Kampusi i Akademisë së Forcave të Armatosura, në Shqipëri po ndërtohet sipas modelit të një prej akademive më të mira në SHBA, West Point.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, teksa ndau në rrjete sociale foto nga puna që kryhet për ngritjen e këtij kampusi.
Rama bëri të ditur se, projekti detajon ndërtimin e një kampusi modern dhe deri tani në këtë vepër janë realizuar 50% e punimeve.
“Kantieri i Kampusit të Akademisë së Forcave të Armatosura, ku janë realizuar 50% e punimeve, bazuar në projektin për ndërtimin e një kompleksi modern prej 7000 m², sipas modelit të një prej akademive më të mira në SHBA, West Point”, shkroi Rama.
Sipas tij, kampusi i ri sipas standardeve më të mira të vendeve të NATO-s, do të ofrojë mjedise bashkëkohore, duke përfshirë edhe laboratorët e Qendrës së Simulimit.
Kampusi i ri është i vendosur pranë “Bunk’art”, në një sipërfaqe rreth 40 mijë metra katrorë.
Kontrata parashikon që deri në mars 2025 të përfundojë faza e parë e projektit, që përfshin godinën e re të Fakultetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë si dhe mensën për studentët. Ndërsa do të vijohet me financimin e fazës së dytë, për të përballuar kapacitetet në rritje, në mënyrë që sezonin e ardhshëm kampusi të jetë në gjendje pune.
Kijimi i një akademie lider në arsim, do t’u shërbejë jo vetëm Forcave të Armatosura, por edhe institucioneve të tjera.