Qeveria gjermane ka miratuar eksportin e tankeve luftarake Leopard 1 në Ukrainë. Ndërkohë Ukraina ka kërkuar të premten hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE këtë vit.
Njoftimi për tanket Leopard 1 erdhi nga zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefen Hebestreit në Berlin pa dhënë hollësi. Deri tani qeveria gjermane vetëm kishte bërë të ditur, se do të dërgonte tanket Leopard 2 në Ukrainë nga rezervat e Bundeswehrit. Më parë ishte gazeta “Süddeutsche Zeitung” e cila kishte raportuar se koncernet e prodhimit të tankeve, Rheinmetall dhe FFG do të përgatisnin një duzinë tankesh Leopard 1, të cilat mund t’ia ofrojnë Ukrainën në luftën mbrojtëse kundër Rusisë. Por sipas raportimit ka probleme me sigurimin e municionit.
Javën e kaluar qeveria gjermane ra dakord për dërgimin e tankeve Leopard 2 nga rezervat e Bundeswehrit. Krahas kësaj Gjermania u lejon vendeve të tjera të furnizojnë Ukrainën me tanke nga furnizimet gjermane. Leopard 1 është tanku i parë luftarak që u ndërtua për Bundeswehrin pas Luftës së II Botërore. Ai u prodhua në vitet 1960-1980. Kurse 14 tanket e premtuara Leopard 2 janë më modernë. Lidhur me dritën e gjelbër për tanket Leopard 1 zëdhënësi i qeverisë nuk u shpreh me detaje. “Nuk dua të them më shumë për këtë moment, kjo do të konkretizohet në ditët dhe javët e ardhshme.”
Zelensky: Ukraina e ka merituar të fillojë që këtë vit negociatat e anëtarësimit në BE
Ukraina ndërkohë në samitin e së premtes mes BE dhe Ukrainës ka kërkuar perspektivë konkete anëtarësimi. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është shprehur se “besoj se Ukraina e ka merituar, të fillojë që këtë vit negociatat e anëtarësimit në BE”. Sipas presidentit ukrainas, integrimi i mëtejshëm në BE do t’u jepte ukrainasve, “energji dhe motivim të luftojnë megjithë pengesat dhe kërcënimet.”
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel së bashku me presidetin ukrainas duan të bisedojnë për mbështetjen e mëtejshme të BE në lidhje me Ukrainën. Ukraina mban që nga viti i kaluar statusin e vendit kandidat në BE. Samiti BE-Ukrainë, i cili zhvillohet në kushte të rrepta sigurie trajton edhe mbështetjen e mëtejshme për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus. Zelensky ka kërkuar rritjen e presionit ndaj Rusisë, kurse ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksij Resnikov ka kërkuar më shumë raketa me rreze më të gjatë veprimi për Ukrainën. Ukraina është gati për garanci që nga territori i saj të mos zhvillohen sulme kundër territorit rus, ka thënë Resnikov./dw