Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive tha se, Berisha e Meta kërkojnë që në vendoret e 14 majit të marrin pengje për t’i kthyer bashkitë në kështjella rezistence kundër regjimit, për interesat e tyre personalë.
Rama theksoi se, “problemi i këtyre zgjedhjeve janë kandidatët e vendosur kundër nesh, nga dy individë, që janë individët më problematikë sot në Shqipëri dhe janë individët më problematikë për Shqipërinë. Natyrisht që ky është fakti më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve, dhe natyrisht që me këtë fakt ne do merremi”.
“Zgjedhjet sot janë vendore, por zgjedhjet vendore janë shumë të lidhura me drejtimin e vendit, me partneritetin me qeverinë, janë shumë të lidhura me arsyen pse kandidatët kërkojnë votën. Kandidatët e tyre e kërkojnë votën për të marrë pengje ku të munden dhe për t’i kthyer bashkitë në kështjella rezistence kundër regjimit”, shtoi ai.
Rama shprehu qëndrimin e tij për Sali Berishën, ku theksoi se ai është i damkosur nga SHBA, e cila e akuzon për minim të demokracisë.
“Zëri që e kisha pas kurrizit është zëri i dikujt që e ka në lule të ballit, damkën si person i padëshiruar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor dhe për minim të demokracisë, po kështu nga Britania e Madhe dhe po kështu nga Bashkimi Evropian, që nuk e ka këtë mekanizëm, por ka të njëjtin qëndrim kur vjen fjala për të damkosurit nga SHBA-të”, tha Rama.