Qeveria është duke punuar për të hartuar një paketë masash e cila do t’i vijë në ndihmë bizneseve të cilët po ndiejnë efektet e bllokimit të aktivitetit të tyre.
Burime konfidenciale për Televizionin Klan bëjnë me dije se prej disa ditësh është ngritur një grup pune për të adresuar një pjesë të kërkesave që kanë bërë grupet e sipërmarrjeve në adresë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe zyrës së Kryeministrit.
Mësohet se një ditë më parë një pjesë e mirë e Shoqatave të Biznesit kanë zhvilluar një takim me Ministren e Financave, Anila Denaj dhe Ministrin e Shtetit për Sipërmarrjen, Eduart Shalsi, për të adresuar kërkesat dhe problematikat që janë duke hasur gjatë ditëve kur një pjesë e transportit është paralizuar dhe një pjesë e sektorëve duhet të rrinë të mbyllur.
Deri tani qeveria ka pranuar të shtyjë afatin për dorëzimin e bilanceve vjetore të tyre përtej afatit 31 Mars, ndërsa është duke punuar mbi një paketë për shtyrjen e pagesës së një pjese të taksave për sipërmarrësit, ndërsa një ditë më parë shtyu edhe pagesën e kësteve të biznesit.
Shoqatat kanë kërkuar që qeveria të shohë mundësinë e trajtimit me raport shëndetësor punonjësit që janë në karantinë, ose marrjen përsipër të pagesës së kontributeve shoqërore për kompanitë si baret e restorantet që duhet të rrinë mbyllur në këtë periudhë, por deri tani kjo pikë nuk është adresuar.