Mazar-e-Sharif, qyteti i katërt më i madh i Afganistanit ra të shtunën në duart e talibanëve, pas një sulmi të kryengritësve nga disa drejtime, sipas një ligjvënësi.
Ligjvënësi Abas Ebrahimzada tha se trupat e ushtrisë afgane që ndodheshin në këtë krahinë u dorëzuan të parët, gjë që u pasua nga demoralizim i grupeve paraushtarake dhe forcave të tjera pro-qeveritare përballë sulmeve të talibanëve.
Sipas ligjvënësit, të gjitha objektet e qeverisë lokale, përfshirë zyrën e guvernatorit, janë në duart e talibanëve.
Kryengritësit kanë marrë nën kontroll një pjesë të mirë të zonave veriore, perëndimore dhe jugore të vendit në një ofensivë të shpejtë kur mbeten më pak se tre javë nga data e caktuar për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga vendi.
Talibanët kanë arritur të avancojnë me shpejtësi gjatë javëve të fundit dhe tani kontrollojnë administratat lokale në 20 nga 34 krahinat e vendit.
Të shtunën më herët talibanët morën të shtunën dy krahina të tjera dhe u janë afruar rrethinave të kryeqytetit, Kabul, thonë zyrtarët afganë.
Vetëm brenda pak ditësh ata kanë marrë Heratin dhe Kandaharin, qytetin e dytë dhe të tretë më të madh në vend.
Grupi ekstremist ka nën kontroll të gjithë krahinën Logar, në jug të kryeqytetit dhe ka nën arrest zyrtarët lokalë, njofton një ligjvënëse e zonës. Talibanët kanë marrë edhe kryeqytetin e krahinës Paktika, në kufi me Pakistanin, sipas deklaratës së një ligjvënësi lokal. Ai tha se luftimet shpërthyen herët në mëngjes dhe më pas kryepleqtë e zonës ndërhynë për të negociuar tërheqjen nga krahina. Ndërsa guvernatori dhe zyrtarët u dorëzuan dhe u nisën drejt Kabulit.
Rezistenca e dobët e forcave afgane dhe shpesh dorëzimi i tyre pa bërë qëndresë të mirëfilltë, megjithë qindra miliarda dollarë të shpenzuar nga Shtetet e Bashkuara për stërvitjen dhe pajisjen e tyre, ka zgjuar frikën se talibanët mund të kthehen brenda pak muajsh në pushtet ose mund të plasë konflikti mes fraksioneve etnike siç ndodhi pas largimit të sovjetikëve në 1989.
Me avancimin e talibanëve, vendet perëndimore aleate të qeverisë afgane kanë njoftuar planet për evakuimin e personelit të tyre diplomatik.
Ndërkaq, nga i gjithë vendi ka pasur zhvendosje masive të civilëve të pambrojtur që përpiqen t’u shpëtojnë luftimeve. Sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, që nga fillimi i vitit janë detyruar të braktisin banesat afro 400,000 afganë. Grupet bamirëse po i bien këmbanave të alarmit mbi rrezikun e një krize humanitare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje të premten për ndalimin e luftimeve, duke shtuar se situata në Afganistan ka dalë jashtë kontrollit./voa