Ambasada e Japonisë ka nënshkruar një kontratë granti me Federatën Shqiptare të Karatesë (AKF), duke dhënë përafërsisht 76 000 euro për këtë institucion për sigurimin e pajisjeve të karatesë (uniforma, mjetet e mbrojtjes etj.) dhe pajisjet elektronike (TV, laptopë, sistem audio, kamera etj.).
Qëllimi i këtij granti është të përmirësojë mundësitë dhe aftësitë e Shqipërisë për të marrë pjesë në konkurset ndërkombëtare dhe gjithashtu të presë konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare në Shqipëri.
Ky grant jepet nga qeveria e Japonisë në kuadër të skemës “Ndihmë Grantesh për Projektet Kulturore”, një skemë që mbështet institucionet publike ose OJQ-të në zbatimin e projekteve në fushat e kulturës ose sportit.
Në Shqipëri, AKF është institucioni i dytë që ka marrë këtë lloj granti, pas Universitetit Politeknik të Tiranës, i cili ka marrë një grant të ngjashëm vitin e kaluar për krijimin e një laboratori japonez (klasë audiovizive) në universitet.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito shprehu dëshirën e tij që sporti i karatesë të bëhet më popullor në Shqipëri. Ai gjithashtu inkurajoi lojtarët shqiptarë të karatesë që të synojnë Lojërat Olimpike dhe të përfaqësojnë vendin e tyre në të ardhmen.
Karateja është një sport me origjinë nga Okinawa e Japonisë gjatë shekullit të 17-të, i cili do të bëjë paraqitjen e parë në Lojërat Olimpike në Tokio 2020, me burra dhe gra që garojnë në disiplinat kata dhe kumite.