Këshilli i Ministrave miratoi sot projektbuxhetin 2024.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete deklaroi se, “sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Projektbuxhetin 2024, i cili vendos një nivel të ri lidhur me planifikimin e shpenzimeve publike, që tejkalojnë 7 miliardë euro”.
Në një dalje për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, Mete u shpreh se, “projektbuxheti mbështet zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen sociale, duke synuar në të njëjtën kohë balancën e duhur të ekuilibrave makroekonomikë dhe fiskalë”.
“Siç vlerësoi sot edhe FMN, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, duke hyrë tashmë në një fazë te re. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, tha Mete.
“Në projeksionet tona, ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8 % për vitin e ardhshëm, një balancë primare pozitive, konsolidim të mëtejshëm fiskal, rritje të punësimit dhe ulje të inflacionit”, u shpreh ai.