Qytetarët në Tiranë kanë protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës. Protesta u zhvillua para Ambasadës Ruse në Tiranë. Me pankarta në duar dhe flamurin ukrainas, protestuesit kanë bërë thirrje kundër luftës. “Shqipëria është me ju”, u dëgjuan nga turma thirrjet e qytetarëve.
Protestës i janë bashkuar edhe ukrainasit që jetojnë në Shqipëri.
Në këtë protestë ka qenë i pranishëm edhe ambasadori ukrainas në Tiranë, Volodymir Shkurov tha se Kievi sot ndodhet në zjarr dhe se 16 fëmijë janë vrarë.
Ambasadori Shkurov: Sot nuk do të flas për njerëzit dhe jetë. Dua t’i drejtohem popullit shqiptar dhe të theksojmë se sot është një popull paqësor. Sot ato flasin për atë që mendojnë dhe ajo që mendojnë është paqja. Sot lufta duhet të ndalohet. Kievi është në zjarr. 16 fëmijë kanë vdekur në momentin që flasim. Dje një nga raketat ka rënë në një nga spitalet.
I bëj thirrje popullit rus, se kanë një person që ka në dorë një buton të kuq. Sot nuk mendojmë vetëm për Ukrainën, por dhe Europën, duam një të ardhme paqësore. Populli rus ti thotë liderit të vet jo luftës, dhe kjo duhet të ndalet. I përulem popullit shqiptar që është ngritur në këtë protestë.
Shpresoj që diçka të arrihet në negociatat që do zhvillohen. S’ka një shtet që mund të mbrohet nga armët bërthamore, por ju drejtova popullit rus që t’i flasin kreut të tyre.’-tha Shkurov.
“Stop luftës”, “Putin, terapia kushton më pak se lufta”, “Bota duhet ta ndalojë Rusinë”, shkruhet në pankartat në duart e protestuesve.
Kujtojmë se njerëzit në mbarë botën, përfshirë Rusinë, po dalin në rrugë për të protestuar kundër pushtimit rus në Ukrainë, duke valëvitur pankarta dhe flamuj me ngjyra ukrainase dhe duke u bërë thirrje qeverive të tyre që të ndërmarrin veprime dhe të vendosin sanksione kundër Rusisë.
Për katër ditë me radhë, Ukraina ndodhet nën pushtimin rus. Mes këtij tensioni, palët kanë rënë dakord që nesër të dialogojnë mes kufirit Bjellorusi-Ukrainë.