Realpolitik “ flash” Nr. 42 , 15 – 31 MARS 2022: Biden Betonon Bashkimin! Perëndimi “ Perëndon” Putinin! Fitore si e Pirros?” Plot Ndërmjetësues, Pak Ndërmjetësim! Dilentatizëm Diplomatik!
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 5 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur
DR. Jorgji KOTE
1.Biden Betonon Bashkimin Perëndimor! Po, kjo mund të thuhet me gojën “ PLOT” pas tri samiteve të zhvilluara në Bruksel më 25 Mars – G-7, BE-së dhe NATO-s. Me praninë fizike të Presidentit Joe Biden dhe mesazhet e tij tashmë të njohura. Çfarë kontrasti i dukshëm me 5 vite më parë kur erdhi në Bruksel paraardhësi i tij Trump! Nën lidershipin amerikan, Perëndimi është ribashkuar si asnjëherë në këto 30 vitet e fundit. Me unitet dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur me çdo kusht dhe çmim vlerat dhe parimet themelore demokratike! Ndaj përmendet me ironi se Putini me këtë agresion absurd “i bëri nder” Perëndimit, i cili po nxjerr shumë mësime nga pësimet lidhur me qëndrimet ndaj Rusisë. Tani Putini po e sheh qartë gabimin e tij strategjik kur mendoi të shfrytëzonte dhe shtonte përçarjet brenda Aleancës në Ukrainë. Mirëpo, siç thotë populi, kush “ mbjell erë, do të korri furtunë”
2. Perëndimi “Perëndon” Putinin! Kjo është rrjedhoja e madhe historike e unitetit të Perëndimit përballë 10 gabimeve strategjike të Putinit, të përmendura më parë në këtë rubrikë. Duke iu përgjigjur Rusisë me një katalog dhe “ arsenal” masash dhe sanksionesh të papara ndonjëherë që do t’i “ kallin datën Rusisë”. Plot 600 sanksione po zbatohen tashmë ndaj saj, njera më e rëndë se tjetra nga 60 pas vitit 2014!. Të mos harrojmë se efektet e tyre ndonëse kanë filluar, do të ndihen pak më vonë dhe më shumë në jetën e përditshme. Ndaj, me të drejtë Presidenti Biden tha se “ Putini nuk e di se çfarë e pret”! Në fakt, “Ylli” i Putinit ka filluar perëndimin e vet; i izoluar ndërkombëtarisht, i përjashtuar nga KiE-ja, me shumë gjasa dhe nga G-20, i dënuar nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me 141 vota, rekord historik dhe nga GJND në Hagë, i shoqëruar me protesta të fuqishme kudo në botë e kështu me radhë. E çfarë duhet më për perëndimin e tij dhe të ushtrisë ruse që po çmitizohet dita ditës në Ukrainë, përballë guximit dhe heroizmit të gjithë popullit dhe ushtrisë së saj dhe solidaritetit të paparë ndërkombëtar me Ukrainën?
