Kryeministri Edi Rama deklaron se nuk ka të ardhme të Bashkimit Evropian pa Ballkanin Perëndimor.
I pranishëm në punimet e Forumit Strategjik të BLED-it që po mbahet sot në Slloveni, Rama i kërkoi Bullgarisë t’i hapë rrugën çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri Rama solli në vëmendje një ndër veprat e famshme të shkrimtarit të njohur irlandez Samuel Beckett, “Duke pritur Godonë“ teksa tha se “BE është Samuel Becketti ynë, dhe ne po presim Godonë.
“E bukura e kësaj është se Beckett mund të shfaqet në BE përmes ngjyrave e kombeve të ndryshme e së fundmi është Bullgaria”, u shpreh Rama.
Por ne, vijoi kryeministri, jemi këtu për të luftuar. “Sepse ne nuk po kërkojmë licence për të qenë evropian, ne jemi evropian, çfarëdo të mendojnë e thonë njerëzit në BE, ne jemi evropian”, deklaroi kryeministri.
Rama u shprehu mirënjohjen presidentit e kryeministrit slloven për ftesën e bërë për të qenë pjesëmarrës në këtë forum ku diskutohet për të ardhmen e Evropës.
“Natyrisht është një takim anësor, jo kryesori, por është shumë dramatike dhe shumë qesharake që të shikosh Bashkimin Evropian të angazhohet në diskutime për të ardhmen e Evropës dhe ne nuk ftohemi. Së paku, për mirësjellje të ndryshojnë emrin: e ardhmja e Bashkimit Evropian dhe jo Evropës, sepse nëse është për të ardhmen e Evropës: ne jemi evropian“, deklaroi kryeministri Rama.
Kryeministri shtoi se nuk ka asnjë të ardhme të Evropës pa Ballkanin Perëndimor brenda BE-së.
“Nëse BE do të vazhdojë kështu, natyrisht nuk do të jetë mirë për ne, por do të jetë edhe më keq për BE-në. Kjo jo sepse po i jap Ballkani Perëndimor të gjithë atë peshën me të cilën e kemi parë njëri-tjetrin kur ishim të izoluar, por sinqerisht po them se ju përmendët në fillesë etërit themelues të BE-së dhe nuk mund të rri pa thënë se nëse do të çoheshin e do të ndiqnin këtë diskutim, shpreh bindjen se do të mendonin më mirë të ishim të vdekur se sa gjallë. Nuk kam fakte, por po kthehen përmbys. Ç’e ardhme e Evropës, për çfarë po debatojmë? ”, deklaroi Rama.
Rama bëri thirrje të mos përmenden më faktorë dhe aktorë të tretë për sa i përket vendimit për çeljen e negociatave.
“Ne nuk po flasim të bëhemi anëtarë. Kur ne të bëhemi anëtarë Macron (presidenti i Francës) që është më i riu do të jetë duke shkruar kujtimet. Po flasim për të çelur bisedimet”, shtoi kryeministri Rama.
Rama iu drejtua Presidentit të Bullgarisë duke i kërkuar të hapë rrugën për bisedime me BE-në.
“Unë do të përfitoj dhe do ti kërkoj presidentit të Bullgarisë: Ju lutemi ju bullgarët mos jini kaq tipik evropian. Bëhuni ballkanas. Hapini rrugën bisedimeve. Na lini të flasim me BE-në dhe pastaj ju mund të bëheni ballkanik e të pengoni”, tha Rama.
Forumi Strategjik i BLED-it konsiderohet si ngjarje kyçe rajonale. Ky forum i përvitshëm është kthyer në një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare në rajon.