Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca inspektuan sot ambientet e kompanisë “Riviera” në Kamzë, një sipërmarrje e ngritur nga 4 vëllezër, që kursimet e tyre të emigracionit i investuan në Shqipëri duke ndërtuar këtë pikën grumbullimi spektakolare, ku mbledhin prodhime nga një rrjet fermerësh në të gjithë vendin.
“Me mbështetjen e qeverisë përmes programit IPARD, kjo pikë ka 12 dhoma frigoriferike me një kapacitet prej 7 mijë metër kub, dhe paga mbi 50 mijë lekë për punonjësit e saj”, shtoi Rama.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u shpreh se, “kompania e ka kryer investimin në vitin 2021 dhe e futi në eficiencë vjet, grumbullimin e fruta-perimeve dhe e ka vënë në punë”, teksa vuri në dukje se këtu janë të punësuar aktualisht rreth 10 punonjës, grumbullues, përpunues, ekonomistë etj.
Krifca shtoi se “në Kamzë një pikë grumbullimi si kjo nuk ekziston. Është aktualisht një qendër reference praktikisht. Ka grumbulluar mollët nga e gjithë zona e Dibrës dhe zona e Korçës”.
“Isha në një vizitë në Itali javën e kaluar, takova ministrin e Bujqësisë atje dhe i kam kërkuar të sjellin një përfaqësi këtu të bizneseve, hipermarketeve italiane, zinxhirëve të tregtisë atje, në mënyrë që ata me sytë e tyre të shohin se çfarë kapacitetesh grumbulluese kemi ne, që janë fantastike, sepse janë të bëra me teknologjinë e fundit dhe kemi lënë me ministrin një axhendë të tillë”, tha Krifca.
Ministrja shtoi se, “plani i biznesit është për t’u ndërtuar këtu një përpunim të thelluar ngrirës të produkteve bujqësore, në mënyrë që atë import që kemi, që na është shtuar, importi i produkteve bujqësore, të përpunuara, pra të ngrira, të kryhet në vendin tonë, se nuk ka arsye që ne të eksportojmë produkte bujqësore të freskëta dhe të importojmë pastaj produkte të ngrira. I kemi të gjitha kapacitetet dhe një biznes si ky patjetër që mund ta bëjë këtë”.
Sa i përket eksporteve, ministrja Krifca u shpreh se, “jemi shumë mirë. Kemi aktualisht shifrat e fundit të janar-nëntor. Jemi në 49 miliardë lekë, kështu që të përkthyer kjo në një kurs me dollarin 1 me 1, siç e kemi parashikuar që në fillim të vitit, ne do ta kapim patjetër objektivin që kemi pasur për 500 milionë dollarë brenda dhjetorit”.
Kryeministri Rama theksoi se, “hapat e parë të përpunimit kanë filluar të hidhen. Këtu është faza tjetër tani që duhet të përpunojmë këtu që të mos mbetemi. Kjo pjesa e sistemit të grumbullimit dhe eksporteve të prodhimeve të freskëta është konsoliduar dhe natyrisht do të zhvillohet dhe do të ketë korsinë e vetë. Kurse korsia e re tani që është hapur, por do shumë punë tani është korsia e përpunimit. Duhet të përpunojmë këtu, të kemi të gjithë salcat, reçelrat, kompostot, ingredient të tjerë që rezultojnë nga përpunimi, në mënyrë që pastaj asnjë kokërr fruti apo perime të mos hidhet. Ajo pjesë që nuk është 100% cilësore për eksportin të përpunohet dhe të jetë vlerë e shtuar”.
Nga ana e saj ministrja Krifca deklaroi se, “transformimi që kemi bërë përmes mbështetjes së pikave të grumbullimit ka qenë vlerë e shtuar në rritjen e eksporteve”.
“Aktualisht kemi rreth 270 pika grumbullimi në të gjithë vendin. Rreth 165 prej tyre janë të mbështetura financiarisht përmes programeve tona të mbështetjes. Nuk do të kishte qenë e mundur që një investim i tillë të kryhej pa këtë program mbështetjeje. kështu që ne në parlament të enjten çojmë programin IPARD 3, i cili vjen me një vlerë edhe më të madhe të shtuar të financimit, me masa të tjera. Shkojmë në 146 milionë euro mbështetje për programin IPARD 3 deri në 2027-ën. Kështu që vijojmë punën pikërisht për të kryer përpunimin e thelluar në vend”, tha ministrja Krifca.
/Argumentum.al