Genc Mlloja
Kur i gjithë opinioni publik ndërkombëtar po ndjek me shqetësim dhe shpresë që ti jepet fund konfliktit të përgjakshëm midis Rusisë dhe Ukrainës dhe çdo përpjekje diplomatike shikohet si një pikë kthese për ti dhënë fund shkatërrimeve dhe viktimave në njerëz ndër më të mëdhatë dhe tragjike që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në pjesën qendrore të Evropës Lindore, në kryqëzimin e rrugëve kryesore të transportit nga Evropa në Azi dhe nga shtetet skandinave në rajonin e Mesdheut, një vëmendje e veçantë po i kushtohet qëndrimit të Kinës ndaj këtyre zhvillimeve të vrullshme dramatike. Si gjithnjë komuniteti ndërkombëtar është i interesuar për maturinë dhe konstruktivitetin e diplomacisë kineze dhe sa vjen e rritet inkurajimi ndaj Kinës si vend që i kane shumë peshë fjala dhe vepra të angazhohet me të gjitha mënyrat diplomatike të mundshme në rikthimin e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës dhe vendosjen e stabilitetit në atë zonë të Evropës duke shmangur një përshkallëzim eventual të konfliktit në pjesë të tjera të botës e në këtë kontekst frikën më të madhe e kanë Evropa e Ballkani si pjesë e kontinentit.
Mirëpo, si gjithnjë, qarqe të caktuara në SHBA një vend që sikurse dihet ndodhet shumë larg teatrit aktual të luftës (si edhe ne raste të tjera historikisht) dhe disa aleatë të tyre në NATO, vazhdojnë avazin e vjetër nëpërmjet propagandës së tyre, që të devijojnë interesin në rritje dhe inkurajimin e sinqertë të opinionit publik ndërkombëtar ndaj rolit të Kinës, të kësaj fuqie ndër më të mëdhatë në botë dhe me një popullsi sa një e pesta e rruzullit tokësor, lidhur me ngjarjet dramatike në Ukrainë. Makinacionet e disa qarqeve diplomatike amerikane janë të shthurura dhe shpërndajnë me tonelata dizinformacione ose sikurse po quhen tani ‘fake news’ (lajme të rreme) rreth rolit të Kinës në këtë konflikt, që në të shumtën e rasteve po i bëjnë ‘autorët’ e tyre edhe më qesharakë.
Në këtë vazhdë imagjinata e propagandës amerikane dhe e disa vendeve perëndimore tejkalon çdo masë duke pretenduar se Kina ishte në dijeni të operacionit ushtarak të Rusisë dhe madje i kishte kërkuar kësaj të fundit shtyrjen e veprimeve ushtarake pas Lojërave Olimpike Dimërore, që u zhvilluan me sukses të plotë në Pekin. Gjithnjë duke ndjekur platformën e ‘fake news’ pretendohet prej kësaj linje propagandistike se Moska ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Pekini.
“Pohimet se Kina e dinte, e pranoi ose e mbështeti në heshtje këtë luftë janë një dezinformim i pastër. Të gjitha këto pretendime i shërbejnë vetëm qëllimit për të fajësuar dhe njollosur Kinën”, deklaroi Ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara, Qin Gang më 15 mars 2022.
Por do të ishte e arsyeshme që në këtë kontekst të bëhej shkurtimisht një paraqitje e qëndrimit zyrtar të Kinës, të udhëheqjes së saj më të lartë nëpërmjet diplomacisë dhe medias, gjë që nuk ka munguar në të gjitha format e mundshme përfshi edhe mekanizmat e OKB-së.
Dhe thelbi i qëndrimit të Kinës konsiston në aspektet më të pakontestueshme që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe integritetin territorial, të cilat përbëjnë shtyllën kurrizore të çdo vendi, dhe në mënyrë të qëndrueshme ajo insiston se Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe karta e saj duhet të jenë pikë referimi për të gjithë, përfshi edhe vendet në konflikt.
