Kryeministri, Edi Rama në një video deklaratë për shtimin e numrit të të infektuarve me COVID-19 në ditë e fundit, ka paralajmëruar rikthimin e karantinës nëse situata do të përkeqësohet. Për këtë arsye, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat. Duke paralajmëruar se një trend i tillë do të sjellë pasoja të rënda në jetën e njerëzve, kreu i qeverisë tha se, e vetmja zgjidhje për të parandaluar një skenar të tillë mbetet karantina, deri në shpikjen e vaksinës.
“Ka më shumë shtrime në spital në tre ditët e fundit se sa në kulmin e COVID-19. Nuk duam të nisim ofensivën ndëshkimore ndaj bizneseve që nuk respektojnë rregullat. Nuk kam ndryshuar mendin, në fund të fundit ekonomia bie dhe ngrihet prap, ndërsa të vdekurit nuk ringjallen. Ekziston rreziku real i rënies pre e armikut të padukshëm tani që jemi hapur. Nuk dua ta mendoj e lëre pastaj ta përmend, e ta them prap fjalën karantinë dhe lëre pastaj të lëshojmë ushtrinë e mbylljes”, tha Kryeministri.
“Të ndryshojmë të gjithë sjellje, urgjent, menjëherë. Nëse numrat e të shtruarve do të rritet dhe rritet largqoftë numri i personave që kanë nevojë për tubin e frymëmarrjes, me keqardhje por realisht nuk kemi çfarë të bëjmë dhe duhet të rifillojmë nga e para siç po ndodh në disa vende të tjera dhe jo shumë larg nesh. Të bëjmë gjënë e duhur, e kemi vetë në dorë. Secili nga ne e ka në dorë që të bëjë gjënë e duhur”, përfundoi Rama.