Gjatë vizitës që po zhvillon në Izrael, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim edhe me drejtuesin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Izraelit, Gaby Portnoy.
Rama u shpreh se Agjencia e Sigurisë Kibernetike të Izraelit, do të jetë partneri strategjik i Shqipërisë në fuqizimin e mbrojtjes kibernetike dhe ngritjen e një qendre ekselence për sigurinë kibernetike.
Kryeministri Rama nisi dje një vizitë zyrtare në Izrael, ku u prit në takime nga kryeministri Yair Lapid dhe ministri i Financave, Avigdor Lieberman.
Axhenda e takimeve të kryeministrit Rama në Izrael vijoi sot me takimin me presidentin Isaac Herzog dhe kryetarin e Kuvendit, Mickey Levy.
Po ashtu, Rama mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Lëvizja “Lufto Antisemitizmin” në Jeruzalem, ku u shpreh sot se shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk është thjesht një faqe e bukur e historisë së Shqipërisë, por është një thesar shumë i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kombëtare.
Rama, në vijim të vizitës në Izrael, u prit në një takim nga lideri i opozitës, Benjamin Netanyahu.
Fokusi i takimeve me zyrtarët izraelitë është siguria kibernetike dhe sulmet kibernetike iraniane ndaj vendit tonë.