Duke paraqitur qëndrimin e vendit të tij, Presidenti Xi Jinping deklaroi gjatë samitit virtual me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz më 8 mars 2022 se Kina mendon se 1) duhet të mbrohen sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve, 2) duhet të respektohen plotësisht qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, 3) duhet të merren seriozisht shqetësimet e ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve dhe 4) duhet të mbështeten të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës.
Këta parime themelore të qëndrimit kinez që tashmë janë mbiquajtur si “katër domosdoshmëritë” përbëjnë një platformë të qartë dhe të balancuar për ti dhënë fund konfliktit por, nga ana tjetër, për të garantuar siguri për secilën palë, mirëbesim të ndërsjellë, stabilitet të qëndrueshëm dhe garanci që t’mos ketë shtrirje të mosmarrëveshjeve në atë rajon e më gjerë.
Është mëse i arsyeshëm sugjerimi i diplomacisë kineze se vendet evropiane duhet të zhvillojnë me Rusinë një dialog të thellë dhe të gjithanshëm e të diskutojnë mënyrat për të krijuar një kornizë të ekuilibruar, të efektshme dhe të qëndrueshme të sigurisë evropiane për të arritur stabilitet afatgjatë në kontinent.
Në këtë linjë mund të përfshihet qëndrimi i BE-së kur deklaroi se ‘ne nuk jemi në luftë me Rusinë’.
Çfarë bie në sy edhe në zhvillimet e këtyre tre javëve të fundit është konfirmimi i faktit se qëndrimi i Kinës përputhet me qëndrimin e shumicës së vendeve të botës, e kjo ndodh sepse është i drejtë, objektiv dhe i balancuar. Por, sikurse deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian më 18 mars 2022 ka disa njerëz në SHBA që përhapin informacione të rreme dhe përpiqen të njollosin Kinën. “Këto veprime janë të papërgjegjshme dhe nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes. Kina e kundërshton fort një gjë të tillë. SHBA duhet të reflektojnë për rolin dhe funksionin e vet në konfliktin e Ukrainës. SHBA duhet të marrin përsipër përgjegjësinë e duhur dhe të ndërmarrin veprime praktike për të lehtësuar dhe zgjidhur problemin, në vend që ta acarojnë konfliktin dhe ta zhvendosin përgjegjësinë” tha Lijian.
Megjithëse nën presionin e shfrenuar propagandistik të pamerituar në nivele të ndryshme politike dhe mediatike amerikane, udhëheqja kineze ka treguar vetëpërmbajtje në argumentet e saj duke hedhur poshtë çdo shpifje, e kjo sipas mendimit të shumë analistëve politikë është një ndër karakteristikat më të shkëlqyera të qëndrueshme të politikës së jashtme të Kinës, e cila në të njëjtën kohë ka qenë e gatshme të diskutojë me të gjitha palët e interesuara me objektivitet dhe dinjitetin e një fuqie të madhe.
Kësisoj këto javët e fundit kanë qenë tejet të mbushura të axhendës diplomatike kineze me biseda në nivele të ndryshme politike me vendet e palët në konflikt, vendet e BE-së, SHBA-së dhe vende të rajoneve të tjera të botës, që besojnë shumë në realizmin e qëndrimeve kineze dhe mendojnë se ata janë rruga për të kapërcyer këtë konflikt por edhe për të vendosur një stabilitet të qëndrueshëm në interes të gjitha palëve.
