batërdisë të deritanishme duket se një tjetër proces është i vështirë dhe ai lidhet me kalimin e hallkave dhe vlerësimin e kandidatëve gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët pritet të konfirmohen me vendim të formës së prerë gjatë procesit të rivlerësimit. Por mos e mendoni të lehtë pasi ashtu si në rastin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve kandidatë për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kohëzgjatja e procesit të rivlerësimit dhe numri i ulët i konfirmimeve do të sillte vonesa në plotësimin e vendeve vakante dhe për rrjedhojë ndikon në fillimin e funksionimit të këtyre institucioneve. Për këtë arsye, roli i organeve të rivlerësimit në trajtimin me përparësi të kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatat e Posaçme dhe prokurorë pranë Prokurorisë së Posaçme është një faktor kyç në ngritjen dhe funksionimin e këtyre institucioneve, thuhet në raport.
Dhe, nuk mbaron me kaq, numri i lartë i vendimeve të ankimuara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, është një problem për ecjen normale jo vetëm të organeve të reja të drejtësisë, por edhe si një sfidë e mundshme e institucioneve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që parashikohen të ngrihen së shpejti. Sfida më e madhe është funksionalizimi me numrin e plotë të anëtarëve.
Duhet të sqarojmë se ngritja e organeve të reja të drejtësisë dhe fillimi i zbatimit të kompetencave në drejtim të ngritjes së Gjykatave dhe Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përbëjnë ato që të gjithë shqiptarët presin nga shpallja e objektivave kryesorë të Reformës në sistemin e Drejtësisë. Megjithatë kakofonia e zërave shpesh jo profesionalë, problemet e bashkëpunimit institucional dhe mbi të gjitha mungesa e transparencës e kanë bërë publikun shumë të ngatërruar. Pa harruar se një përgjegjësi e madhe bie te Këshilli i Ministrave, në mënyrë të veçantë vonesat në alokimin e buxhetit dhe gjetja e infrastrukturës, ku gjatë muajve në vijim pritet të përfundojnë disa nga detyrat më të rëndësishme të KLP-së, ndaj kryetari Gent Ibrahimi u shpreh me rezerva, se nëse gjendja do të vazhdonte e tillë pa zyra dhe buxhet, duhej të rishikonte vendimin e vet. Pikërisht të gjithë njohurinë për këtë proces dhe ecurinë e tij e zgjidh raporti i detajuar i QSDQ (Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes) për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Përzgjedhja e Prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që do t’i vihet publikut së shpejti në dorë dhe që të ndriçon pak në pyllin e akronimeve të Drejtësisë, shenja semiotike të çuditshme pa marrë realisht jetë./gsh