Kryeministri i kosovës Albin Kurti ka falenderuar publikisht kryeministrin Edi Rama për mbështetjen me energji për dy ditët e ndërrimit të vitit.
Kurti tha në deklaratën për mediat pas përfundimit të seancës parlamentare se kërkesën për ndihmë e ka bërë Kosova nëpërmjet ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ka thënë se dy vendet plotësojnë njëri-tjetrin pasi Shqipëria ka ujë kurse Kosova ka qymyr.
Kurti theksoi se bëhet fjalë për dy ditë dhe se Kosova do të mund t’ia kthejë këtë ndihmë Shqipërisë në verë.
Ai theksoi se kjo ndihmë është e veçantë, sepse është ndihmë në kushtet kur edhe Shqipëria vetë nuk i ka punët mirë me krizën energjike.
“Ne e falenderojmë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama, për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë, zonja Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Republikës së Shqipërisë, për shkak se ne jemi komplementare, ne kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale; ne kemi qymyr, ata kanë ujë. Dhe bëhet fjalë për dy ditë, ndonëse janë dy ditë, janë të rëndësishme sepse janë të ndërrimit të motmoteve dhe më pastaj edhe ne do të kemi mundësi t’u ndihmojmë në rast nevoje në verën e viti të ardhshëm”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama konfimoi dje në “Twitter” se Shqipëria do të ndihmojë Kosovën me furnizim të energjisë elektrike për dy ditët e festave të Vitit të Ri.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku ka bërë me dije në një deklaratë të jashtëzakonshme për shtyp se autoritetet shqiptare kanë siguruar afro 7 mijë e 680 kWh energji për datat 31 dhjetor dhe 1 janar, të cilat do të depozitohen në Kosovë. Ndërsa thekson se nuk do të ketë asnjë efekt financiar.
Në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp, Balluku ka bërë me dije edhe kushtin e “zemërgjerësisë” së kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se kjo depozitë energjetike do të mund të rikthehet gjatë stinës së verës, kohë kur Shqipëria has vështirësi sezonale për sigurimin e energjisë.