Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “është koha që bankat e nivelit të dytë t’i bashkohen Revolucionit Digjital, për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat e vonesat e shërbimeve të epokës së vjetër, njësoj siç u bë me shërbimet publike me dokumentet”.
Kryeministri Rama, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantuan sot nismën e Revolucionit Digjital për bankat e nivelit të dytë, për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat e vonesat e shërbimeve.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të bankave të nivelit të dytë, Rama tha se “nuk ndodh që gjithë ky revolucion digjital të ndalojë dhe t’ju presë juve”.
“Ju duhet të bashkoheni me revolucionin digjital dhe të bëheni shembull, duke bërë secili pjesën e vet. Është shokuese sot që panorama e sotme e nivelit të teknologjisë së bankave është kjo që është”, tha Rama.
Duke folur për revolucionin digjital me shërbimet publike online, Rama theksoi se “ne u kemi kursyer qytetarëve mbi 7.1 milionë euro”.
“Ne kemi ngritur një grup pune që ka filluar punën mes nesh dhe BSH. Jeni të mirëpritur t’i bashkoheni me përfaqësues të shoqatës suaj, por duhet të mos jetë një figurë antiteknologjike apo pjesë e këtij mentaliteti. Duhet të thjeshtojmë procedurat, të reduktojmë dokumentet shoqëruese dhe të bëjmë maksimumin që jeta e qytetarëve dhe bizneseve në marrëdhënie me bankat të lehtësohet maksimalisht”, tha Rama.
Rama theksoi se “raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e renditi Shqipërinë të parën në rajon dhe të 17-ën në listën e vendeve që mbulon me aktivitetin e saj BERZH-i, një pozicion për hir të së vërtetës shumë domethënës, si rezultat i një pune jashtëzakonisht voluminoze dhe intensive që kemi zhvilluar për vite të tëra për ta transformuar të gjithë sistemin tonë të qeverisjes, përmes digjitalizimit dhe për të transformuar vet shërbimet publike falë digjitalizimit”.
“Prej 1 majit nuk ka më sportele fizike të administratës për shërbimet me dokumente dhe të gjitha shërbimet ofrohen online, konkretisht 1225 shërbime për të cilat aplikohet dhe merret përgjigja po online me nënshkrim apo me vulë elektronike. Mbeten fizikisht vetëm 5 % e shërbimeve, për të cilat është e domosdoshme prania e personit, apo kur bëhet fjalë për mjetet, sepse teknologjia akoma nuk na ka dhënë ndonjë zgjidhje se si mund të martohemi online, për shembull, por me siguri do vijë dhe kjo”, tha ai.
Ndërkohë, Rama tha se “për fat të keq në të njëjtin raport, Shqipëria merr një vlerësim tejet të ulët për IComers dhe faktikisht kur vjen puna tek bankat ne jemi të fundit në rajon, se në pjesën tjetër po se po”.
“Dhe të jemi shumë realistë, kjo është një mospërputhje shumë dramatike me aspektin tjetër të gjithë punës së sistemit bankar dhe me vetë qëndrueshmërinë e një sistemi bankar të konsoliduar dhe shumë profesional. Por radhët në dyert e bankave që në sabah me njerëz që i orienton një roje aty jashtë nuk janë ngjarje të përditshme të kontinentit ku jetojmë. Kështu që, ne jemi këtu për t’ju thënë që Shqipëria nuk mund të jetë në një vend aq të lartë në klasifikimin e përgjithshëm, duke lënë pas në këtë klasifikim edhe vende të zhvilluara, dhe natyrisht kjo është mrekullia e teknologjisë që i jep mundësi një vendi që është në zhvillim apo që ka një prapambetje të caktuar, në raport me vende shumë më të zhvilluara që të bëjë një kapërcime të mëdha në njësi kohe të shkurtër. Ndërkohë që, nga ana tjetër jemi ku thërret qameti në shërbimet online të bankave”, shtoi ai.
Rama tha se “çdo muaj, dhe saktësisht në datën 14, shumë sipërmarrje shkojnë nëpër banka për të paguar TVSH-në”.
“Prapë çdo datë 20, shkojnë nëpër banka për të paguar detyrimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të tyre. Një ritual që nuk besoj se ju vjen mirë dhe ju që ta keni te dera e bankës, ndërkohë që një konsum kohe, një konsum energjie, një konsum nervash dhe një konsum imazhi në tërësi i denjë për vite e vite të shkuara, jo më për kohën që jetojmë, jo më për ambicien që kemi për Shqipërinë. Qytetarët po ashtu, derë më derë të bankave “jo ke radhën ti, jo kam radhën unë”, sikur është radha e dikurshme e qumështit, apo radha e deridjeshme e sporteleve të shtetit që ishin një trup dhe faqe e zezë”, tha ai.