Në këtë kuadër ngjarja që tërhoqi vëmendjen e të gjithë opinionit publik ndërkombëtar ishte videotelefonata e Presidenti kinez Xi Jinping me presidentin amerikan Joe Biden me kërkesë të këtij të fundit më 18 mars 2022. Përballë linjës konstruktive diplomatike e propozimeve realiste të Kinës, që janë në interes të të gjithë palëve për të zgjidhur konfliktin, dhe që janë përshëndetur nga pjesa dërmuese e komunitetit ndërkombëtar, presidenti Biden, vendi i të cilit duket qartë se është me faj për nxitjen e këtij konflikti dhe po dënohet nga shumë vende, madje edhe nga figura historike të skenës politike amerikane si Henri Kisinger, nuk mund të anashkalonte Pekinin, që është bërë pikë reference si për të gjitha ngjarjet kritike në botë edhe për këtë konflikt të armatosur. Ai e këshilltarët e tij e panë se shpifjet ndaj Kinës, që nuk ka asnjë pjesë në këtë konflikt, po injoroheshin nga komuniteti ndërkombëtar, madje edhe nga shumë vende aleate në NATO e BE, të cilët po e kuptojnë gjithnjë e më tepër se përfituesit nga e gjithë kjo janë SHBA shumë larg teatrit të luftimeve dhe i ndarë gjeografikisht nga një oqean.
Sipas njoftimeve të mediave kineze dhe të vendeve të ndryshme Xi përsëriti qëndrimin e Kinës për krizën në Ukrainë, duke vënë në dukje se detyra urgjente tani është të nxitet dialogu e negociatat për një armëpushim ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës sa më parë. Zgjidhja afatgjatë për çështjen e Ukrainës është që vendet e mëdha duhet të respektojnë njëri-tjetrin, të braktisin mendësinë e Luftës së Ftohtë, të heqin dorë nga përballja midis blloqeve dhe të ndërtojnë një arkitekturë të ekuilibruar, të efektshme dhe të qëndrueshme të sigurisë globale dhe rajonale, Xi i parashtroi homologut të tij amerikan.
Sipas tij, të gjitha palët duhet të mbështesin bisedimet e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. SHBA dhe NATO gjithashtu duhet të zhvillojnë dialog me Rusinë për të zgjidhur thelbin e krizës në Ukrainë dhe për të zbutur shqetësimet e sigurisë si të Rusisë, ashtu edhe të Ukrainës. Xi paralajmëroi kundër ushtrimit të sanksioneve të gjithanshme e jodiskriminuese, duke thënë që, nëse përshkallëzohen më tej, ata do të shkaktojnë një krizë serioze në zinxhirët globalë të tregtisë, financave, energjisë, ushqimit dhe industrisë, do të dëmtojnë mirëqenien e njerëzve dhe do të përkeqësojnë ngadalësimin e ekonomisë botërore.
Pekini ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të nxitur paqen dhe do të vazhdojë të luajë një rol pozitiv në zgjidhjen e çështjes së Ukrainës, tha Xi. Ai vuri në dukje se Kina do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën dhe vendet e tjera të prekura.
Presidenti amerikan, nga ana e tij, e informoi homologun e vet kinez mbi qëndrimin e SHBA-së për krizën në Ukrainë, duke thënë se Uashingtoni është i gatshëm të komunikojë me Pekinin për këtë çështje për të parandaluar përshkallëzimin e krizës.
Në kuadër të bisedës, që thuhet se zgjati gjate, Xi i kërkoi Shteteve të Bashkuara të punojnë bashkë me Kinën për t’i futur marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur dhe për të marrë përgjegjësitë e duhura ndërkombëtare të një vendi të madh, duke nxitur paqen dhe stabilitetin botëror.
Në ndryshim nga disa qarqe të propagandës amerikane Biden e siguroi presidentin kinez se SHBA nuk ka si qëllim të nisë një Luftë të Ftohtë të re, nuk kërkon të ndryshojë sistemin e Kinës ose të rigjallërojë aleancat e saj kundër Kinës, nuk mbështet “pavarësinë e Tajvanit” dhe nuk synon një konflikt me Kinën. Ai tha se Uashingtoni është i gatshëm për dialog të sinqertë me Pekinin, mbështet politikën e “Një Kine” dhe dëshiron të menaxhojë në mënyrë efektive konkurrencën dhe dallimet me Kinën, për të çuar përpara zhvillimin e qëndrueshëm të lidhjeve dypalëshe.
