Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se Qendra e re e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes hap një tjetër faqe në modernizimin e Ushtrisë shqiptare.
I pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e çeljes së kësaj qendre, Rama theksoi se ajo krijon kushte optimale për zhvillimin e teknologjive të reja, jo vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, po edhe në funksion të modernizimit të qeverisjes e të mbështetjes së sektorit privat.
Rama shprehu bindjen se falë teknologjisë së lartë dhe gjithë përmbysjes epokale të historisë njerëzore përmes teknologjisë dixhitale, inovacioni është bekim për një vend si i yni që vjen nga një prapambetje e thellë dhe duhet të bëjë çmos për të fituar kohën e humbur.
“Inovacioni na jep mundësinë që në një kohë të shkurtër të bëjmë kërcime të mëdha përpara, gjë që para 20 apo 30 vitesh do të ishte e paimagjinueshme. Është një bekim që ne duhet ta marrim si një dhuratë të jashtëzakonshme të kohës në këtë pjesë të rrugëtimit tonë dhe duhet ta shfrytëzojmë me të gjitha fuqitë tona. Çdo hap që ne hedhim në këtë drejtim na afron me një shpejtësi marramendëse me pjesën tjetër të botës së zhvilluar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “sot po përpiqemi të nxisim inovacionin, të fusim teknologjinë dhe të transformojmë procese dhe të ndryshojmë një trashëgimi shumë të rëndë në aspektin institucional të këtij vendi”.
“Kjo qendër të cilës i bashkohet edhe Agjencia e re e Inovacionit dhe Ekselencës që ne kemi krijuar pikërisht për të pasur një forcë të brendshme lëvizëse në çdo dikaster qendror apo ministri është një bërthamë që premton shumë. Në Shqipëri ka plot talente të cilave kjo qendër i referohet përtej kufijve të perimetrit të FA-së”, tha Rama.
Sipas tij, qëllimi është që Forcat e Armatosura dhe sistemi ynë i mbrojtjes të bëhet edhe një vatër e zhvillimit të teknologjisë.
“Duhet të shohim edhe shumë vende të tjera që tek tek sistemi i mbrojtjes kanë një burim jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe produktiv për gjithë zhvillimin teknologjik të vendit”, tha Rama.
Në fjalën e tij Rama theksoi se, “ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania””.
“Për t’iu përgjigjur sfidave të reja dhe për t’iu përgjigjur këtij niveli të ri të angazhimit që ne kemi në bazë të vizionit tonë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë 2030, një strategji e re ushtarake dhe një plan i ri i zhvillimit afatgjatë të Forcave të Armatosura janë tanimë gati dhe do t’i nënshtrohen procesit të ligjvënies në Kuvend”, tha Rama.
Ndërkohë që, shtoi kreu i qeverisë, “po përgatisim edhe platformën e re të zhvillimit të industrisë ushtarake”.
“Një platformë që sot është koha për ta përfshirë në gjithë trupin legjislativ të Republikës të Shqipërisë dhe pastaj mbi të, për të nisur një valë investimesh në industrinë e mbrojtjes, duke e bërë Shqipërinë një vend që, jo vetëm konsumon atë që taksapaguesit japin në aspektin e mbrojtjes, që jo vetëm vë në dispozicion të Forcave të Armatosura instrumente, mjete, armë të importuara, por edhe që përmes industrisë së mbrojtjes nxjerr fitime të cilat shkojnë në funksion të mbrojtjes përsëri dhe përmes industrisë së saj ushtarake, arrijnë që të furnizojë me prodhime të këtushme sigurisht në bashkëpunim me sipërmarrje të mëdha, serioze të vendeve aleate, nevojat e Forcave tona të Armatosura”, u shpreh Rama.
“Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës “Made in Albania’’”, nënvizoi më tej Rama.
“Për këtë jemi me fat për hir të së vërtetës sepse jemi një vend i vogël, po kemi aleatë të mëdhenj. Vendet më të përparuara në industrinë e mbrojtjes sot në botën demokratike janë, jo vetëm të gatshme, por dhe të interesuara t’i shikojnë sipërmarrjet e tyre të zhvillojnë bashkëpunime me shtetin shqiptar dhe nga ana tjetër, e gjithë qasja jonë e re në aspektin e këtyre bashkëpunimeve, jo vetëm në fushën e mbrojtjes, është që shteti duhet të jetë partner, shteti duhet të jetë ortak, shteti duhet të jetë aksioner dhe nga gjithë këto procese zhvillimesh ekonomike, shteti duhet të marrë pjesën e tij. Kjo është qasja jonë të cilën na e mundëson kjo kohë që kemi sjellë për hir të së vërtetës”, tha Rama.