Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “e përsëris edhe me zë e figurë apelin për lirimin e menjëhershëm pa kushte, pa nëse, të tre efektivëve të Policisë së Kosovës, jo vetëm sepse është shkelje e të drejtave të njeriut, që nuk mund të minimizohet në asnjë mënyrë, por sepse pa u kthyer në shtëpi ata tre burra nuk ka asnjë hapësirë për të lëvizur me planin e de-eskalimit”.
Në një konferencë për shtyp, Rama tha se “jam këtu sërish pranë jush pas një tjetër dite të humbur pa dialog mes dy liderëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel, ndërkohë që situata mes dy shteteve degradon përditë në një spirale absurditeti shumë të rrezikshëm. Në fakt dje nuk kishte si të ndodhte ndryshe për sa kohë tre efektivët e policisë vazhdojnë mbahen në burg në Serbi”.
“Nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo de-eskalim konkret pa kthimin e tyre në shtëpi, madje nuk mund të ketë normalitet as në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë për sa kohë nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve, të cilët nuk kanë kryer asnjë kri. Edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit sikur ta marrim të mirëqenë këtë pretendim dihet botërisht se në çdo legjislacion demokratik për kalim të paligjshëm të kufirit njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht, njihen me masën e ndalimit të hyrjes në atë vend për një kohë të caktuar”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe papranueshme. Përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen pa asnjë të drejtë të 3 policëve të huaj në burgun e një shteti tjetër duke ngritur zërin për arrestimet në veri të individëve të caktuar të minoritetit serb nga forcat policore të Kosovës është tejet shqetësuese, sepse shtetet demokratike nuk i përgjigjen kurrë në mënyrë simetrike shkeljeve të pretenduara të të drejtave të bashkëkombasve në një shtet tjetër”.
“Nëse Serbia ka pretendime për arrestimin arbitrar në veri të qytetarëve të Kosovës me kombësi serbe këto pretendime nuk argumentohen duke mbajtur peng tre policë shqiptarë në Serbi, por duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar me EULEX, KFOR dhe mbi të gjitha duke vepruar konkretisht aty ku është edhe origjina e kësaj problematike, që është marrëdhënia e cila duhet normalizuar, që është marrëveshja që duhet finalizuar”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “pardje i kam nisur një letër të dytë, presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel lidhur për domosdoshmërinë për një shtyrje të re të Francës dhe Gjermanisë si kumbarët e planit franko-gjerman, me mbështetjen e SHBA, që ky plan të zbatohet me doemos”.
“Në kushtet e situatës në veri si rezultat i përplasjes së vazhdueshme të politikave të brendshme të dy udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë po e rrit me orë klimën e tensionit duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, çka do të ishte një katastrofë në mes të cilës do të përfshihej edhe KFOR-i. Përplasje, e cila do të rezultonte fatale edhe për gjithçka është bërë në këto vite përpjekje, nisma, ndërveprime në Ballkanin Perëndimor nën ombrellën e Procesit historik të Berlinit. Një kthim mbrapa dramatik për krejt rajonin dhe të ardhmen e tij që nuk mund të bëhem peng i lojës politike për elektorat as atyre në Kosovë, as atyre në Serbi”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se “vendet tona, popujt tanë, shtetet tona në këtë lagje të Europës kanë një moment krejt tjetër dhe një rrugë krejt tjetër nga kjo që adreson qorrsokaku i Veriut dhe nuk mund të vazhdojnë të presin me vite që ky proces dialogu të përfundojë, që marrëdhënia mes Kosovës e Serbisë të normalizohet, njohja e ndërsjellë të ndodhë dhe sa herë duan politikat e brendshme dhe në njërin apo tjetrin breg fillojnë konfliktet sa për targa, sa për zgjedhje pa zgjedhës, që vazhdimisht u kujtojnë të tjerëve se ky rajon është ai që mezi çdo vit po përpiqet të heqë damkën e tmerrshme të historisë dhe papritur rizgjohet në anën e gabuar”.