Njerëzit që Allahu do më shumë janë ata që ndihmojnë të tjerët. Drita më e çmuar është ajo që vjen në errësirë.
Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama në Stamboll teksa citoi fjalët e Kuranit me investitorët e vendeve islamike.
Duke kërkuar ndihmë për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, Rama kërkoi që biznesmenët t’i bashkohen Shqipërisë në rrugëtimin e rindërtimit, raporton JavaNews.al
“Tërmeti na ka sfiduar. Ishte një ngjarje që historia moderne e Shqipërisë nuk e ka njohur. Të dhënat tona paraprake janë tronditëse dhe shumica e godinave të rrëzuara janë të ndërtuara pa plan. Ato godina mbanin dhjetëra familje. Kjo është arsyeja pse nuk kemi një shifër finale. Ne besojmë se dëmi i shkaktuar shkon përtej asaj që është e përballueshme nga ne” – tha kryeministri në Stamboll.
Ai u shpreh se pret që dhimbja të kthehet në forcë teksa shtoi se ka besim që Turqia nuk do ta lërë Shqipërinë vetëm.