Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuara si dhe zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, thanë të mërkurën se bojkotimi i votimit të 21 prillit për largimin e kryetarëve të komunave veriore të Kosovës, që do të hapte rrugën për zgjedhje të reja, nuk do të sjellë asnjë dobi për qytetarët që jetojnë në ato komuna.
Në një komunikatë të përbashkët ata u bënë jehonë reagimeve që nxiti Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi, e cila tha se nuk do të marr pjesë në votimin e 21 prillit, ndërsa akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po bën përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë.
“Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryebashkiakëve. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri thelbësore e shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatën e pesëshes së njohur si Quinti.
Aktualisht komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviçit dhe Zveçanit, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.
Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës me Serbinë.
“Ne e pranojmë se zgjedhjet e 23 prillit të vitit 2023 nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve. Mirëpo, bojkotimi i votimit të 21 prillit nuk do të sjellë këtë rezultat dhe as nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri. Prandaj, i bëjmë thirrje Listës Serbe dhe të gjithë të tjerëve, të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të përdorin mjetet demokratike në dispozicion për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese”, thuhet në komunikatë.
Diplomatët i bënë thirrje ndërkaq qeverisë së Kosovës që “të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi”.
Vendimi që me 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve të komunave në veri, pasoi një peticion të nënshkruar nga më shumë se 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë. Ndërsa suksesi i referendumit të 21 prillit varet nga pjesëmarrja e 50 për qind plus një të votuesve më të drejtë vote.
Lista Serbe por edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, thanë se kjo pjesëmarrje vështirë se mund të realizohet për shkak të “fryrjes së listave të votuesve”, por pa dhënë asnjë provë për këtë pretendim.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi të martën presidentin Vuçiç për trysni ndaj serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit.
Nëse dështon votimi, një proces tjetër për largimin e kryetarëve nuk mund të organizohet përpara se të kenë kaluar 12 muaj.