Vedat MEMEDALIU
Nga 29 mbledhje gjithsej, vetëm një mbledhje e ka procesverbalin edhe në gjuhën shqipe. Qeveria, edhe pse ishte zotuar të jetë transparente dhe të respektojë Ligjet, kjo nuk po ndodhë. Nga 29 mbledhje që Qeveria e Hristijan Mickosit i ka mbajtur deri më tani, vetëm mbledhja e katërt procesverbalin, krahas gjuhën maqedonase, e ka edhe në shqip. Kjo mbledhje ishte kryesuar nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti. Përveç kësaj, së fundmi Qeveria ka nis madje të mos i publikojë fare procesverbalet. Për 6 mbledhjet e fundit, mediat dhe qytetarët nuk kanë qasje se për çfarë është vendosur ose për çfarë është biseduar në këto mbledhje.
Konkretisht, nga mbledhja e 23-të e mbajtur më 3 tetor, asnjë dokument që është miratuar dhe apo biseduar në mbledhjet e Qeverisë, nuk është publikuar, shkruan gazeta KOHA.
Veç Qeverisë që anashkalon shqipen në dokumentet e mbledhjeve qeveritare, ka ministri që madje e kanë mbyllur fare versionin në shqip të faqeve zyrtare në internet. Ministria për Marrëdhënie Ndëretnike, e njohur ndryshe si Ministria për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të cilën e drejton ministri serb Ivan Stoilkoviq, e ka hequr tërësisht gjuhën shqipe. Linku për gjuhën shqipe ekziston, por e njëjta shkruan se “është në rikonstruim e sipër”. Që nga ditët e parë kur Stoilkoviqi mori detyrën e ministrit, versioni në shqip i faqes së ministrisë nuk funksionon.
Njëjtë është edhe me faqen zyrtare të Ministrisë për Administratë të udhëhequr nga ministri i ZNAM-it, Goran Minçev. Ky i fundit është arsyetuar se versioni në shqip është në rikonstruim, por demantohet nga funksionimi tamam në gjuhën maqedonase. Në faqen e Ministrisë së Administratës, nga muaji gusht nuk ka asnjë informatë në gjuhën shqipe.
Ministri Minçev ditë më parë tha shpreson që faqja e re që po përgatitet nga Ministria për Digjitalizim, do ta ketë edhe gjuhën shqipe, megjithëse thotë se komunikatat për opinionin do t’i dërgojë vetëm në maqedonisht. “Ne momentalisht e shfrytëzojmë të vjetrin e MSHIA-së, i cili është ashtu siç është dhe shpresoj që në të ardhmen shpejtë do të vijmë ueb i cili do të jetë në shqip. Nëse mund të hetoni ose nëse vini në kabinetin tim këtu keni edhe në shqip edhe në maqedonisht, titulli i ministrisë. Megjithatë, komunikatat do t’i dërgojmë në gjuhën maqedonase, ai që do të kërkojë për nevojat e tyre do të përkthehen edhe në gjuhën shqipe”, tha Minçevi.
Po kështu ndodhë edhe me faqen e Ministrisë së Drejtësisë. Edhe në këtë faqe ekziston linku për gjuhën shqipe, por materialet publikohet vetëm në maqedonisht. Edhe Ministria për Vetëqeverisje Lokale ka ngecje të mëdha të publikimeve në gjuhën shqipe.
Në ndërkohë, Ministria për Sport, e Energjetikës dhe Ministria e Digjitalizimit – tri ministritë e themeluara së fundmi, nuk kanë akoma faqe zyrtare në internet, transmeton KOHA. Nga ana tjetër, ka ministri që plotësisht e respektojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, konkretisht të gjitha publikimet nxirren edhe në gjuhën shqipe. Ministria për Punë të Jashtme, Financat, Transporti, Bujqësia dhe Ministria e Arsimit janë ministritë që nuk udhëhiqen nga ministra shqiptarë, por që në detaje respektojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Kuptohet që shqipja përdoret tamam edhe nga ministrat shqiptarë. (koha.mk)