Qeveria do të miratoje një gjobë për bizneset e mëdha, që tradhtojnë me papërgjegjshmëri të plotë sociale punonjësit e tyre, duke mos marrë mundimin të bëjnë aplikimin për pagën e luftës, në emër të kompanisë për ta.
“Në mënyrë të përsëritur, individë që përfitojnë nga Paketa e Zgjeruar, më shkruajnë në Whatsap, drejtohen këtu (ku u lutem të jenë konkretë e të lënë të dhëna të sakta për biznesin ku kanë punuar, jo komente të përgjithshme), në Ministrinë e Financave ose tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e me plot të drejtë ankohen se punëdhënësi i tyre (disa subjekte në kategorinë biznes i madh), nuk aplikon për ta dhe kësisoj ata nuk po e marrin dot ende pagesën 40 mijë lekë”, tha Rama.
Ai theksoi se “bëhet fjalë për punonjës të larguar nga puna deri në datën 10 prill, të cilëve një numër jo i madh po as i vogël punëdhënësish u kanë kthyer kurrizin”.
Kryeministri theksoi se “kjo është e patolerueshme”.
“Kush nuk do ta marrë mundimin të aplikojë tek tatimet, që punonjësit të marrin pagesën 40 mijë lekë, do të gjobitet për çdo punonjës që ka braktisur në këtë mënyrë të patolerueshme! Pikë e zezë! T’u mohosh punonjësve të tu një pagesë që s’ua jep ti po shteti!!! Le të provojnë të mos e bëjnë urgjent dhe e shohim sa mirë do u dalë kjo papërgjegjshmëri sociale”, tha Rama.
Ndërkohë, ai theksoi se “vazhdon shpërndarja e ndihmës financiare dhe këtë javë nis lëvrimi i këstit të dytë të pagës së luftës, si edhe ndihmës ekonomike dyfish”.
Kryeministri theksoi se “po vijojmë të asistojmë rreth 3 mijë individë që nuk kanë aplikuar për pagën e luftës, si edhe një numër individësh të tjerë, të cilëve u është miratuar, por ende jo lëvruar paga për shkak të pasaktësisë në aplikime, ku nuk kanë njoftuar kodet e duhura bankare”.
“Asnjë s’do mbetet pa marrë atë që i takon me ligj e me zakon”, siguroi Rama. —– Tatimet/ 75 818 aplikues kane perfituar pagen e luftes nga paketa e dyte—–Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi sot se pagën e luftës prej 40 mijë lekë e kanë marrë deri tani 75 mijë e 818 punonjës.
“Për paketën e dytë ekonomike për pagën e luftës prej 40 mijë lekë janë miratuar 30,020 kërkesa, ku 745 janë refuzuar dhe 10,167 janë në proces verifikimi. Nga paketa e dytë kanë përfituar pagën e luftës 84,826 punonjës, ndërsa 3,131 punonjësve iu është refuzuar”, – bën të ditur DPT.
Sipas DPT-së në total deri në 4 maj kanë aplikuar 31,275 biznese dhe 98,130 individë.
“Kjo pagesë është një e vetme dhe aktualisht e kanë marrë 75 mijë e 818 punonjës, ndërsa u është refuzuar 3137 punonjësve për arsye të ndryshme”, thekson DPT.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se “janë në proces verifikimi për 10 mijë e 167 aplikime të tjera. Aktualisht me paketën e dytë financiare janë paguar mbi 3 miliardë e 32 milionë lekë”.
Qeveria shqiptare ka bërë të ditur se nga bonusi prej 40 mijë lekësh do të përfitojnë punonjësit e rafinerisë së Ballshit dhe 22 mijë familje me pamundësi ekonomike që kanë dalë nga ndihma ekonomike për shkak të pikëzimit.