Pas një periudhe prej më shumë se dy vitesh qeveria ka rikthyer në ankande bonot e thesarit 3 mujore, një instrument ky afatshkurtër për të marrë borxh në tregun e brendshëm. Referuar të dhënave të fundit zyrtare nga Ministria e Financave ankandi i mbajtur në 11 shkurt 2020 ku qeveria kërkoi marrjen e një borxhi 1 miliardë lekë apo pak më shumë se 8 milionë euro, instrumenti i përdorur ishin pikërisht këto bono thesari me afat maturimi 3 muaj. Yeldi i pranuar për bonot 3 mujore ishte 1.5 për qind ndërkohë që ai mesatar i ponderuar 1.29 për qind.
Për herë të fundit Ministria e Financave kishte përdorur bonot 3 mujore në vitin 2017 dhe konkretisht në 29 dhjetor 2017 kur kërkoi 5 miliardë lekë por pranoi vetëm 3,6 miliardë në finale me një yield mesatar të ponderuar prej 1.31 për qind.
Më herët ndër vite, nga 2011 e deri në vitin 2017 përdorimi i bonove 3 mujore ka qenë gjerësisht i pranishëm në ankandet e qeverisë ndërkohë që nën një angazhim për të ndryshuar disi situatën me borxhin dhe presionet që sillte portofoli me afat të shkurtë pati një zhvendosje drejt instrumenteve më afatgjatë siç janë obligacionet 3, 7 dhe 10 vjeçare ndërkohë që përdorim të gjerë ka vazhduar të ketë instrumenti i bonove të thesarit me afat 12 mujor.
Nga fillimi i këtij viti e deri në datë 11 shkurt nga ana e qeverisë janë zhvilluar të paktën 8 ankande ku mbi 35 miliardë lekë janë emetuar përmes bonove 12 mujore kurse 5.6 miliardë përmes obligacioneve 10 vjeçare e më pas rreth 10 miliardë të tjera në obligacione 2 vjeçare.
Referuar kalendarit të emetimit Ministria e Financave dhe Ekonomisë kishte programuar emetimin e 30 miliardë lekëve në muajin janar, 31 miliardë lekë në muajin shkurt dhe 33.6 miliardë lekë në muajin mars.
Për të gjithë vitin qeveria ka parashikuar financimin e një deficiti në buxhetin e shtetit prej 39.9 miliardë lekësh ku nga tregu i brendshëm do të bëhet plotësimi i kësaj vlere me një nivel prej 29.9 miliardë lekësh./monitor