Kreu i shtetit kinez theksoi se ai i vlerëson seriozisht premtimet e presidentit Biden por duke vënë në dukje se marrëdhëniet kino-amerikane po hasin gjithnjë e më shumë sfida, ai theksoi se është jashtëzakonisht e rrezikshme që disa politikanë amerikanë dërgojnë sinjale të gabuara për forcat e “pavarësisë së Tajvanit”. Presidenti kinez u kërkoi Shteteve të Bashkuara ta vlerësojnë seriozisht çështjen e Tajvanit, duke thënë që nëse kjo çështje nuk trajtohet siç duhet, lidhjet dypalëshe do të minohen. Pala amerikane ka bërë keqllogaritje e gjykime të gabuara lidhur me qëllimet strategjike të Kinës, vuri në dukje Presidenti Xi.
Sipas disa analistëve duket paradoksale që vendi, i cili nuk ka reshtur së ndërhyri në çështjen e Tajvanit, t’mos reflektoj seriozisht në këto kohë të rrezikshme krize mbi politikën e tij ekspansioniste kur një konflikt i përgjakshëm është në vazhdim në të cilin është bërë palë, kur nuk ka shumë kohë që u detyrua t’ia mbathte këmbëve me turp dhe humbje në njerëz dhe dëme kolosale ushtarake e financiare nga Afganistani pas 20 vite lufte të përgjakshme pasojat e së cilës po i vuan akoma populli afgan, por edhe ai amerikan, kur situata në Lindje të Mesme është inkandeshente me konfliktin që vazhdon qysh nga viti 1948 midis Palestinës dhe Izraelit. Në opinionin e shumë prej tyre duhet pritur për të parë se sa i sinqertë dhe sa hapësirë për veprim ka Biden në zotimet e tij të fundit ndaj Kinës.
Por hipokrizi e ligësi mund të quhet transferimi nga Uashingtoni i konfliktit të Ukrainës në zemër të kontinentit evropian vendet e të cilit edhe pse, sikurse e thamë edhe me sipër, deklarojnë se nuk janë në luftë më Rusinë, në fakt janë të rrezikuar. Panik e ankth të justifikueshëm përfshiu popujt evropianë momentet kur qarkulloi lajmi se Presidenti rus Putin mund të përdorte armët bërthamore. E kjo pasiguri do të vazhdojë deri sa BE e vendet e tjera evropiane të mos marrin në dorë seriozisht sigurinë e tyre dhe ndjekjen e një politike të pavarur e konstruktive me fqinjët, duke përfshirë Rusinë.
Shpresat janë që konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës të mbarojë sa më shpejt e ka optimizëm të arsyeshëm pas bisedimeve midis palëve kur janë zhvilluar katër raunde dhe po duken disa rezultate megjithëse të vogla. Por çfarë do të ndodh pas krizës së Ukrainës lidhur me çështjen e sigurisë evropiane. E një mendim e ka dhënë për këtë Ambasadori Zhang Jun, përfaqësues i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, si më poshtë: “Shpresojmë që Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të ulen me Rusinë për dialog të thelluar e gjithëpërfshirës dhe të kërkojnë mënyra për të vendosur një mekanizëm të sigurisë evropiane të ekuilibruar, të efektshëm dhe të qëndrueshëm, të bazuar në parimin e sigurisë së pandashme për të arritur paqen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë në Evropë”.
