Kryeministri Edi Rama kërkoi sot që makineria e bashkisë së Tiranës nuk duhet të fiket në asnjë minutë por duhet të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet.
Në një takim me punonjësit e bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, Rama i siguroi ata se deri kur të vendoset çështja e kryetarit të bashkisë vëmendja e tij për bashkinë e Tiranës për nevojat e punës do të jetë e pandërprerë.
“Barra juaj e përbashkët është që makineria e bashkisë së Tiranës të mos fiket asnjë minutë, por të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Unë jam këtu për t’ju thënë të gjithëve ju se deri kur çështja e kryetarit të bashkisë të vendoset në një drejtim apo një tjetër, vëmendja ime për bashkinë e Tiranës, për nevojat e punës suaj do të jetë e pandërprerë”, theksoi Rama.
Kryeministri theksoi se nuk i takon atij të thotë nëse Veliaj është i pafajshëm apo fajtor.
“Pavarësisht se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim edhe në këtë rast dhe t’ia lë drejtësisë ta ndajë këtë dilemë, duke mbështetur plotësisht organet e drejtësisë”, shtoi Rama.
“Uroj dhe dua të besoj akoma se përtej asaj çka mendojnë për fajësinë e tij organet e drejtësisë do t’i japin kryebashkiakut të Tiranës të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz duke i dhënë fund praktikës brutale të prangave pa gjyq për kryebashkiakë dhe për punonjës të shtetit në detyrë, kur as janë kapur në flagrancë, as paraqesin ndonjë rrezik arratisje, as kanë çfarë provash të prishin”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria që ai drejton, shembi arkitekturën e vjetër të drejtësisë me Reformën në Drejtësi ndërsa me procesin e vetingut, pastroi një pjesë të rëndësishme të sistemit.
“Ashtu siç ne e transformuam Tiranën, nga një ferr mbi tokë, në një qytet europian, me vizion kurajo dhe mundime, shumë të mëdha, ashtu ne kemi vendosur të transformojmë edhe drejtësinë në Shqipëri. Ashtu siç shembëm ato ngrehinat e shëmtuara, që kishin varrosur parqet nën barqet e tyre plot ujëra të zeza, ashtu kemi shembur arkitekturën e vjetër të drejtësisë me Reformën në Drejtësi. Dhe me Vetingun, kemi pastruar një pjesë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, të cilin e trashëguam nga ekzaktësisht nga po ata që trashëguam Tiranën e 25 viteve më pare”, deklaroi Rama gjatë një takimi me punonjës të bashkisë së Tiranës.
Rama tha se për këtë, opozita i ishte kundërvënë, njëlloj siç i ishte kundërvënë kur ndërtoi hyrjen e Tiranës te “Zogu i Zi”, apo sheshin “Skënderbej”.
“Dhe tamam ashtu siç na u kundërvunë me dhunën e injorancës së tyre dhe me llumin e kënetës ku kanë 30 e kusur vite që llokoçiten edhe kur nisëm të ndërtonim hyrjen moderne të “Zogut të Zi”, edhe kur nisëm të ndërtonim sheshin “Skënderbej”, duke ia vënë kazmën që të dyjave, për t’i zëvendësuar me shpifësirat e tyre antiqytet, ashtu duan t’i vënë kazmën edhe Reformës në Drejtësi, SPAK-ut dhe llogores sonë të luftës kundër korrupsionit”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri vuri në dukje se Reforma në Drejtësi do të marrë kohën e saj për t’u ndërtuar dhe se organet e reja të drejtësisë nuk kanë se si të jenë të pagabueshme.
“Ashtu si Roma, që nuk u ndërtua në 7 ditë, edhe Tirana e re mori vitet e saj edhe drejtësia e re do të marrë të sajat, teksa dhe po ashtu njëlloj si ne, që të gjithë në detyrën tonë bëjmë gabime, bën më shumë gabime ai që punon më shumë se sa ai që nuk di çfarë është puna, edhe organet e reja të drejtësisë nuk kanë se si të jenë të pagabueshme”, theksoi Rama.
Unë e di mirë, vijoi ai, që gabimet tona nuk shkatërrojnë jetë njerëzish, familje, sipërmarrje dhe deri edhe interesa publike, siç ndodh kur gabon drejtësia.
“Dhe të kërkosh nga një drejtësi e re, me kaq pak vite pavarësi, dhe kaq pak kulturë europiane, akoma siç është kjo e jona, për më tepër në një klimë të hajvanizuar totalisht nga prokurorët televizivë, gjykatësit digjitale dhe nga opozitarët kallajdalë, është njëlloj si të hedhësh një fëmijë në ujë e t’ i thuash mos u lag”, tha ai.
Por, theksoi Kryeministri, nuk ka asnjë alternativë të ndarjes së palëkundshme me historinë 100 e kusur vite të pandëshkueshmërisë pa kosto.
“Pa marrë përsipër edhe kosto, kosto politike, morale, kosto njerëzore të dëmeve kolaterale si kjo që ne e kemi udhëhequr me Reformën në Drejtësisë dhe që nëse duam që Shqipëria e nesërme të jetë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë, siç është Tirana sot, europiane për të gjithë, atëherë duhet të shtrëngojmë dhëmbët të durojmë dhe të vazhdojmë të luftojmë. Nganjëherë këto dëme janë vërtet sa të dhimbshme edhe të padrejta, por kush udhëheq nuk duhet të lëkundet nga asnjë dhimbje në rrugën e drejtë të përmbushjes së vizionit për të cilin e kanë zgjedhur, përndryshe asgjë nuk ndryshon ose ndryshon për keq e degradon e kalbet si Tirana kur në vitin 2000 hyra në bashki”, u shpreh Rama.
/Argumentum.al