Partia Demokratike i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin për ndryshimet Kushtetuese në kuadër të Reformës Zgjedhore.
Kreu i qeverisë tha më herët se hapja e listave nuk cenon koalicionet, por për Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi kjo është gënjeshtër, pasi në vetëvete Rama ka për qëllim të ndalojë koalicionet parazgjedhore, pasi i druhet humbjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Me ndryshimet Kushtetuese Rama zhduk termin koalicion. Rama gënjeu kur tha se nuk preken koalicionet nga listat e hapura. Kjo ndërhyrje e njëanshme në Kushtetutë, shkel marrëveshjen e 5 qershorit”, u shpreh Bardhi.
Të paktën tre nene, sipas PD, shkelen nga kryeministri Edi Rama në marrëveshjen e arritur muajin e kaluar mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare, përkatësisht neni 19, 36 dhe 68.
“Edi Rama gënjeu para shqiptarëve dhe partnerët strategjikë sot, kur deklaroi se do ndryshimet kushtetuese nuk prekin koalicionet. Faktet e mëposhtme nxjerrin zbuluar gënjeshtrat e Edi Ramës:
Neni 68 i Kushtetutës aktualisht parashikon se:
“Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit”. Pra, parashikimi aktual për koalicionet në kushtetutë, është shumë i qartë. Çfarë bën Edi Rama me ndryshimin kushtetutes, të miratuar nga Komisioni i Ligjeve? E zhduk termin koalicione dhe e riformulon nenin 68 të Kushtetutës, si më poshtë:
“Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit.” Kjo ndërhyrje e njëanshme në Kushtetutë shkel Marëvëshjen e 5 Qershorit”, tha Bardhi.
Ai theksoi se drafti i dakordësuar dhe firmosur nga palët, që Edi Rama thotë se do ta miratojë pa ndryshime, parashikon se “partitë pjesëtare të koalicionit të garojnë me lista shumemërore të veçanta”.
“Pra, marrëveshja, jo vetëm lejon koalicionet parazgjedhore, por u jep mundësinë partive politike brenda një koalicioni të garojnë me lista të veçanta”. Ja, ku është drafti, i dakordësuar mes palëve sipas Marrëveshjes së 5 Qershorit, ku thuhet shprehimisht se “Për partitë pjesëtare të koalicionit që garojnë me lista shumemërore të veçanta numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy”. Ky nuk është neni i vetëm, që nxjerr zbuluar fatin se Edi Rama po prish marrëveshjen me heqjen e koalicioneve”, vijoi Sekretari i Përgjithshëm i PD.
Bardhi shpjegoi edhe nenin 36 të marrëveshjes për Kodin Zgjedhore që gjithashtu sipas selisë blu rrëzohet nga Rama.
“Në nenin 36 të draftit të dakordësuar thuhet shprehimisht se “Në rastin kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë”.
Në këtë nen, tha Bardhi, PS është shprehur për vazhdimësinë e koalicioneve zgjedhore në marrëveshjen e 5 qershorit.
“Siç duket qartë, e zezë mbi të bardhë: PS ka rënë dakord dhe ka firmosur që jo vetëm të vazhdohet me koalicionet parazgjedhore, por gjithashtu që një parti politike, pjesë e një koalicioni parazgjedhor, të paraqesë listën e vet të veçantë. Këtë dakordësi të arritur me mbështetjen e partnerëve strategjikë SHBA dhe BE përmes, Edi Rama po tenton ta zhbëjë me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës. Këto janë faktet që tregojnë se Edi Rama gënjen. I tmerruar nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm, me prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit ai po kërcënon rëndë stabilitetin e vendit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Opozita e Bashkuar është e vendosur t’i shërbejë vetëm interesit të qytetarëve. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel, Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, dhe Bundestagut, dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit“, deklaroi Bardhi./h.e-Argumentum