3. “ Fitore si e Pirros?” Atëhere Rusisë dhe Putinit i mbetet vetëm një fitore e mundshme ushtarake, falë supremacisë në numër dhe armatime kundrejt Ukrainës. Por dhe aty i “ ka ngecur sharra në gozhdë” Dështoi të kapte Kievin, duke u larguar “ me bisht ndër shalë” prej tij, hasi në një rezistencë me humbje të mëdha në qytetet dhe rajone të tjera, iu vranë 8 komandantë të lartë të ushtrisë, probleme të shumta me furnizimet me karburant, municion dhe ushqim, mungesë motivimie ushtrisë në luftë me moralin të rënë për tokë, etj. Tashmë po riorganizohet dhe rigrupohet mesa duket me synimin për ta ndarë Ukrainën në dy pjesë, mbasi pushtimi i tërë i saj dështoi si aventurë e rrezikshme e paralajmëruar. Për pasojë, sido që të ndodhë, dhe siç “duken bathët”, dhe në aspektin ushtarak, në rastin më të mire për Rusinë mund të bëhet fjalë vetëm për një “ fitore si e Pirros”
4. Plot Ndërmjetësues, Pak Ndërmjetësim me dialogun Prishtinë – Beograd që ka mbetur në vend numëro për muaj të tërë. Vetëm fjalë, pohime, premtime, por shumë pak lëvizje. E kundërta ka ndodhur me të dërguarit ndërkombëtarë në Ballkanin Perendimor dhe për këtë dialog. Lajçak-ut të BE-së dhe dhe Escobar-it të SHBA-ve, u janë shtuar të dërguarit e posaçëm nga Gjermania dhe Britania e Madhe; madje, ditët e fundit, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ( KiE) caktoi dhe ajo të dërguarën e saj, ish kryediplomatën e njohur, Dhora Bakoyanis, pra një ekip me 5 ndërmjetësues, tri prej të cilëve nga vende që nuk e njohin Kosovën!. Përpara një viti, në këtë rubrikë, kur ishte paralajmëruar caktimi i ndërmjetësuesve të tjerë veç BE-së, patëm përmendur proverbin tonë të njohur “ shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk” Mirëpo, mesa duket “fëmija” është ende larg lindjes, le pastaj “gjinia dhe shëndeti” i tij. Ja pse është momenti që pa qenë nevoja për emisarë të tjerë, BE dhe SHBA-të, si 2 aktorët kryesorë të ulen këmbëkryq, të përcaktojnë një axhendë përfundimtare, të shtojnë trysninë ndaj të dyja palëve, ama jo sipas parimit “ njëri i nënës dhe tjetri i njerkës” dhe të vijojnë me intensitet dialogun. Ndryshe, ndërmjetësuesit do të shkojnë dhe vijnë, mund dhe të ndërrohen, por do të përsëritet e njejta histori e 11 viteve të shkuara, sërish duke iu referuar një fjale të urtë “ me fjalë të mira dhe gurë në trastë” Agresioni rus ndaj Ukrainës dhe sfida e tij ndaj Perëndimit në përgjithësi është kushtrim i fuqishëm për rezultate praktike dhe jo vetëm “ec e jake” diplomatike boshe.
5. Dilentatizëm Diplomatik E kemi fjalën për kërkesën zyrtare të Kosovës për t’u pranuar në NATO, madje dhe në BE, për shkak të rrezikut rus. Kjo kërkesë u hodh poshtë menjëherë me gjuhë diplomatike nga NATO, diçka e kuptueshme. Ok, secili vend dhe diplomacia e tij duhet të përfitojnë nga situatat, ama brenda mundësive, pa krijuar boomerang dhe nëpërmjet kanaleve diskrete diplomatike. Sepse “ edhe bufi e di” se antarësimi i Kosovës në NATO mbetet i pamundur mbasi 5 vende antare të saj nuk e njohin atë dhe veç Greqisë, nuk po japin asnjë lloj shenje. Kësisoj, do të ishte më mirë të bisedohej me këto vende në konfidencë, pa e bërë publike, duke nxitur kësisoj xhelozinë e Beogradit e të Moskës dhe “ gëzimin “ e tyre për përgjigjen negative. Për fat të keq, këtë dilentatizëm diplomatik Kosova e ka shfaqur disa herë gjatë aplikimeve për antarësim në UNESCO dhe INTERPOL, ku ka shfaqur kryesisht inat, por pa takat.
E tillë është pak a shumë dhe kërkesa e përsëritur e artikuluar nga Ministrja Xhaçka disa ditë më parë në Nju Jork për çeljen e negociatave tona me BE-në. Kur dihet se nuk është Brukseli, por Sofja që e ka bllokuar. Atëhere, në vend të bësh zhurmë të panevoshme në “Pallatin e Kristaltë”, ku nuk ta ve veshin njeri për negociatat apo ca më keq akoma t’i japësh mend BE-së, më mirë “hidhu një vrap” në Sofje e Shkup dhe fol me të dyja palët; duke u rikujtuar të shpejtojnë marrëveshjen mes tyre deri në Qershor, sepse po e pësojmë dhe ne prej tyre.
© 2022 Argumentum