Shumica kurrë s’është e drejtë. Asnjëherë, këtë ua them unë! Kjo është një nga ato lloj gënjeshtrat në shoqëri që nuk e ndihmon dot as edhe një njeri të vetëm të lirë dhe inteligjent të ngrihet kundër. Cilët janë njerëzit që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë – ata inteligjentë apo budallenjtë? Ky postulat është tërhequr nga “Armiku i Popullit” të dramaturgut të njohur Henrik Ibsen.
Në fakt, marrja e shumicës së vendeve në parlamentin shqiptar në zgjedhjet e fundit nga zoti Rama është përcjellë si një fitore absolute dhe si një revansh, mbi një opozitë krejt apatike dhe me vizion të cunguar. Për fatin e tij, me gabimet e pareshtura dhe me mungesën totale të një strukture qëndrimesh dhe qëllimi të opozitës, kryeministri Rama po lundron i qetë në pushtetin e vet, i cili po e deh gati në forma të pamenduara. Këtë e sheh nga leksiku dhe qëndrimi i tij, por edhe nga deklaratat e fryra, që i lënë vendin njëra-tjetrës.
Shqiptarët që mezi ranë rehat nga mbledhjet kilometrike të Ekzekutivit Berisha dhe qesëndive të tij, tashmë i janë dorëzuar një propagande, që ajo që bëhej dikur nga regjimi do të dukej krejt e përkorë. Edi Rama është prezent në vende të ndryshme brenda 24 orëve (!!!), kurse media ndjek hokat dhe batutat më intime me një grup njerëzish që i plotësojnë skenografinë Burrit të Shtetit. Kaq mirë e përgatitur gjithçka saqëv Ramës i mbetet të ndërrojë xhupat sportivë dhe të verë në kor shumë banorë hallexhinj sesi u ka zgjidhur hallet. Këta nuk pakësohen por shtohen dhe shtohen kudo, që ai shkel. Më keq akoma, askush nuk e frenon këtë kinezëri, duke na i sjellë ta gjalla ditët e diktaturës.
Askush nga ana tjetër, ose mjeshtrit e tij të komunikimit, nuk i thonë se komunikimi bëhet duke e transmetuar mesazhin nga A te B dhe jo nga A te A. Zoti Rama është përgjegjës bashkë me administratën e tij për strukturat që ngre për të zgjidhur hallet dhe jo për zgjidhjet sporadike, të cilat bëhen me telefona dhe nga portali i tij.
Por, qyqarët që u zgjidhen hallet nuk duan t’ja dinë. Ashtu si një masë e madhe presin nga Basha që protesta e 16 Marsit të jetë dita e fundit e Ramës si kryeministër. Ata duan thjesht të zgjidhin hallet e tyre. Në emër të një relaksi momental, të peshës që i hiqet, një qytetar i thjeshtë i këtij vendi është gati të thotë broçkullat nga më të mëdha.
Rama dhe kolegët e tij harrojnë se janë zgjedhur për të shërbyer dhe për të qenë kokulur. Jo, Rama nuk e kupton sepse nuk e kuptojnë dot dhe njerëzit e tij të komunikimit. Ndaj, në podiume del i ngazëllyer me hoka të sikletshme, shpërndara kudo, e që bëjnë të qeshin vetëm militantët.
Politika nuk është një cak, por konsiderohet një mjet. Në asnjë rast, nuk duhet konsideruar si një produkt, pasi përbën një proces. Është arti i qeverisjes. Ashtu si vlerat e tjera ka edhe falsifikimet e saj. Sot, kaq shumë theks i është vënë falsitetit, saqë rëndësia e së vërtetës është errësuar kurse politika tashmë na shfaq kuptimin e egoizmit dinak, në vend të shërbimit të sinqertë, do të shprehej dikur Calvin Coolidge.
Kryeministri ynë nuk e kupton më se në çfarë udhe është futur, por edhe se ku po e drejton vendin. Dikush duhet ta ruajë Ramën nga deliri, sepse me këtë rast do të ruajë vendin nga kaosi, që e ka ngërthyer. Dikush duhet t’i thotë se falsiteti shitur plot ngjyra lëbyrëse, është aspak i lidhur me realitetin, që jetojmë.
Kjo të vinte ndërmend teksa dëgjoje delirin e tij me banorët e mbledhur në Fier dhe vuajtjen e militantëve të opozitës tutje, neveritur prej tij, që grishnin më kot të dëgjoheshin./gsh