Duke ndjekur vijën e qëndrimit politik, diplomatik e humanitar të Pekinit zyrtar bie në sy inkurajimi që udhëheqja e tij bën për të nxitur bisedimet paqësore midis Rusisë dhe Ukrainës e madje i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të përkrahë këtë alternativë për të arritur sa më parë rezultate thelbësore, për ta lehtësuar situatën sa më shpejt dhe për të parandaluar një krizë masive humanitare. Në përputhje me linjën e saj të njohur të mbështetjes së rolit të OKB-së Kina nxit shtimin e përpjekjeve ndërmjetësuese të organizatës pan botërore dhe të gjitha palëve dhe shpreson se të gjitha palët do të bëjnë më shumë për të nxitur bisedimet e paqes, në vend që t’i hedhin benzinë zjarr. Veç qëndrimeve konstante paqebërëse udhëheqja kineze nuk ka reshtur ndihmat e humanitare të Kinës për popullin e Ukrainës. Në një konferencë virtuale shtypi në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin më 11 mars 2022 pas përfundimit të sesionit të pestë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore, Kryeministri Li Keqiang duke folur për gjendjen në Ukrainë u shpreh se Kina mbështet të gjitha përpjekjet për të ulur tensionet ndërmjet Rusisë e Ukrainës me mjete paqësore. “Kina do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën pas zotimit për të dhënë një kontingjent ndihme humanitare me vlerë 5 milionë juanë (rreth 791 000 dollarë amerikanë) për këtë vend”.
Nga ana e tij, ministri i jashtëm Wang Yi paraqiti një iniciativë prej gjashtë pikash në një konferencë shtypi në kuadrin e sesionit të pestë të Kongresit të 13-të Kombëtar Popullor për të parandaluar krizën humanitare në Ukrainë.
Së pari, duhen bërë përpjekje për t’u siguruar që operacionet humanitare t’i përmbahen parimit të neutralitetit dhe paanshmërisë, dhe për të shmangur politizimin e çështjeve humanitare. Së dyti, vëmendje e plotë duhet t’u kushtohet njerëzve të zhvendosur në dhe nga Ukraina, dhe duhet të bëhen përpjekje për t’u siguruar atyre strehimin e duhur, tha Wang.
Wang më pas bëri thirrje për sigurimin e mbrojtjes së civilëve dhe parandalimin e fatkeqësive dytësore humanitare në Ukrainë. Së katërti, duhen bërë përpjekje për të garantuar aktivitete të sigurta dhe të qetë të ndihmës humanitare, duke përfshirë ofrimin e aksesit të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitar, vuri në dukje Wang. Ai bëri thirrje gjithashtu për të garantuar sigurinë e shtetasve të huaj në Ukrainë, duke i lejuar ata të largohen të sigurt dhe duke i ndihmuar ata të kthehen në vendet e tyre.
Së gjashti, duhet t’i jepet mbështetje rolit koordinues të OKB-së në kanalizimin e ndihmës humanitare dhe punës së koordinatorit të OKB-së për krizën për Ukrainën, tha Wang.
Në planin konkret, sikurse njoftohet nga Xinhua më 16 mars 2022, Kryqi i Kuq i Kinës njoftoi se ka dërguar një grup të tretë të furnizimeve me ndihma humanitare urgjente për Kryqin e Kuq të Ukrainës. Furnizimet e reja, përfshirë qumësht pluhur për fëmijë dhe jorganë, u nisën nga Pekini më 14 mars dhe pas mbërritjes në Poloni destinacioni është Ukraina. Kurse grupi i parë i furnizimeve tashmë ka mbërritur në Ukrainë dhe është shpërndarë nga Shoqëria e Kryqit të Kuq për personat e zhvendosur më në nevojë.
Këto fakte janë dëshmi të tjera që demaskojnë më tej propagandën dashakeqëse të stisur edhe në rastin e luftës në Ukrainë kundër Kinës prej disa qarqeve perëndimore. Duket se strategët tradicionalë anti-kinezë perëndimorë akoma nuk po e kuptojnë se me veprimet e tyre anakronike të periudhës së Luftës së Ftohtë veçse i rrisin vlerën Kinës, fjalës dhe veprave të saj, të cilat nuk i fryjnë zjarrin të konfliktit, por japin kontribut konkret për arritjen e armëpushimit dhe vendosjen e paqes midis dy palëve si dhe në vend të plumbave ofrojnë qumësht për fëmijë, jorganë dhe artikuj të tjerë të nevojës kaq emergjente për popullin ukrainas./CRI