Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur për aksionin e djeshëm të Policisë në veri të Kosovës ku u mbyllën 6 njësi të Bankës Postare Kursimore që u konfiskuan miliona euro e miliona dinarë.
Ministri Hakuran Murati ka theksuar se ka pasur dyshim të bazuar që atje po zhvillohet aktivitet financiar në kundërshtim me ligjin.
“Ne sigurohemi për zbatimin e ligjshmërisë për fushën financiare. Ka pasur dyshime të bazuara që po zhvillohet aktivitet financiar në kundërshtim me ligjin. Dyshimi i bazuar ka qenë që është zhvilluar aktivitet pa licencat e nevojshme financiare dhe pastaj u takon organeve të rendit të ofrojnë argumente dhe prova për më tutje se si është bërë përdorimi”, la deklaruar Murati.
Kurse sa i përket reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit aksioni në veri ishte i pakoordinuar dhe që përshkallëzon tensionet, Murati ka thënë se nuk është në dijeni për detajet e reagimit, por se sipas tij çdo veprim në veri ishte i bazuar në ligjshmërinë dhe shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të vendit.
Murati: Pala serbe s’ka dashur zgjidhje për dinarin
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka therksuar se Kosova ka dhënë propozimet e saj në takimet në Bruksel sa i përket dinarit, por që Serbia ka pasur synime të tjera, për të dërguar para me thasë.
Ai ka thënë se për kontot bankare për qytetarë nuk ka nevojë që të diskutohet në Bruksel.
“Ne si Qeveri përmes përfaqësuesit pra zëvendëskryeministrit (Besnik Bislimi), kemi ofruar konstruktivitet në disa propozime, por me sa duket pala serbe nuk ka qenë e gatshme sepse kanë pasur synime tjera. Nuk ka qenë synimi që të lehtësohet jeta për qytetarët dhe të mundësohen transferet. Ajo mundësi ekziston edhe pa u dakorduar në Bruksel, kontot bankare mund t’i ketë secili dhe transferi mund të behet direkt në konto bankare pa u penguar. Problemi ekziston që Beogradi dëshiron që të vazhdojë në mënyrën e vjetër të operimit duke transferuar shumë të parave me thasë që nuk dihet ku shkojnë që të vazhdojnë financimin e aktiviteteve financiare”, u shpreh Murati.
Murati ka folur edhe për miratimin e Nismës për lidhjen e Marrëveshjes për Sigurime Sociale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.
Ai ka thënë se kjo është marrëveshje tepër e rëndësishme e cila nënkupton që qytetarët të cilët mund të kenë punuar në një shtet apo tjetrin mund të vendosin që t’i bashkojnë periudhat e kontributeve apo edhe ta eksportojnë pensionin.
Murati ka theksuar se njëkohësisht mundëson edhe kategoritë tjera që të eksportohen dhe se sipas tij është e mirë për të dyja shtetet edhe sa i përket menaxhimit më të mire të financave publike sepse mundëson edhe shkëmbimin e informatave.
Aliu: Kosova ka kapacitete të limituara të ujit
Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu ka thënë Qeveria ka marrë disa vendime të rëndësishme, ku tre nga to ishin vendime për shpronësime të cilat i hapin rrugë projekteve të rëndësishme dhe për konservimin, restaurimin dhe ndërtimin e kompleksit memorial Masakra e Reçakut.
Aliu ka thënë se Kosova ka kapacitete të limituara të ujit dhe është në një kriz, duke theksuar se është e domosdoshme që ti rrisim kapacitetet e ujit. Ai ka thënë se në qershor përfundon harta e menaxhimit të rrezikut nga vërshimet bashkë me planin për reagim.
“Kosova i ka katër pellgje lumore dhe pellgu i Drinit të Bardhë është pellgu me i madh. Janë draftuar ligjet për menaxhimin e këtyre pellgjeve. Çka është një plan për menaxhimin e pellgjeve. Kosova është një vend që ka kapacitete të limituara të ujit, jemi në një krizë. 75 për qind të këtij uji e përben vetëm liqeni i Ujmanit, dhe e kemi të domosdoshme që gjatë dekadave në vijim t’i rrisim këto kapacitete sepse kemi ndryshime që shpesh herë nuk mund t’i menaxhojmë mirë, për shkak të mungesës së planeve. Jemi në qershor dhe e përfundojmë hartën e menaxhimit të rrezikut nga vërshimet bashkë me planin për reagim”, ka deklaruar ai.
Aliu ka deklaruar se duke pasur parasysh që një vendim i tilli si ky sot i cili i hapë rrugë shumë punëve të tjera krahas kësaj është themeluar gjatë muajit prill task-forca e gjelbër.
“Jemi duke ndërmarr hapa konkret për parandalimin e degradimit të natyrës. Gjatë këtyre ditëve kemi pasur aksion të vazhdueshëm, për eksploatime e zhavorrit në lumenj dhe është bërë konfiskime të pajisjeve dhe ky aksion do të vazhdoj deri në fund të vitit”, ka thënë ai./RTK