Ndërkohë, Rama theksoi se “duke qenë se qytetarët sot kanë gjithë këtë akses të lehtë dhe gjithë këtë shpejtësi të madhe në marrjen e shërbimit nga e-Albania është normale që të ankohen gjithmonë e më shumë për bankat”.
“Nuk ka pse një qytetar që ka një kartë krediti, qoftë debiti, qoftë online banking dhe të ikë të nisët për te dera e bankës për të paguar për një shërbim publik, po njësoj siç bën me e-Albania-n mund të kryejë dhe pagesën aty në e-Albania dhe kjo mund t’i konfirmohet në kohë reale, është plotësisht e realizueshme teknikisht dhe ky është një transformim që nuk është më koha ta diskutojmë, është koha ta bëjmë”, tha ai.
Rama kujtoi përpjekjet e qeverisë për zbatimin e shërbimeve online, duke sjellë shembullin e lëshimit të certifikatave në gjendjen civile.
“Sigurisht nga 7, 8 apo 10 milionë certifikata në vit, prapë po lëshoheshin me letra 1.5 milionë certifikata. U detyruam të nisim grupet për të marrë letrat mbrapsht, bllokuam prodhimin e letrave për certifikata, se janë edhe letra me vlerë, dhe shkuam u morëm letrat nga duart, u morëm dhe printerët dhe shpresojmë të ketë mbaruar dhe ky operacion se mos dalë ndonjë printer pastaj te ‘Stopi’ a te ‘Fiksi’, që ka mbetur akoma që vazhdon operon. Faktikisht shërbimi vazhdon, kështu që ngarkime, shkarkime mandatesh, urdhrash, pagesa nëpër copa letrash, kur të gjitha këto mund të bëhen përmes platformës e-Albania janë absolutisht të papranueshme më dhe kështu rritet vlerësimi për Shqipërinë, por sigurisht që ulen kostot”, tha ai.
“Tani, unë e di që bankat për fitimin, nuk njohin nënë e babë, se për atë punë janë krijuar, të mos njohin nënë e babë, po jo deri këtu tani. Kam parë raportet e diskutimet të bëra mes nesh dhe jush dhe kundërshtime dhe kontestime pa lidhje fare për të përmirësuar teknologjinë tuaj. Bankat e nivelit të dytë, natyrisht ky nuk është një takim ku unë mbaj një fjalim dhe ta mbyllim me kaq, juve do thoni pjesën tuaj sigurisht, por unë do them ato që besoj na takojnë ne të themi. Këtu jemi bashkë me ministren e Financave, me Guvernatorin, me drejtoren e AKSHI-t dhe për të gjitha gjërat do diskutojmë, por bankat e nivelit të dytë kanë kostot 5 deri në 20 % për çdo pagesë të kryer në sportel apo në e-banking. Dhe është e pamundur për ne të përballojmë gjithë këtë fluks në rritje të ankesave të qytetarëve që thonë: ”Po mirë, ça vlere ka që ne marrim shërbimet me shpejtësi nga e-Albania dhe pastaj duhet të shkojmë të harxhojmë 2 orë, 3 orë në radhë në bankë për të paguar 5 mijë lekëshin?””, shtoi ai.
Po ashtu, Rama tha se “nuk mjafton vetëm kjo, por çdo pagesë që bën qytetari apo biznesi për një shërbim online që e merr nga qeveria menjëherë, banka e rikonsilon ditën e nesërme”.
“Pra ti mund ta kesh afatin sot për të bërë një aplikim në shtet, e bën tek e-Albania, e bën nga shtëpia, e bën nga telefoni dhe të djeg pagesa e bankës, pavarësisht se ti mund të bësh edhe pagesën, duhet të presësh deri të nesërmen, sepse institucionit i duhet një ditë dhe ky është rasti më i mirë, sepse ka ankesa, sidomos për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës ku është edhe fluksi më i madh, kur konfirmimi nga banka vjen me disa ditë vonesë. Ça është kjo? Ku jetojmë? Në cilën kohë? Në shekullin e XX jemi akoma? Jemi në shekullin XXI. E nëse për pjesën e interesit tuaj, ju jeni në shekullin XXI për hir të së vërtetës dhe nëse sistemi bankar i Republikës së Shqipërisë ka qenë një nga pionieret e zhvillimit të transformimit, në këtë aspekt juve jeni si fermerët, njësoj, por me ndryshimin që ju jeni banka dhe fermerët janë punëtorë të tokës. Fermerët nuk kanë domate vizuale apo bishtaja virtuale për të shitur. I kanë fizike dhe duhet t’i sjellin fizikisht, se ndryshe nuk janë ushqim”, tha ai.