I nominuari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pritet që të mërkurën të dorëzojë në Kuvend përbërjen e qeverisë së re, që më pas të caktohet edhe seanca për votimin e saj nga 62 deputetët që përbëjnë shumicën parlamentare,shkruan Radio Evropa e lirë.
Nga BDI-ja ndërkohë kanë vazhduar me deklarata kontradiktore nëse ka ose jo pakënaqësi brenda kësaj partie për ndarjen e resorëve, që mund të rrezikojë edhe votimin e qeverisë.
Nënkryetari i partisë, Izet Mexheti, para seancës së kuvendit ku në rend dite është votimi i nënkryetarëve, tha se ka pakënaqësi për disa zgjidhje kuadrosh dhe se vërejtjet do t’i shpreh në seancën kur do të votohet për qeverinë, por se këto pakënaqësi nuk nënkuptojnë edhe votën kundër. “Kam vërejtët e mia për një pjesë të ekzekutivit. Kemi debatuar thellësisht dhe atëherë kur absorbohet debati dhe argumentimi atëherë për mua fjala e fundit është kryetari i partisë Ali Ahmeti. Pra, nuk dua që unë të kontribuojë për rrënimin e një qeverie e cila ka bekimin e partnerëve tanë, SHBA-së dhe BE-së”, thotë Mexhiti.
Por, Arbër Ademi, ministër i deritanishëm i arsimit dhe tani deputet i BDI-së, mohon të ketë pasur përplasje brenda partisë. “Nuk ka pasur dallime që të ketë tejkalim të dallimeve. BDI-ja gjithmonë është rritur, është zhvilluar në frymën demokratike dhe të një debati të frytshëm. Kështu që ne vazhdojmë me agjendën e paracaktuar”, ka deklaruar Ademi.
Më parë në media u njoftua se qeveria mund të mos votohet nga të paktën tre deputetë të BDI-së, të pakënaqur nga caktimi i disa zyrtarëve të saj në poste ministrore. BDI-ja në qeverinë e re do të ketë gjashtë ministri. Zëvendëskryeministër i parë dhe njëherësh ministër i Sistemit Politik pritet të emërohet, Artan Grubi. Me Ministrinë e Punëve të Jashtme do të udhëheq Bujar Osmani ndërsa Fatmir Besimi me Ministrinë e Financave. Ministër i Ekologjisë është caktuar Naser Nuredini, i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi kurse Jeton Shaqiri, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike. Nga partitë shqiptare, post ministror do të ketë edhe Lëvizja Besa. Arjanit Hoxha nga kjo parti do të emërohet Ministër i Bujqësisë. Resorët tjerë si Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, e Punës dhe Politikës Sociale, e Arsimit, Drejtësisë, e Pushtetit Lokal, Ministria e Transportit, e Shëndetësisë dhe Kulturës, do t’i takojnë LSDM-së./REL